Hoxha: Të gjithë ju që garuat, humbët dhe u zhgënjyet, nuk ju mirëkuptoj

Aktiviteti i fundit i PD-së, zgjedhja e sekretariatit dhe titullarëve të departamenteve është përcjellë me reagime të forta ndër demokratë. Thuajse të gjitha kontaktet e mia më shprehin zhgënjim, trishtim dhe zemëratë. Sot unë gjej me vend tu drejtohem humbësve të kësaj gare: Të gjithë ju që garuat, humbët dhe u zhgënjyet, nuk ju mirëkuptoj!

Dje Partia Demokratike përmbylli procesin e zgjedhjes së forumeve drejtuese, proces, i cili u shoqërua nga një jehonë shastisje dhe zhgënjimi ndër demokratë, por edhe ndër mbështetësit mediatikë të “PD së Re”. Eshtë e vetkuptueshme se shastisja dhe zhgënjimi ka nisur pikësëpari nga ajo pjesë e kandidatëve që e kishin pritur me shpresa dhe emocion garën dhe që nuk e imagjinonin dot “humbjen”. Të gjithë këtyre, edhe pse pjesërisht i çmoj për vlerat dhe kontributet, dua t’u them publikisht: nuk ju mirëkuptoj!

Sali Berisha është mbajtur për 23 vjet në politikë si njeri që pushtetin e ka konsoliduar nëpërmjet skemave, kombinacioneve dhe prapaskenave. Shumëkush këtë cilësi ia ka quajtur vlerë, sidomos kur prej saj kishte të mira edhe Partia, qoftë sepse forcohej linja e saj politike, apo sepse rritej kohezioni i brendshëm, sepse frenohej degradimi apo shpërbërja, apo rigjallërohej shpresa dhe rilindnin energji të reja. Shumëkush skemat, kombinacionet dhe prapaskenat i falte dhe legjitimonte, pikërisht sepse nëpërmjet tyre “Partia ripërtërihej dhe fitonte pikë”.

Këtë radhë procesi u karakterizua nga disa tipare të lexueshme qartë: Procesi u krye kryekëput nga Sali Berisha dhe jo nga Lulzim Basha. Kryetari i zgjedhur i partisë, me ose pa dashje, ka prurje në këtë proces vetëm legjitimimin e përzgjedhjeve të Berishës dhe përgjumjen e skeptikëve ose përfaqësuesve të mendimit ndryshe. Qëllimi i Berishës në këtë proces ishte kryekëput qëllim Anti-PD. Berisha kërkonte kontrollin absolut të Familjes mbi strukturat dhe forumet, kërkonte të kalonte trashëgiminë politike tek pasardhësit familjarë dhe të përjashtonte nga kontrolli dishepujt politikë. Ky fakt i jep shpjegim habisë se pavarësisht se kush kandidonte dhe si zhvilloheshin procedurat, rezultati dilte gjithmonë një: ushtarët e familjes “fitonin”. Ky fakt shpjegon se pse, pavarësisht nga kritika për përgjegjësinë dhe përgjegjësit e humbjes, pavarësisht nga thirrjet për rinovim dhe ripërtëritje, forumet mbusheshin me përgjegjësit e humbjes, emblemat e korrupsionit PD-ist, kandidatët “tanë” për burg, ushtarët “tanë” të botës së krimit, të gjithë njerëz që “halli” nuk i lë të ngrenë kokë, “belaja” i detyron të kërcejnë çdo valle. Berisha e kërkonte PD-në të marrë peng. Vetëm ky kontigjent ia garantonte këtë kusht.

Procesi u realizua në çdo hap me shkelje flagrante statutore, që nga zgjedhja e Kryetarit të ri, tek organizimi i Kuvendit Kombëtar e deri tek zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë. Shkeljet statutore duheshin për të mbytur rezistencën e për të mbajtur nën kontroll bazën e partisë. Siç bëhej një herë, nuk bëhej herën tjetër, sepse demokratët nuk duhet të përgatiteshin, nuk duhet të organizoheshin, nuk duhet të reagonin, nuk duhet të qartësoheshin, nuk duhet të vepronin.

Këtë radhë çdo vëzhgues i vëmendshëm e kishte të lehtë të kuptonte ku flinte lepuri. Nëse ata që garuan, humbën dhe u zhgënjyen nuk e kuptuan, ky fakt i penalizon rëndë ata dhe unë nuk mund t’i mirëkuptoj. Nëse ka prej tyre që sot, një ditë pas përfundimit të të gjithë procesit, thonë “o Zot bëje ëndërr!”, unë nuk dua t’i mirëkuptoj. Thirrja “o Zot bëje ëndërr!” ka personazh gomarin dhe kjo nuk nderon asnjë nga të dëshpëruarit e PD-së.

Por unë sot kam një arsye më shumë për të qenë kundër e për të mos mirëkuptuar të gjithë njerëzit që shpresuan/kandiduan, humbën dhe u zhgënjyen: duke u vënë në rresht dhe duke i shërbyer skemës së Berishës, ata u bënë ushtarë të pengmarrjes dhe tjetërsimit të forcës së tyre politike. Me shpresën e “fitores personale” i shërbyen verbërisht një akti kriminal: asgjësimit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj. Kryetari Basha në aktin që përmbylli pengmarrjen deklaroi se gjatë këtij procesi “Partia Demokratike ka bërë analiza, jo harakiri, por ripërtëritje”. Kryetari Basha konfirmoi se mosbërja e analizës nuk është përtëritje, por është harakiri. Kryetari Basha e di këtë. Unë gjatë gjithë këtij viti kam kërkuar analizën e humbjes dhe kam kritikuar mosbërjen e saj. Kolegët e mij kanë kërkuar “kockën”, kanë kërkuar kandidimin. Sot që, pasi kanë bërë harakirin personal dhe kanë hapur siparin e harakirit të Partisë, “kocka” që shpresonin t’u hidhej nuk e justifikon dot koston që morën mbi shpinë. Prandaj unë sot nuk duhet t’i mirëkuptoj!

SHKARKO APP