Humbja në Dibër, degët 6 muaj në kaos, përgjegjës deputetë që shiten
Flasin për “Koha Jonë”, krerë të degëve të PD-së
Nga: Redjon Shtylla
“Strukturat e PD sot janë në një situatë problematike. Kjo është e vërtetë ishte edhe në Dibër. Për fatin tonë të keq nuk është vetëm në Dibër, por është edhe në zona të tjera të PD”. Referuar kësaj deklarate të ish-ministres Majlinda Bregu, e cila për herë të parë foli publikisht për një problem që ka muaj që endet pa gjetur zgjidhje. Humbja e thellë e Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Dibër, me një rezultat të thellë, ka shkaktuar debat si në selinë blu brenda grupit, por dhe në nivel kombëtar të partisë. Degët e kësaj force politike, duhet të përmbyllnin procesin e riorganizimit dhe të zgjedhjeve që më datën 30 qershor 2016, referuar vendimit të kryesisë me datë 29 prill 2016.
Në një prononcim për “Koha Jonë”, krerë aktualë të degëve të PD-së, shprehen se humbja erdhi si pasojë e strukturave. Alarmi që ata japin është se mos funksionimi i tyre për 5 muaj absolutisht pati efektin e vet dhe ta mohosh këtë fakt, shprehen ata do të thotë se nuk njeh realitetin. Kreu i degës së Vlorës, Moisi Meminaj ka pohuar se kush janë përgjegjësit e rezultatit të Dibrës. “Në fakt personat përgjegjës për strukturat si Sekretari i Përgjegjshëm Ristani, Sekretari Organiztiv Bozdo, Sekretar i Burimeve Njerëzore Kadilli nuk kanë si ta dinë një fakt të tillë se nuk kanë shkelur asnjëherë në terren dhe nuk e dinë si funksionojnë strukturat”,- u shpreh ai. Më tej ai shton se e ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kërkesë e bërë 5 muaj rresht. Me ironi, ai shton se merak nga Dibra i ngeli se nuk shkoi si të gjithë për një selfie.
Përçarja në PD
Bujar Vreto, kreu i PD-së në Librazhd, bën me dije se procesi në këtë zonë ka përfunduar, ku ai u rizgjodh sërish. “Në Qarkun e Elbasani procesi i riorganizimit ka përfunduar në një kohë të shkurtër dhe nga 4 degë ekzistuese me ndarjen e re territoriale u bënë 7”-, u shpreh ai. Edhe për të përgjegjës nuk është kreu Basha, siç janë shprehur deputetë kritikë ndaj tij për humbjen në Dibër, por janë brenda grupit.
Vreto pohon se: “Partia Demokratike ka probleme edhe brenda vetes që duhen korrigjuar por nuk vinë nga Kryetari Basha, por nga ndonjë sekretarë apo deputet që kërkojnë të bëjë qoka me punën e të tjerëve apo fitimin e besueshmërisë false për të garantuar veten në listën e qarqeve për deputet”. Krerët e degëve të Partisë Demokratike, krerët e seksioneve dhe të grup seksioneve, përfshirë anëtarësinë dhe përfaqësues të tjerë në nivel lokal, kanë refuzuar të që bëjnë zgjedhje të strukturave. Në disa dalje publike, ata janë shprehur se i konsiderojnë të paligjshëm dhe në shkelje flagrante me statutin e partisë, këto zgjedhje.
Dështimi ka ardhur edhe në mungesë të bisedimeve mes krerëve të rretheve dhe kryetarit Basha, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, për procesin e riorganizimit të partisë, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë, statutin, meritat dhe rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse. Përsa i përket kreut Basha, Vreto thekson se po vepron me shpejtësi duke i dhënë besueshmëri bazës dhe drejtimit të degëve, por ai shton se nuk duhet që në grupin e PD-së, të ketë ish- zyrtarë që abuzuan me detyrën gjatë qeverisë “Berisha”.
Moisi Meminaj
Strukturat kanë humbur besimin te lidershipi Tiranës
Sipas tij, çfarë duhet të bëjë PD-ja, që të mos humbasë dhe zgjedhjet në 2017. “Strukturat kanë humbur besimin te lidershipi Tiranës, kryetari i radhës kushdoqoftë ai do jetë kryetar pa mandat sikurse ne të parët, nuk do ketë kohën e mjaftueshme për t’u njohur me strukturat dhe jo më të flasim për fushatë. Çfarë duhet të bëjë Basha? Të bëjë marrëveshje me demokratët dhe qytetarët dhe me asnjë tjetër edhe pse koha në dispozicion është shumë e shkurtër. Duhet të ribashkojë demokratët, por apo ndodh kjo nuk e di. Ndërsa sa për Vlorën situata është në gjendje kritike, strukturat janë të zhgënjyera. Për më tepër pyet Ristanin se ai merr vendime për shkarkime dhe emërime kryetarësh rreth tavolinave duke pirë ndonjë gotë raki sikurse ka ndodhur për turpin e tij deri tani”.
