I tha Ballës ”skizofren”, Petrit Vasili përjashtohet 5 ditë nga Kuvendi

Fjala ”skizofren”, e përdorur për Taulant Ballën nga Petrit Vasili, ka bërë që ky i fundit të përjashtohet nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë për 5 ditë. Vendimi u bë me dije pas mbledhje së zhvilluar nga sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Seanca e sotme plenare në Kuvend u zhvillua me diskutime dhe debate të ashpra, ku në një moment Vasili debatoi me kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndërsa iu drejtuar me fjalët: “O skizofren, mos bëj si idiot”. Edhe kryeministri Edi Rama përdori një gjuhë të ashpër dhe ofenduese ndaj deputetëve të opozitës, por nuk u dënua.

Njoftimi i plotë

Në drejtimin e Klotilda Bushkës, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.

Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili.

Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022

SHKARKO APP