Ikja dhe shpopullimi i Shqipërisë i shërben diktatorit
Dhuna e policisë tregon shkallën e degradimit, politizimit dhe militantizmit politik të saj në kurriz të policisë të ndershme. “Rilindasit” në 7 vite mashtruan SHBA dhe BE me zgjedhjet moniste, bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, emërimet klanore, VKM-të korruptive, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Shqipëria do të shpëtojë vetëm duke larguar kryeministrin Rama.
Prof. Dr. Lush Susaj, deklaron se “përveç protestës dhe revoltës mbarëpopullore, nuk shoh asnjë mundësi tjetër për të rikthyer legjitimitetin dhe gjithpërfshirjen në administratë dhe institucione, për të rikthyer punësimin dhe jetesën normale të rinisë në Shqipëri“.
Prof. Dr. Susaj, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, shprehet se dhuna e policisë ndaj protestuesve, tregon shkallën e degradimit të policisë për shkak të politizimit dhe militantizmit, ndërkohë, që largimi i Lleshajt nuk e zgjidh problemin. Prof. Susaj pohon se “Rilindasit” në 7 vite qeverisje mashtruan shqiptarët dhe gënjyen edhe SHBA dhe BE-në për pseudoreformat, ndërkohë që investimet përfunduan në xhepat e korrupsionit. Në këto kohë, thotë Prof. Susaj, dhunuesve të lirisë, u duhet dhuna, djegiet, plaçiktjet dhe përplasjet civile në rrugë. Prof. Susaj thekson se bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë nga kryeministri Rama vetëm për të shpërtuar nga ndëshkimi i krimit zgjedhor, zgjedhjeve moniste të 30 qershorit 2019 dhe për t’i hapur rrugë antikushtetueshmërisë së VKM-ve, ndërkohë që shpopullimi i Shqipërisë, u shërben dikaturave dhe diktatorëve. Prof, Susaj, përfundon intervistën për “Telegraf” duke thënë, se për sa kohë në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje të lira, qarkullim elitash politike, do të thellohet varfëria e shqiptarëve.
Prof. Susaj, çfarë shpreh kjo revoltë e të rinjve të mbarë Shqipërisë?
Revolta e rinisë shqiptare shpreh dhe zbulon atë që është gatuar dhe akumuluar nga një qeverisje e ligë, e korruptuar, pa moral, pa nder dhe pa asnjë fije njërëzillëku e kombëtarizmi. Është koha për të qëndruar të fortë e për folur troç mbi realitetin e zymtë në të cilin është gremisur shoqëria dhe rinia në veçanti. Rinia shqiptare është ngritur në protestë sepse i ka shkuar thika në palcë, i është mohuar çdo e drejtë, është mohuar siguria për jetën, punën, mirëqënien, shkollimin cilësor, drejtësinë e pavarur e deri dhe ajri i pastër në shtetin dhe vendin e tyre. Përveç protestës dhe revoltës mbarëpopullore, nuk shoh asnjë mundësi tjetër për të rikthyer legjitimitetin dhe gjithpërfshirjen në administratë dhe institucione, për të rikthyer punësimin dhe jetesën normale të rinisë në Shqipëri. Rinia është natyra që natyron e ndriçon të gjithë jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të një vendi. Si e tillë, rinia nuk mund të mbahet me propagandë e mashtrime, as me fiktivitet dhe padrejtësi, as me dhunë dhe kërcënime, as me varfëri dhe izolim. Kjo situatë e rëndë ka ardhur nga demontimi i strukturave dhe institucioneve të shtetit demokratik dhe ngjitja e korrupsionit, hajdutërisë, injorancës dhe nepotizmit në sistem. Në këtë mënyrë, projektet dhe investimet, mbeten pa u shndërruar kurrë në punësim as në mirëqënie. Në këto kushte, shoqëria është varfëruar, përçarë dhe polarizuar si asnjëherë. Administrata është debilizuar dhe mbushur me krushqi, me militantë dhe me shefa debilë që mënjanojnë, dhunojnë dhe largojnë elitën e mirëfilltë. Shkolla dhe universitetet pothuajëse janë mbytur nga politizimi, nepotizmi, fiktiviteti dhe mediokriteti i programeve dhe kurikulave që nuk përputhen fare me nevojat dhe tregjet e punës dhe dijes.
