Historiku KJ/ Dritëro Agolli me 17 prill 1992: Shqiponjave u intereson të maten me shqiponjat, e jo me karkalecat
Shkruar nga Dritëro Agolli
-Botuar në KOHA JONE me 17 prill 1992-
Gjithë shoqëria jonë është në rinovim. Në rinovim janë ingranazhet dhe hallkat e gjithë këtij organizmi të madh, që vjen nga një shoqëri e kaluar. Përtëriten konceptet dhe mendësitë e njerëzve, përtëritet administrata dhe pastrohen labirintet e saj, fiton cilësi të reja ekonomia dhe kultura. Madje edhe vetë gjuha e përditshme e njerëzve dhe e drejtuesve politikanë rinovohet me fjalë e terma të kohës siç janë “pluralizëm”, “transparencë”, “tolerancë”, “konsensus”, “kriptokomunist”, “forum”, “ekonomi tregu”, “asistencë”, “lider”,”demokrat”, “Miss”, “privatizim”, “afarizëm”, “parlament”, “zgjedhje të lira”, “grevë urie” etj. fjalë e terma që nuk përdoreshin para dy tre vjetëve në shoqëri. Të gjitha këto në kompleks janë elementë të rinovimit të përgjithshëm bashkëkohor. Rinovimi është fenomen gjeneral evropian. Në këtë proces të madh të transformimit dhe rinovimit, i cili do shpejtohet tani me fitoren e Partisë Demokratike, nuk mund të qëndrojë i ngrirë në asnjë organizëm, asnjë grup, asnjë kolektivitet njerëzish dhe asnjë individ, pasi përndryshe do të ishte jashtë logjikës së njeriut dhe të shoqërisë. Qëndrimi i ngrirë do të ishte në dëm dhe në fatkeqësi të vetë subjektit, të vetë organizatës dhe organizmit, do të ishte vdekja. Dhe vdekjen askush nuk e do prandaj gjithçka synon drejt rinovimit. Partia Socialiste nuk mund të kërkojë vetëvdekjen, vetëngrirjen, prandaj edhe ajo synon drejt rinovimit. Në qoftë se ajo do të ishte e parinovuar, aspak nuk do të goditej nga partitë e tjera, dhe aspak nuk do të quhej opozitë. Po të ishte e parinovuar për atë do të heshtnin partitë e tjera. E parinovuar ajo nuk do të ishte e zonja të përhapte idetë e saj. Do të bëj një pyetje: Enver Hoxha po të ishte gjallë, a do ta pranonte Partinë Socialiste? Me siguri do ta vinte në satër! Rrjedhimisht kjo parti nuk është më Partia e Punës. Dhe sipas logjikës së thjeshtë: kjo është e rinovuar, do apo s’do. Çështja është se në çfarë shkalle qëndron rinovimi. Të rinovohet, nuk do të thotë të bëhet Parti Demokratike e dytë, pasi atëherë nuk do të kishim pluralizëm. Ajo rinovohet brenda natyrës së ideve dhe programit të saj. Edhe Partisë Demokratike i intereson të ketë një oponent të fortë. Shqiponjave u intereson të maten me shqiponjat dhe jo me karkalecat!
Në Kongresin e 10 të Partisë së Punës, unë thashë i rebeluar se ajo parti nuk mund të rinovohet. Por ajo në atë Kongres ishte ende Parti e Punës. Ende nuk kishte lindur ideja e shndërrimit në Parti Socialiste. Edhe kur lindi si e tillë ajo nuk u rinovua që të nesërmen. Ajo edhe tani vazhdon procesin e rinovimit. Nuk mund të fshihet fati që ajo doli nga Partia e Punës dhe nuk lindi krejtësisht e re ashtu siç lindën, PD, PSD, PR, PA etj. Prandaj rinovimi i saj ka qenë dhe është më i vështirë, por krejtësisht i mundshëm, pasi në përbërjen e saj ka njerëz të ndershëm, trashëgimtarë të virtyteve më të mira të ish komunistëve të ndershëm. Dhe këta ish-komunistë të ndershëm të larguar nga Partia e Punës si krahu përparimtar, kanë një meritë të madhe historike. Ata u vunë në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri dhe e udhëhoqën atë. A nuk ishin ish-komunistët në krye të partive më të mëdha PD, PR, PSD, PA? Kush e mohon këtë !? A nuk u rinovuan ata?! Prandaj ish-komunistët nuk duhen marrë “en bloc”, si të pandreqshëm! Doemos, brenda PS ka plot njerëz me mentalitete të PP, ka të prapambetur e fanatikë, por lokomotiva e kohës vrapon. Njerëzit me mend shkojnë me këtë lokomotivë, ata pa mend mbeten. Ka njerëz tolerantë ndaj ideve dhe idealeve, ka shpifës e gënjeshtarë. Në të gjitha partitë ka njerëz të tillë. Kjo duket në shtypin, në gazetat e të gjitha palëve. A nuk më shajnë mua, vetëm e vetëm se jam socialist? Unë do t’i pranoja qoftë edhe sharjet po të më thoshin se i kam kënduar komunizmit, se kam shkruar vargje për Enver Hoxhën, se kam pranuar të jem kryetar Lidhjeje etj. Por kur më shajnë me shpifje, si ato të një Myftar