Igli Cara: Uroj që ky të jetë dhe buxheti i fundit i kësaj qeverie

Sot në Kuvend do te votohet nen per nen projektbuxheti i vitit 2017, qe eshte dhe buxheti i vitit elektoral. Dhe per kete arsye deputeti demokrat Igli Cara uron që të jetë dhe buxheti i fundit i kësaj qeverie.

Nga foltorja e parlamentit, Cara u shpreh se këto 3 vite të qeverisë së majte kanë qenë një mundim i madh për shqiptarët.

Fjala e deputetit demokrat
Tre vitet e qeverisjes së Ramës kanë lodhur gjithkënd në këtë vend, përvec taborrit të grabitqarëve, abuzuesve dhe nëpërmkëmbjes së shqiptarëve.
Tre vitet e qeverisjes së Ramës, nuk prodhuan asgjë të mirë për shqiptarët, nuk prodhuan më shumë punësim, më shumë mirëqënie, më shumë barazi sociale sic një e majtë duhet të prodhojë.
Tre vitet e qeverisjes së Ramës prodhuan më shumë varfëri, më shumë frikë për të ardhmem, pabarazia sociale të merr sytë e t’heq shpresën, gjithkush friksohet nga e sotmja e tmerrohet nga e ardhmja, asnjë plan, asnjë perspektivë për shqiptarët e ndërshëm, gjithkund një mendim i përbashkët të ikim a të nisim fëmijët, të paktën për ta, të jetë ndryshe.
Me Ramën, janë të lodhur të majtë e të djathtë;
të lodhur nga pamundësia, por dhe nga daullet e propogandës që papushim bien;
të lodhur nga mashtrimi dhe arroganca;
të lodhur nga imoraliteti dhe marrja peng e të gjitha të drejtave të tyre në këtë vend.
Daullet propogandistike për buxhetin, prej kohësh kanë nisur të bien, ministri propogandës e jo i financave, siç Ahmetaj duket të jetë për shumicën e shqiptarëve, në mbledhjet e komisionit të ekonomisë më shumë bën krahasime me kohën e qeverisë Berisha, se tregon çfarë ka kullandris me paratë e shqiptarëve
Paaftësia e Rilindjes në menaxhimin e financave publike është historike, e kjo jo veç prej Brisildave, Erisave, Pranverave e nuk di kush vjen e kush ikën më, se zgjedhja e tyre preferenciale le të ishte, po preferenca kur flitet për paratë e shqiptarëve nuk mund të mbështetet në kritere që më lehtë të çojnë në Portokalli se në zyrat e shtetit.
Po le të merremi pak me shifrat, se ato flasin vetë si do që të përpiqeni.
Ju kolegë socialistë pretendoni se keni rritur të ardhurat, në fakt nuk është kështu, sepse e vetmja rritje erdhi për shkak të rritjes me 50% të tatimit mbi fitimin, madje e zeza mbi të bardhë është që në asnjë vit nuk keni realizuar planin sipas parashikimit, për të mos lënë pa cekur që për mallrat me akcizë si cigarja të ardhurat janë më pak se 30% se qeveria të cilës i referoheni në çdo gjë.
Qeveria e kaluar zhdoganonte 4500 ton cigare, ndërsa ju vetëm 3000 ton.
Ndoshta ju, jeni qeveria e vetme që për 3 vjet e ca,
nuk indeksuat pagat e punonjësve të administratës publike; logjikshëm pas katrahurës së qeverisjes,
ju duhet të zbusni gjendjen e raportet me qytetarët,
sepse ata nuk mund t’i blini të gjithë me paratë e kanabisit, prandaj e për fat të qytetarëve më në fund do ketë një rritje.
Ju pretendoni se me qeverisjen tuaj ulët barrën fiskale ndaj biznesit të vogël, por në se bëni shumatoren e taksave janë 50% më të larta për të, ndërsa në bashki si Tirana apo Durrësi, sot mund të jenë dy herë më të larta se në 2013.