A është e rastësishme protesta?
Kjo protestë nuk është e rastësishme, nuk është as e para dhe as e fundit përpjekje e rinisë për të ndalur katastrofën e mëtejshme ekonomike e shoqërore. Janë përpjekjet heroike të rinisë dhe të popullit shqiptar të vjedhur e të mashtruar, për ta shpëtuar Shqipërinë, sa herë që politika e korruptuar e antishqiptare e shtyn vendin drejt konfliktit civil, anarkisë dhe shpërbërjes. Mllefi dhe urrejtja e rinisë ndaj qeverisjeve, të papunësisë, korrupsionit, varfërisë, vjedhjes, dhunës, pasigurisë dhe vuajtjeve në kampet e azilit, ka ekzistuar edhe më parë, dhe në vend që të reduktohej, në këto 7 vite vetëm sa është rritur edhe më shumë. Pas vitit 2013, qeverisja e “Rilindjes”, në vend që të punonte për rritjen e ligjshmërisë dhe për shërimin e plagëve të keq qeverisjeve të mëparshme, bëri të kundërtën. I hapi rrugën korrupsionit dhe keq qeverisjes autokratike e klanore, duke goditur dhe shkatërruar çdo mundësi punësimi, jetese dhe reformimi të shtetit dhe të ekonomisë. Për këtë arsye, rinia shqiptare është ngritur në një protestë që është edhe mundësia dhe rruga e vetme për të shkëputur sa më parë kontratën me këtë qeverisje të kurrupsionit dhe të përçarjes kombëtare, e për të rikthyer në vend ligjshmërinë, unitetin dhe legjitimitetin e institucioneve dhe të administratës së shtetit.
Mendoni se protesta ka motive politike?
Të gjitha protestat e rinisë janë politike dhe progresiste, kjo për faktin se idealet e rinisë e tejkalojnë kohën dhe guackën e një kontrate apo marrëveshje qeverisje me një lider, apo me një parti që dikur ka fituar zgjedhjet. Pjekuria politike e një populli, sidomos e klasës së tij politike dhe intelektuale, duket në faktin se sa janë të aftë për t’i lexuar dhe kuptuar në kohë idealet dhe vizionin e rinisë së vendit të tyre. Nga të kuptuarit në kohë, hapet rruga e komunikimit dhe prishjes paqësore të kontratës së qeverisjes së korruptuar e të dështuar, duke e pamundësuar kështu konfliktin civil të cilin e kërkojnë dhe e stimulojnë vetëm qeveritarët e lartë dhe të gjithë ata që kanë dhunuar, vjedhur, mashtruar dhe tradhëtuar besimin e publikut. Rinia dhe populli nuk e duan dhe nuk janë ata që ushtrojnë dhunë, përkundrazi është dhuna e gjithanshme që i nxjerr ata në protestë dhe në revoltë. Rinia dhe populli nuk e shkatërrojnë kurrë pronën, as shtetin e mundit dhe të gjakut të tyre. Përkundrazi, tolerojnë dhe durojnë aq shumë, vetëm e vetëm për të mënjanuar konfliktin dhe anarkinë që nxitet nga të korruptuarit. Dhunën dhe konfliktin civil e ushqejnë vetëm dhunuesit dhe të gjithë shtetarët dhe politikanët që kanë vjedhur, mashtruar e dhunuar. Parë në këtë këndvështrim, protestat e rinisë vetëm e shëndoshin dhe e prosperojnë shoqërinë dhe institucionet politike të një vendi. Për këtë arsye, dhuna ndaj protestave është regresive, e dëmshme, e dështuar dhe e papranueshme. Protestat duhen lexuar dhe duhen mbështetur dhe orientuar drejt komunikimit dhe zgjidhjeve demokratike e gjithpërfshirëse.