Gjane, me fraza të tilla: “ose për Dritëro Agollin thonë se nga relacionet e tij janë dënuar shumë shkrimtarë”, kjo është një gjuhë antidemokratike, cinike dhe sadiste, jo prej një njeriu që pretendon të bëhet poet. Një njeri i tillë mund të bëhet agjent shpifës, por kurrë nuk mund të bëhet poet. Gazetari nuk është mbledhës folklori, duke mbledhur shprehjet, “thonë se…” Shkrimtarët që kanë qenë të burgosur janë të gjallë dhe unë i respektoj, veçanërisht Kasem Trebeshinën që ka qenë i pari që haptazi më 1954, dënoi realizmin socialist. Respektoj R.Reshpen, V.Zhitin, J.Bllacin, K.Resulin, P.Tacin, K.Dushin, M.Jeron, M.Luarasin, M.Velon, B.Myftarin, Z.Moravën etj.: respektoj piktorin e shquar Ali Oseku – të gjithë ish të burgosur. Nëse do t’u kisha shkruar relacione të gjithë këtyre, hetuesit do t’ua lexonin si dëshmi: “ja, çfarë ka denoncuar Dritëro Agolli për ju”! Ky Myftar Gjana pse nuk i ka pyetur këta krijues me një frazë të thjeshtë gazetari: “çfarë dëshmie keni nga Dritëro Agolli?”Dhe atëherë do të dilnin denoncime nga miqtë e Myftar Gjanës. Dhe ky Myftari e di se kush e denoncoi Kapllan Resulin, pasi denoncuesit i boton shkrime kundër meje. Dhe ky Myftar Gjana e di se kush ka shkruar relacione kundër poetit Visar Zhiti, pasi këtë denoncues e ka pasur në këshillin drejtues të gazetës, ku filloi aktivitetin. Ai di dhe të tjerë denoncues. Atëherë pse trillon denoncues të tjerë, kur denoncuesit i njeh mirë? Kjo nuk është luftë e ndershme. Po të kisha shkruar unë relacione për të gjithë këta njerëz të rënë në fatkeqësi, kujtoni ju se nuk do të botonin ata fragmente nga denoncimet e mia? Kur këta nuk kanë ç’të thonë për mua, atëherë çfarë njerëzish të tjerë pjellin brazdat e trurit të këtij Myftari, që në çdo artikull lëshon thërrija, që të na bëjë të kruajmë kokën dhe të meditojmë për natyrën e pështirë njerëzore. E mbushi me thërrija gazetën “Kosova”, tani po mbush edhe një gazetë tjetër. Kryeredaktori i gazetës Mujë Buçpapaj, ku lëshohen këto thërrija dhe ku bëhen këto shpifje për mua, e di fare mirë se çfarë relacione kam bërë unë në kuvende të hapura. E di se si e kam mbrojtur në çaste të vështira. Le t’i kujtohet! Në Kongresin e Rinisë më 1982, unë para Enver Hoxhës në diskutim deklarova se “zyrtarët e Tropojës dhe Ministria e Arsimit marrin nëpër këmbë talentet e reja dhe nuk u japin të drejtë studimi, siç nuk i dhanë Mujë Buçpapës, por i dhanë të afërmit të shefit të arsimit!” E lehtë ishte për mua kjo deklaratë përpara diktatorit? Pas kësaj deklarate që bëra unë para Enver Hoxhës, Muja hyri në Universitet.
Dhe tani do të citoj një vjershë që zbërthen këtë mendim:
Djaloshit ia mësova
Fshehtësinë,
Të shtinte me shigjeta,
Si fajkua;
Ai mësoi aq bukur
Sa një ditë
E ngriti harkun dhe qëlloi
Mbi mua…
Ja kështu janë këto punët e bindjeve partiake. Për rinovim kanë nevojë të gjithë. Edhe gazetarët e ndiejnë këtë nevojë. Pa civilizim të përgjithshëm nuk ka rinovim të plotë. Po nuk u respektuan idealet e shumëllojshme nga gazetarët; shkrimtarët, poetët e intelektualët, rinovimi është gjysmak. Unë i respektoj idealet e njerëzve të ndershëm. Gjatë gjithë proceseve të demokracisë, unë nuk kam marrë njerëz nëpër gojë. Unë u jam përgjigjur vetëm pjesërisht sharjeve duke u ruajtur të mos bie në kurthin e mediokërve sharës.
Zakonisht, mua më shajnë ata që u kam bërë mirë. Atyre që u kam mësuar harkun, e drejtojnë shigjetën kundër meje. T’i lemë mënjanë modestitë. Tani po e kuptoj se çfarë rëndësie paskam unë në jetën e gazetarisë shqiptare. Unë si subjekt dhe si motiv po ushqej me honorarë shumë gazetarë. Një gjë më vjen keq. Pse t’i marrin këta honorarë njerëzit mediokër. Do të gëzohesha sikur të më shante një shkrimtar i barabartë me mua. Por sharjet nuk janë karakteristikë e të mëdhenjve, ato janë të liliputëve. Këtu nuk shaj, përgjigjem në sharjet! Kur të rinovohemi, do të bëjmë debat; do të kundërshtojmë njëri-tjetrin, do të lexojmë ide të kundërta, nuk do të shajmë dhe do të jemi miq. Këtë presupozon demokracia e vërtetë dhe e civilizuar. Dhe kjo me siguri do të vijë pas kësaj fitoreje të madhe të demokracisë. Unë besoj./Dritëro Agolli/