I dëbuar nga Zvicra për drogë, PS kërkon çregjistrimin e kandidatit të Berishës për Shijakun
14 Maji po afrohet, dhe PS-ja ka kërkuar çregjistrimin në KQZ, të kandidatit të Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha i dëbuar nga Zvicra në 1997 për posedim të lëndëve narkotike.
Në letrën që është firmosur nga Eridian Salianji, Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PS, thuhet se Komisioneri duhet që të kryejë një hetim të plotë dhe të shpejtë ndaj Tushës, pasi sipas vlerësimit të tyre, ai nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë një kandidat.
“Aktualisht KQZ ka rastin që zgjedhësve të Bashkisë Shijak t’u ofrohet për zgjedhje një kandidaturë që të garantojë “besimin e publikut për funksionin e organeve të zgjedhura shtetërore” dhe në këtë kuadër kandidati Rezeart Tusha nuk e ofron aspak këtë garanci. Ndërprerja e kandidimit duke bërë çregjistrimin e në këtë fazë, në një eventualitet, mbron dhe garanton mirëfunksionimin demokratik të organeve të qeverisjes vendore”, thuhet në dokument.