Pse Policia e Shtetit ushtron kaq dhunë kundër protestuesve? Rastësi është edhe arrestimi i gazetarëve, të cilët kanë kryer “krimin” e përcjelljes së LAJMIT LIVE? Përgjegjësia rëndon vetëm mbi drejtuesit e Policisë?
Dhuna e policisë mbi protestuesit është sjellja më e dëmshme dhe më e shëmtuar, sepse dhuna e largon dialogun dhe nxit kundërpërgjigjen e rinisë dhe popullit të dhunuar me një dhunë mbi 10 herë më të lartë se dhuna e policisë. Dhuna e policisë nxit irritimin, vandalizmin, kriminalitetin dhe nxirjen e imazhit të sigurisë dhe unitetit të një vendi. Dhuna e policisë nuk buron nga zbatimi i ligjit, përkundrazi tregon shkallën e degradimit të policisë për shkak të politizimit dhe militantizmit politik të policisë, në kurriz të oficerëve dhe policëve me karrierë dhe përvojë, të cilët u pushuan nga puna ose u lanë në hije nga pseudoreforma e filluar dhe katranosur nga Saimir Tahiri e më pas nga Fatmir Xhafa. Dhuna ka për bazë edhe atë traditën dhe trashëgiminë e urryer të komunizmit, traditë e rikthyer përmes ish spiunëve dhe ish zyrtarëve të lartë të diktaturës që u katapultuan në trupën e policisë, përfshirë këtu edhe emërimin e ish- sigurimsit Fatmir Xhafa në krye të rendit, një absurditet që nuk shërbeu për asgjë të mirë. Dhuna është shfaqja më e shëmtuar e kriminalizimit dhe keqpërdorimit politik të policisë. Rinia e di shumë mirë se kush e ka shpërndarë farën dhe fidanët e bimëve narkotike. Rinia e di se kush e prodhon dhe si e transportojnë dhe trafikojnë drogën me dijeninë dhe me ndihmën e segmenteve të kriminalizuara të policisë. Rinia e di shumë mirë se kush e monitoron kultivimin dhe shpërndarjen e drogës nëpër fshatra dhe qytete, kush i mbron shpërndarësit dhe përfituesit, sikurse njihen edhe viktimat që toksikohen dhe ata që dërgohen nëpër burgje për 2 apo 3 cigare kanabis. Dhuna ndaj gazetarëve tregon për një nivel të lartë të degradimit të policisë, nivel që arrin vetëm në ato raste kur korrupsioni, kriminalizimi dhe inkopetenca kanë arritur deri në majat më të larta të drejtimit politik dhe profesional të institucionit. Për këtë arsye, rinia, me të drejtë po kërkon ndryshime politike, e bindur që inspiruesit dhe përfituesit e dhunës, janë ata që qëndrojnë përtej policit që godet me plumb, me korrupsion apo me shkop gome.
Kryeministri Rama deklaroi se ligji do dënojë të gjithë protestuesit që ushtrojnë dhunë kundër institucioneve, por Rama është frymëzuesi i protestave të dhunshme të 21 janarit 2011, (vrasjet e 4 protestuesve nuk justifikojnë dhunën që protestuesit ushtruan ndaj institucioneve dhe pronës private). Ku ndryshon, sipas logjikës së kryeministrit Rama dhuna e protestuesve të 21 janarit 2011 dhe e protestave të tanishme?