Bujar Vreto
PD duhet të bëjë analizë jo me idenë e prerjes të kokave
Për të shmangur përsëritjen e problemeve, çfarë duhet të bëjë PD-ja? Vreto shprehet se: “PD duhet të bëjë analizë jo me idenë e prerjes të kokave apo të ngarkojë me përgjegjësi Kryetarët apo Kryetarin e PD, por duhet që anëtarësia të jetë më e përfshirë në vendimmarrje, duhet të funksionojë demokracia në seksione jo vetëm për të zgjedhur kryetarë e sekretarë seksioni, por edhe të pyeten për kandidaturat lokale e qendrore, të funksionojë demokracia në grupseksione e kryesi degësh duke u marrë parasysh propozimet e seksioneve dhe gjithpërfshirja do mundësojë frymë dhe besim jo vetëm tek struktura, por dhe tek popullata”.
Votat janë vjedhur
Ndërsa kryetari i degës së Shkodrës, Ramiz Çoba thotë se, përgjegjësit duhet të dalin pasi të bëhet analiza. “Dega e PD-së në Dibër duhet të bëjë analizë, të nxjerrë disa pika konkrete për dobësitë dhe më pas të dilet te përgjegjësitë. Por askush nuk e vë në dyshim se atje janë vjedhur votat me paratë të drogës”, tha ai. Osman Stafa kreu i PD-së Durrës, thotë se pjesë e përgjegjësisë për humbjen kanë qenë sekretarët. “Dega e PD-së Dibër ka problematikat e saj sepse para, gjatë dhe pas zgjedhjeve është pa kryetarin legjitim, i votuar nga konferenca në Dibër dhe kjo është pjesë e përgjegjësisë, duke filluar që nga kryetari Organizativ, ideator dhe ekzekutor i kësaj skeme, për të prodhuar ndoshta një rezultat të tillë”, theksoi Stafa.
Osman Stafa: Ja ku gaboi PD-ja
Humbja në dibër ka dy arsye: Në dibër nuk janë zhvilluar zgjedhje por kemi patur grabitje dhe vjedhje nga Edvin Kristaq Rama. Fushata e PD-së pati dy pamje. fryma pozitive që i dha lidershipi partisë demokratike dhe organizimi i strukturave të partisë në terren që ishte në propocion jo të drejtë me frymën e lidershipit. Konkretisht pati një mungesë koordinimi midis strukturës organizative të partisë me frymën e lidershipit. Sekretari organizimit pranë PD-së nga informacionet që unë disponoj prej mëse dy vjetësh nuk ka shkelur kurrë në Dibër në funksion të detyrës dhe pozicionit që ka. Fushatës i mungoi informacioni real mbi strukturat dhe nevojat e tyre për pasojë organizimit të partisë i mungoi forca besimi dhe zjarri betejës.
29 prill 2016
Vendimi i kryesisë që degët e PD-së do të shkojnë në zgjedhje. Janë 35 degë ekzistuese dhe 14 degë të reja, të cilat nuk po gjejnë zbatim në terren, procesi është ngrirë në disa degë.
30 qershor 2016
Ishte vendimi që degët duhet të kishin mbyllur të gjitha proceset organizative dhe riorganizimet, shumica e degëve e kanë zbaruar, por degët janë bllokuar dhe nuk ka veprim.
15 korrik 2016
Vendimi i dytë për përmbylljen e procesit, por sërish pati kaos. U vendos një afat i tretë, që ishte fundi i muajit korrik dhe sërish kaosi në disa degë vazhdoi dhe vazhdon ende. Nuk ka kandidatë.
3 degë
Janë më problematikat, lidhur edhe me reagimet e tyre. Në qarqet si: Durrësi, Pogradeci, Vlora ende vijon procesi dhe ende sot nuk janë mbledhur strukturat për të nisur proceset riorganizative.
Pa afat
Është data, ku bëhet me dije se duhet të presim për të parë nëse në 35 degët e PD dhe në 14 degët e reja, procesi do të jetë finalizohet me sukses dhe PD-ja do të tregojë forcën e saj.
KOHA JONË SONDAZH

