Ikonat shqiptare udhëtojnë drejt Francës, Ministri Gonxhe: Muzeu me koleksionin më të madh në botë, thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare
Një ekspozitë unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, në Francë, ku mbi 45 vepra ikonografike të përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
“Ikonat shqiptare udhëtojnë drejt Francës!
Një ekspozitë unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, Francë, ku mbi 45 vepra ikonografike të përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar.
Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor 2026 në qytetin historik të Chambéry, për t’u zhvendosur më pas në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.
Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.
Një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore”, shprehet ministri.

KOHA JONË SONDAZH