Nga njëra anë e urrej dhe e dënoj me gjithë forcën e shpirtit e të mendjes dhunën e protestuesve, por e dënoj shumë më tepër dhunën e uniformës shtetërore ndaj protestuesve dhe popullit që kërkon të drejtën e tij – mbylljen e kontratës së vjetër të qeverisjes dhe një zgjidhje të re politike. Ndërsa midis protestave studentore, protestave të sotme të rinisë dhe protestës së 21 Janarit, ka ndryshime të thella dhe është gabim që po keqpërdoret për të bërë analogji, me synimin e lig, për të legjitimuar dhunën, vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimin politik që i është bërë institucioneve dhe policisë në veçanti. Në kontratën e qeverisjes së vitit 2013, në asnjë pikë nuk është shkruar, as thënë që PS e Shqipërisë, do ta sjellë vendin dhe shoqërinë në nivelin e konfliktit dhe krimit të 21 Janarit, përkundrazi është premtuar për reforma strukturore, luftë ndaj korrupsionit dhe rritjen e mirëqënies. Ama nuk duhet të harrojmë kurrë që me 21 Janar 2011, nga gryka e armëve të uniformave të shtetit janë vrarë 4 protestues të pafajshëm. Gabimi nuk duhet të përsëritet më kurrë, institucionet e shtetit tonë nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë si ato kalatë e mesjetës. Në ato ditë, një miku im më thoshte me të qeshur se si një politikan liberator e largëpamës, për protestuesit e mashtruar e të varfër të sjellë nga Shkodra, Tepelena, Puka, Kuqi apo Dukagjini, do të kishte bërë mirë po të kishte porositur 300-400 byrekë e t’ua linte protestuesve në katin e dytë të kryeministrisë. Në këtë mënyrë, me 21 Janar, qytetarët do të hynin pa dhunë në atë godinë. Të uriturit do të mund të hanin edhe ndonjë byrek dhe 4 protestuesit e pafajshëm do të ishin sot të gjallë e shëndoshë e mirë. Përtej shakave urbane, kurrë nuk mund të gjendet ndonjë arsye që të mund të justifikojë vdekjen e tyre. Në këto 30 vite, rinia shiptare ka thirrur e vazhdon të thërrasë “e duam Shqipërinë si Europa”, nuk e kërkoi askush që të bëhet Shqipëria si Azia e Mesjetës. Historia e 21 Janarit, si dhe historia e korrupsionit dhe shkatërrimit të pashembullt të shtetit nga “Rilindja” e këtyre 7 viteve, janë historia më turpëruese dhe më antishqiptare. Të tilla histori duhet të mos përseriten më kurrë.
Dorëheqja e detyruar e ministrit Lleshaj erdhi pas gjakut të 25- vjeçarit. Mos vallë, çdo dorëheqje e ministrave të kësaj qeverie, të akuzuar për korrupsion, krime elektorale, duhet të vijë me gjak të shqiptarëve?
Së pari, vrasja e 25 -vjeçarit të pafajshëm, duket që e justifikoi dorëheqjen e parevokueshme dhe në njëfarë mënyre e shpëtoi gjeneral Sandër Lleshajn nga përdorimi, nga stresi dhe nga diskreditimi i mëtejshëm. Unë kështu e lexova fytyrën dhe fjalën e tij në daljen publike, ku ndër të tjera tha edhe tre të vërteta të mëdha. Sandër Lleshaj i tha publikut që: “nuk kam shkuar kurrë mirë me kryeministrin”; “nuk kam emëruar e zgjedhur as edhe këshilltarët, si dhe nuk kam bërë emërime të shefave e drejtorëve, etj”. Kështu la të kuptohej se tek kanabizimi, trafiqet, politizimi i strukturës, largimi i profesionistëve, etj, kanë punuar dhe vazhdojnë që të punojnë të tjerë njerëz me mbështetje dhe suport të lartë politik. Që do të thotë se Lleshajn nuk e ka pyetur askush për përsonelin, as për profesionalizmin, as për arsimimin dhe trajnimin e trupës, etj. Lleshaj duket që ka qëndruar aty thjesht si figurant dhe fasadë e një deformimi të njohur përgjatë gjithë historisë 108 -vjeçare të shtetit të pavarur shqiptar. Për këtë arsye, largimi i tij nuk zgjidh asgjë, nuk i shërben publikut, as sigurisë së jetës dhe as rinisë që proteston. Përkundrazi, është një veprim që i shërben njëshave që shkatërruan shtetin dhe ekonominë.