Paturpësisht kjo mazhorancë shprehet për suksese në shëndetësi, kur kjo është marrë peng nga Rama me duart e një ministri si Beqja që në Shqipëri po e shpallin non grata.
Paturpësia shkon aty sa konsiderojnë shumë pozitiv partneritetin publik privat në shëndetësi, apo thënë shqip koncensionet për biznesmenët e preferuar të Rilindjes si një alternativë që nuk rëndon xhepat e qytetarëve, por lehtëson shëndetin e tyre, puna shkon deri aty sa dhe z. Brace ka filluar ta mendojë kështu, e kjo Erion për ty nuk vjen nga padija.
Paratë që sot shkojnë në xhepat e koncensionarëve janë para të shqiptarëve, janë taksat e tatimet, që qeveria ka për detyrë e përgjegjësi t’ua kthejë mbrapsh, në më shumë shërbime, e mbi të gjitha në shërbime më cilësore dhe ti Erion, e di mirë që kjo nuk ndodhi në asnjë prej 334 ditëve të këtij viti.
Ju si mazhorancë keni nje problem me shpenzimet publike, duke qenë të paafatë të shpenzoni në kohën dhe masën e duhur të ardhurat e marrë nga sistemi fiskal e doganor, por jo vetëm, e duke shkaktuar një dëm jo të vogël për makinerinë e ekonomisë kombëtare.
Për këtë vit, Kuvendi ka autorizuar sektorin publik të marr 34 miliarde leke ose 300 milionë dollare borxh për shpenzime publike, ndërkohë që deri në fund të 10 mujorit, qeveria jo vetëm nuk i ka vënë në punë lekët e marra hua, por nuk ka shpenzuar dhe 13 miliarde lekë nga të ardhurat që vijnë nga taksat.
Të mbash peng qindra milionë dollarë nga paaftësia kjo është vrastare në momentin që kalon ekonomia kombëtare.
Sipas Keynes-it për dollar të pa shpenzuar në sektorin publik, dikush mbetet pa punë, e kjo në kushtet tona është e patolerueshme dhe mungesë e madhe përgjegjësie politike e përgjegjshmërie kombëtare.
Pasiviteti financiar i sektorit publik është shumë i dëmshem për ekonominë dhe punësimim. Ato para që flenë në thesar do të duhet t’i rikthehen ekonomisë sa me parë.
Të dashur qytetarë
Duke shkuar më tej në zërat e buxhetit, si deputet i Durrësit kam parë që për qarkun tonë parashikohet vetëm një investim në trasportin rrugor, një lot i Porto Romanos me një vlerë 120 ml lek.
Ndërkohë Durrësi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve të qytetit, në kanalet e ujrave të larta dhe mbrojtëse, masa mbrojtëse në zonat ku lumenjtë dalin nga shtrati, sepse dy –tre përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, e meqenëse flasim për buxhetin që i akordohet Durrësit, asnjë qindarkë nuk shkon në këtë drejtim, por asnjë qindarkë nuk shkon për një shkollë a kopësht të ri.
Rilindja urbane e Ramës i Dakos prodhon fasada, shatërvanë, rrugë me palma që shkulen e ngulen, apo rrugë që bëhet e çbëhet tre herë si ajo e plazhit, duke ngrënë 16 ml dollarë, por më e rënda se abuzimi me paratë, është shurdhëria dhe memeceria e deputetëve të majtë të Durrësit.
A nuk do ishte më e udhës që fondet publike të shkonin:
për një impjant që t’i jepet fund djegies së plehrave në Porto Romano,
të ndërtoheshin rreth 1000 apartamente për të pastrehët;
të investohej në kanalizime apo të behej rikonstruksioni i shkollave, kopshtëve dhe çerdheve e të ngrihej sistemi ngrohjes në to; e shumë të tjera si këto në ndihmë e në shërbim të qytetarit e qytetit.
Në mbyllje të fjalës time, do I përcjell qeverisë, juve kolegë të së majtës bisedën më një punonjës të hershëm të administratës publike, ka punuar me Nanon, Berishën dhe Ramën.
Më tha, votova për të majtën në 2013 megjithëse kisha punuar 8 vjet me qeverinë Berisha, duke menduar që duhej ndryshimi, por sot nuk ja fal vetes, se kjo, nuk është qeveri, po bandë që grabit në mes të ditës dhe nuk ka asnjë ndryshim nga ata që grabisin bankat e makinat në aeroport.
Ju faleminderit

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?