Idrizi: Lirimi i Berishës një lajm i mirë, por opozitës i duhet ndryshimi
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi e quan një lajm të mirë lirimin e Sali Berishës, ku shton se opozitës i duhet ndryshimi.
”Kemi një spektër të opozitës të copëzuar dhe një spektër të PS-së të bashkuar. Këtij vendi nuk i bën mirë që të kemi një mazhorancë të madhe dhe absolute. Opozita duhet të tregojë se është një alternativë më e mirë se Edi Rama. Duhet të ketë një përgjigje për rrogat, për pensionet dhe një ekip më të mirë”, tha Idrizi.
Ai u shpreh se sot dihet se kush janë mbështetësit e PS-së, kush janë ato të PD-së, dhe kjo ka çuar në rreshtimin e shqiptarëve.
”Do të ishte mirë të kishim një qeveri tranzitore, por për këtë s’ka nevojë të bien dakort forcat politike. Në 2017-ën patëm një qeveri të dështuar teknike, një model të dështuar. Unë mendoj se kjo qeveri që është sot është më teknike se ajo që kërkon opozita, janë njerëz të zgjedhur teknikisht, por problemi është se shqiptarët zgjedhin partitë politike”, tha Idrizi.