Së dyti, situata e rëndë në strukturat e Policisë së Shtetit, nuk mund të zgjidhet, duke përdorur Sandrin për “Kokë Turku”, përkundrazi vetëm sa përkeqësohet. Për publikun është e qartë se zyrtarët dhe strukturat që kanë drejtuar dhe heshtur për kanabizimin, trafiqet dhe korrupsionin ekonomik dhe elektoral në Dibër, Durrës, etj, vazhdojnë të jenë aty brenda institucionit dhe se janë në pritje të goditjes dhe shpërblimit politik së radhës. Për këtë arsye, rinia nuk e ka besuar kurrë dhe nuk mund ta besojë as lojën e kokave politike në tepsinë e ‘rilindasve’ dhe as atë të kokave politike të sëndukut të Gërdecit, të 21 Janarit, etj. Rinia kërkon vetëm drejtësi dhe reforma që të synojnë dhe sigurojnë dekomunistizimin, dekriminalizimin dhe depolitizimin e policisë dhe të gjitha institucioneve të tjera të shtetit. Puna e lënë përgjysmë në vitin 1990, duhet përmbyllur sa më parë, është punë që nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të lihet për më vonë. Rinia e ndezi dritën e shpresës së ndryshimit, çdo shqiptar duhet të mbështesë ëndrrën dhe idealet e bukura të rinisë shqiptare.
Prof. Susaj, nga 3-4 vende të BE-së që ishin skeptike ndaj hapjes së negociatave të Shqipërisë në 2019, pardje ishin 10 vende të BE-së, ndërsa Rezoluta e KiE ishte e prerë: Shqipëria të plotësojë të gjitha parakushtet e BE-së. Si duhet ta kuptojnë shqiptarët këtë mesazh?
Sjellja politike me integrimin Euro Atlantik të vendit, ka qenë dhe vazhdon që të jetë hipokrite dhe shumë e gabuar. Qeverisjet e korruptuara e përçarëse të këtyre 30 viteve, nuk e kanë dashur kurrë integrimin. Ndërsa sundimtarët e këtyre 7 viteve të “Rilindjes”, janë edhe më të avancuar sepse janë bërë mjeshtra në dezinformim, në propagandë dhe në korruptim. Në këtë mënyrë, për 7 vite me radhë, përveç popullit të tyre, arritën që të mashtrojnë ditën për diell edhe BE dhe SHBA, nga ku morën projekte dhe investime, të cilat rezultojnë të jenë me produkt zero. Në këtë mënyrë, në pjesën më të madhe, investimet në kanale, në rrugë, në bujqësi, në industrinë përpunuese, në mjedis, në shëndetësi, në arsim, etj, avulluan dhe përfunduan në tendera, në dosje fiktive dhe para në xhepat e korrupsionit. Kështu rrezikohet të përfundojë edhe projekti i drejtësisë, për të cilin duket që po kërcet kerkesa e llogarisë për produktin. Është një alibi e tmerrshme që i ka shërbyer propagandës 5 vjeçare, e ku sot duket që nuk ka lëvizur asgjë për mirë. Kjo për faktin që Shqipëria është akoma pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me përkeqësim dhe kapacitete të reduktuara në gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë. Në asnjë takim botëror për ekonominë, drejtuesit e vendit tonë, nuk kanë paraqitur projekte për financimet ndërkombëtare. Ndërsa vendet e rajonit shkojnë të përgatitura mirë dhe i ndërtojnë rrugët dhe autostradat e tyre me projektet e financuara dhe të mbikëqyra nga BE dhe SHBA. Kjo bëhet për shkak se, duke i tenderuar rrugët vetë, duke përdorur preventiva të fryrë dhe stafe të mbyllura nepotike, vjedhja e investimeve në rrugë dhe në autostrada është shumë e lehtë, shumë e madhe dhe pa asnjë rrezik. Investimet e parave të buxhetit të shtetit në rrugë dhe autostrada, mungesa e investimeve të BE-së dhe SHBA-së në ekonomi, etj, e kanë rritur në mënyrë të frikshme varfërinë, papunësinë, pasigurinë dhe korrupsionin. Mos hapja e negociatave ka patur dhe vazhdon të ketë për bazë sjelljen hajdutërore dhe antishqiptare të politikanëve, si dhe mungesën e bashkimit dhe të reagimit të vendosur qytetar kundër korrupsionit, hajdutërisë, krimit të organizuar, krimit elektoral, narkotrafikut, si dhe bullizmit dhe shkeljes së të drejtave themelore të fëmijëve, të invalidëve, të minoriteteve, të pronarëve, etj.
