Historike, sot Talat Xhaferi zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut
Një kryeministër shqiptar do të zgjidhet sot për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Ai do të jetë Talat Xhaferi, i cili do të ketë një mandat prej 100 ditësh. Ditën e sotme do mblidhet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ku pas diskutimeve pritet që të miratohet edhe qeveria teknike. Xhaferi ka paraqitur në Kuvend emrat e ministrave dhe programin.
Zëvendëskryeministri i parë do t’i takojë LSDM-së, Bojan Mariçiç, që mbulon edhe Çështjet Evropiane. Shqiptarët në qeverinë teknike nuk do të kenë vetëm kryeministrin, por edhe tetë ministra e zëvendësministra.
Bujar Osmani do të mbesë ministër i Jashtëm, ndërsa Artan Grubi që mbante funksionin e Zv/Kryeministrit të Parë, do të jetë Ministër për Sistem Politik. Opozita VRMNO-DPMNE do të ketë ministrin e Brendshëm, si dhe disa ministri dhe zëvendësministra.
Qeveria teknike do të ketë si detyrë mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit. Së bashku me to, mbahet edhe raundi i dytë për zgjedhjet e presidentit.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti e ka cilësuar këtë ditë si historike. “Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t`i prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane”, tha ai gjatë një video-mesazhi të shtunën.
Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje historike që për herë të parë Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar. Këtë meritë, ai ia atribuon Ali Ahmetit për të cilin thotë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sjelljen e Ahmetit, Rama e vlerëson si një leksion historik ndaj të gjithëve dhe brezave të ardhshëm.