Idrizi: Portal on-line për regjistrimin e shqiptarëve të çamërisë dhe pronave të tyre
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shoqatën Patriotike “Çamëria”. Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i PDIU-së, z.Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria” z.Abaz Hado. Ky memorandum synon avancimin e çështjes çame drejt zgjidhjes përfundimtare të saj. Kryetari i PDIU-së pas nënshkrimit të memorandumit bëri të ditur nismën e re për regjistrimin e komunitetit çam dhe pronave të tyre on-line.
“Dua t’ju bëj me dije hapat e rinj të aksionit tonë të përbashkët. Avokati i njohur me famë ndërkombëtare i çështjes çame, Kharim Kahn, na dorëzoi në Kongresin tonë planin e hapave që ne duhet të ndjekim për zgjidhjen e saj. Për këtë ne do të ngremë bashkë me Shoqatën Patritike “Çamëria”, një grup pune për të realizuar sipas një plani të përcaktuar mirë, gjithë hapat që parashikohen në të.
Ne së shpejti do të ndërtojmë një portal on-line që do të regjistrojë gjithë komunitetin çam, gjithë humbjet njerëzore, vendbanimet, humbjet matriale, në pronë, në pasuri, në depozitat bankare të gjithë shqiptarëve të Greqisë”, tha z.Shpëtim Idrizi.
Gjithashtu kryetari i PDIU-së, u shpreh se çështja çame është vendosur në kohën dhe hapësirën që meriton.
“Politika e jashtme shqiptare, falë nesh është trimëruar, është bërë më dinjitoze, më reciproke, më e barabartë. Ne do të vazhdojmë ta ndihmojnë, të ndikojmë, të kordinohemi brenda faktorit shqiptar, apo brenda kontekstit ndërkombëtar. Njëra nga arritjet më të mëdha të aksionit tonë politik që na solli në këtë marrëveshje solemne, transparente, fuqie, që po firmosim sot është se, ne kemi vendosur çështjen çame në kohën dhe hapsirën që meriton. E kemi interpretuar drejt në kohën dhe në hapsirën që duhet. Kjo marrëveshje ka brenda elementin e transparencës dhe jo të kulisave, të fuqisë dhe jo të dobësisë, të ekzistencës dhe jo të tretjes historike të një çështje që ne e quajmë, çështja që rrjedh gjak brenda trupit kombëtar shqiptar”, tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Z.Idrizi theksoi se falë sukseseve të kombëtares shqiptare të futbollit, po përmisohet imazhi i Shqipërisë.
“Në një kohë kaq të bukur për shqiptarët, ne po jetojmë një përmisim rrënjësor të imazhit tonë kombëtar, falë sukseseve të kombëtares së futbollit, lojës së saj, por edhe tifozërisë sonë kombëtare. Po e shikoni se si mediat më të njohura botërore po flasin mirë për ne. E gjithë kjo ka xhelozuar jo thjesht tifozët e zakonshëm, por edhe tifozët politikë të vendeve fqinje që nuk u kaulifikuan dot. Koha është e shqiptarëve. Ata kudo që janë, në të gjithë hapësirën ku jetojnë në Ballkan dhe në diasporë, po flasin me të njëjtin zë. Madje ata po vishen njëlloj, kuq e zi”, theksoi kreu i PDIU-së.
Nga ana e tij kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria” z.Abaz Hado, u shpreh se tashmë kjo shoqatë ka një partner politik që të luftojë për çështjen çame.
“Memorandumi që Shoqata Patriotike “Çamëria” ka nënshkruar me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet është një dokument historik. Gjatë këtyre 25 viteve Shoqata Patriotike “Çamëria” ka bërë shumë përpjekje të mëdha për të arritur në këtë ditë, që ne të kemi një partner të fuqishëm politik, që të luftojë për çështjen tonë. Kjo na bën të kemi një shoqatë dinamike, një shoqatë e cila do të evidentojë gjithshka që ka të bëjë me trevën e Çamërisë. Vlerësoj këtë akt dhe shpreh konsideratën e gjithë anëtarëve të Shoqatës Patriotike “Camëria”, u shpreh z.Abaz Hado.
KOHA JONË SONDAZH