Është rastësi që Shqipëria ndodhet 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, (faktikisht pa rend Kushtetues) ndryshimet kushtetuese bëhen pa konsensus politik, (pa referendume popullore) parlamenti nuk ka opozitën, (kjo tani ndodh vetëm në Korenë e Veriut) gjithë pushteti vendor është në dorën e një partie politike?
Nuk është aspak rastësi, përkundrazi, këtë dukuri kryeministri ynë e ka paralamëruar që në fillim me ato shprehjet e famshme mbi ‘timonin dhe tepsinë’ që i kërkonte vetëm për vete, kërkoi dhe realizoi një pushtet absolut e shumë të dëmshëm për vendin dhe shoqërinë. Mungesa e produktit të reformës në drejtësi nuk mund të pranohet as gëlltitet lehtë nga partnerët që e kanë hartuar dhe financuar këtë projekt. Duket që po vjen dita për të dhënë llogari për paratë e shpërdoruara dhe për gjithë demagogjinë me institucionet bosh e aspak funksionale. Në këto momente, shpërdoruesve dhe dhunuesve të lirisë dhe të drejtave të rinisë, më shumë se asgjë tjetër ju duhet dhuna, djegiet, plaçkitjet dhe përplasjet civile në rrugë. Rinia dhe shqiptarët e mashtruar e të vjedhur nuk duhet t’ua japin kurrë këtë mundësi. Shpresoj që çdo provokim i pushtetit të krimit dhe korrupsionit do të mund të dështojë me turp përballë reagimit mbarëpopullorë. Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë dhe po bëhet vetëm për të shpëtuar nga ndëshkimi dhe për të patur rrugë të hapur në antikushtetueshmërinë e VKM-ve korruptive, të emërimëve klanore, të mosndëshkimit të krerëve të krimit elektoral, të alibisë me zgjedhjet moniste të 30 Qershorit, etj. Kjo është edhe koha që do të provojë që BE dhe SHBA nuk do ta gëlltisin, as tolerojnë hipokrizinë, as gënjeshtrat për mungesën e fillimit të funksionimit të sistemit të ri të drejtësisë. Nuk mund të justifikohet, as tolerohet, mungesa e mëtejshme e ndëshkimit të korrupsionit politik e shtetëror, as mungesa e ndëshkimit të dhunuesve të kushtetutës dhe zgjedhjeve parlamentare, as mungesa e ndëshkimit të dhunuesve të investitorëve dhe pronave të tyre, as mungesa e ndëshkimit të nxitësve të dhunës dhe bullizmit, etj. Reforma në drejtësi nuk mund të lahet me koka turku, as me koka tepsie dhe as me nxitjen e dhunës dhe konfliktit civil, të papranueshme për rininë dhe popullin shqiptar.
Pse Shqipëria shpopullohet kaq masivisht, më shumë edhe se në vitet e para të 1990-s?
Realisht po ndodh një dëbim i ngadaltë dhe selektiv i shqiptarëve, dëbim që ka marrë përmasa të frikshme në vitet 2017 e në vazhdim. Rinia dhe fëmijët e mitur të Shqipërisë kanë mbushur azilet, si dhe rrugët e Europës dhe të vendeve të tjera, përfshirë këtu edhe të vendeve fqinjë sikurse janë Mali i ZI, Greqia dhe Turqia. Edhe atje, pjesa më e madhe e tyre janë pa punë ose po merren me punë të paligjshme, me kriminalitet dhe shpërndarje të drogës. Nuk bëhët fjalë fare për edukimin e tyre shoqëror dhe profesional. Ikja e tyre e ka për bazë pushimet nga puna, korrupsionin dhe mungesën totale të politikave të punësimit, përkrahjes sociale dhe rritjes së mirëqenies. Ikja e tyre ka goditur konsumin, tregun e punës dhe ecurinë e shkollës dhe të universiteteve. Ikja e tyre ka sjellë ndryshime dramatike në demografi. Kjo për shkak se në Shqipëri kanë mbetur pleqtë, pjesa më e madhe e të cilëve e kujtojnë dhe e duan akoma Enver Hoxhën dhe diktaturën obskurantiste që ai pati ndërtuar. Këta janë edhe votuesit më të bindur dhe mbështetësit më të sigurtë të autokratëve dhe gjithë atyre që ngjasojnë me Enverin dhe modelin e sundimit monist. Kësaj kategorie i shtohen edhe abuzuesit dhe dallkaukët, ata që janë ish spiunë dhe ish drejtues të lartë të strukturave të Partisë së Punës, të cilët arritën që të kapin dhe të paralizojnë e të turpërojnë që të gjitha institucionet tona politike e shtetërore të këtyre 30 viteve, nga ku kanë grumbulluar prona dhe kapitale shumë të mëdha. Për të gjithë këtë kategori, rinia shqiptare është pengesë e madhe dhe si e tillë duhet varfëruar, duhet lënë pa punë, pa shkollë, pa shërbim shëndetësor, pa policinë që meriton dhe duhet dëbuar në rrugët e botës. Në këtë mënyrë, edhe pas dëbimit, pronat e tyre janë pre e vjedhjes dhe abuzimit, madje edhe kur të dëbuarit-emigrantët vijnë në Shqipëri për të hequr mallin, patjetër që duhet të vidhen e të shantazhohën përmes strukturave të shtetit nepotik e të korruptuar. Po sjell një shembull nga jeta e një djali që para pak ditësh arriti në Rinas në orën 01 të natës. Mori një makinë me qera dhe në Qafë të Kasharit, postoblloku i policisë i bëri presion me lejën e lëvizjes, përmes e-albania, djali e pagoi 10 Euro. Përsëri e ndaluan tek ish dogana, ku për të njëjtën arsye pagoi ryshfet edhe 10 Euro. Po në atë rrugë e ndaloi edhe postoblloku tek dera e Spitalit Ushtarak, ku pagoi edhe 10 Euro të tjera. Kjo është policia dhe shteti që kemi e që duhet ndryshuar me çdo mënyrë ë vendi të integrohet në BE dhe rinia shqiptare të mund të jetojë dhe ndërtojë vendin e saj, Shqipërinë. Ikja dhe shpopullimi i Shqipërisë u shërben diktaturave dhe diktatorëve, strukturave të krimit politik dhe ordiner dhe orekseve të qarqeve dhe politikave antishqiptare.
Prof. Susaj, a ka bërë përparime Arsimi Shqiptar në këto 7 vite të ‘Rilindjes’ Socialiste me Reformën e madhe të Arsimit?
Në këto 7 vite, sidomos pas vitit 2015, shkolla dhe universitetet shqiptare kanë pësuar goditjen më të madhe në infrastrukturë, në ligjshmëri, në stafet mësimore, dhe më e rënda janë degraduar kurikulat dhe programet mësimore, të cilat nuk janë aspak në përputhje me nevojat e tregut dhe shoqërisë. Në këto 7 vite, pavarësisht nga demagogjia, i gjithë sistemi i drejtimit, vendimmarrjes dhe strukturave në shkolla dhe universitete është degraduar dhe centralizuar në një grusht drejtuesish apo të përkdhelurish të politikës. Në këtë mënyrë, kolegjialiteti, debati, diskutimet dhe zgjedhjet e lira nuk ekzistojnë më fare. Tenderat dhe emërimet, pavarësisht nga kopsitja e dosjeve, që të gjitha janë konspirative dhe në dorë të lidhjeve dhe udhëzimeve të shokëve të partisë nga lart. Politika ka përqëndruar të gjithë ekspertizën dhe oponencën në dorë të militantëve të saj, duke i bërë kështu investimet, ekonominë dhe politikat e zhvillimit të vdekura, të abuzueshme, të verbëra dhe pa asnjë efektivitet. E keqja më e madhe ka ndodhur me programet, me kurikulat dhe me tekstet mësimore, të cilat nuk përgatitën më nga profesinistët dhe si të tilla nuk shërbejnë më për përgatitjen e mirë qytetare dhe profesionale të nxënësve dhe studentëve. Në këto 7 vite, mbi njerëzit e ditur dhe institucionet, janë instaluar kakistokratët dhe larvat politike të partisë, të cilët kanë menduar e punuar vetëm për vjedhjen dhe korrupsionin për interesat e tyre dhe të shefave të strukturës nepotike e hajdutërore. Mësuesit dhe profesorët e ditur e me integritet nuk kanë qenë kurrë më të nëpërkëmbur e më të mënjanuar, për pasojë edhe nxënësit dhe studentët nuk kanë qenë kurrë më të vjedhur, të abuzuar e të mashtruar. Kjo situatë e ndezi protestën studentore të vitit 2018, ishte një protestë që u sabotua dhe u mashtrua, por që nuk mund të shuhet kurrë pa arritur në demokratizimin e shkollës dhe universiteteve, nga ku buron trajtimi dinjitoz i nxënësve, studentëve dhe personelit mësimor. Politizimi, korrupsioni, nepotizmi dhe përçarja, duket që po e shkatërrojnë çdo ditë sistemin tonë arsimor.
Shqipëria, sot: vendi më i prapambetur në Europë, numri i azilkërkuesve shqiptarë, më i madh edhe nga refugjatët sirianë, edhe pas 30 viteve, kemi mbetur jashtë Bashkimit Europian. 70 % e të rinjve shprehin dëshirën të emigrojnë përgjithmonë nga Shqipëria. A ka shpresë se Shqipëria do të bëhet?
Shpresa e vetme ka mbetur reagimi e të gjithëve dhe sa më parë në emër të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor. Shqipëria është me fat për rininë e saj të mrekullueshme, e cila duhet mbështetur në protestën për idealet dhe aspiratat e saj, që si gjithmonë janë të paimagjinueshme dhe të patolerueshme për strukturat e korrupsionit, nepotizmit dhe politikës së vjetër konfliktuale. Rinia e bashkuar e ka forcën e ndryshimeve për ta bërë Shipërinë të banueshme për banorët e saj dhe destinacion për turizmin dhe investimet e huaja. Përsa kohë që në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe qarkullim të mirfilltë të elitave, përsa kohë që duartrokasim dhe tolerojmë diktatorë dhe diktatura orientale, përsa kohë që heshtim përballë karabushëzimit dhe kriminalizimit të shtetit dhe institucioneve, do të vazhdojë edhe varfëria dhe degradimi i ngadaltë i strukturave tona demografike, shoqërore, shtetërore e politike. Kjo situatë kënetore, me varfëri, konflikt, pasiguri dhe humbje të shpreses i shërben vetëm korrupsionit, shpopullimit dhe nxirjes së mëtejshme të imazhit të Shipërisë dhe shqiptarëve në rajon dhe botë. Rinia është ngritur për të shpëtuar Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët. Është koha për t’u bashkuar me rininë tonë të mrekullueshme, në shërbim të idealeve të larta dhe çështjes sonë kombëtare.
Faleminderit!