Ilir Meta, fjala e fundit në LSI si kryetar
Nga Ilir Meta*
Jam shumë i emocionuar, sepse vërtetë rrethanat janë të tilla. Kjo gjendje shpirtërore është pak e vështirë për arsye se kam kërkuar të iki nga Kryeministër, më mbanin që të mos jepja dorëheqje dhe pastaj ika me vrap te Rexhep Mejdani, e dorëzova dorëheqjen dhe thashë që nuk kthehem më këtu. Kam ikur me shumë qejf nga Zëvendëskryeministër, nga çdo funksion pushteti, por e kam shumë të vështirë për këtë tranzicionin tim nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Dhe vërtetë e kam shumë të vështirë, sepse është një gjë mjaft njerëzore, mjaft shpirtërore, ka qenë një sakrificë e paimagjinueshme dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë ju. Që nga ata që i janë bashkuar idesë dhe projektit për LSI-në, si Petrit Vasili me Erisa Xhixhon, e cila atëherë ishte 17 vjeç, që nga fillimi dhe për shumë e shumë të tjerë, të cilët u bashkuan dhe që e kanë bërë LSI-në një forcë të madhe për stabilitetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Një shpresë ku të rinjtë e të rejat e gjejnë veten si askund tjetër.
Kam dëgjuar mjaft shqetësime gjatë kësaj kohe dhe nga anëtarë, simpatizantë, apo nga drejtuesit tanë se çfarë do të bëhet me LSI-në. Unë në këtë drejtim jam i qetë, sepse e di që kjo forcë politike që është ndeshur me beteja të paimagjinueshme që në fillimet e saj, ka kaluar prova që do të kishin asgjësuar edhe forcat më të mëdha politike.
Ndaj sot kur është më e fortë se kurrë, kur ka një lidership të sprovuar në vështirësi të jashtëzakonshme, unë jam i bindur se do të ketë një rritje të jashtëzakonshme. Në radhë të parë në interes të stabilitetit të vendit, të demokracisë së vendit, sepse stabiliteti pa demokraci nuk u shërben qytetarëve, dhe natyrisht edhe në shërbim të mirëqeverisjes së vendit për t’u ofruar vërtetë të gjithë qytetarëve shqiptarë një shans më të mirë dhe në mënyrë të veçantë të rinjve dhe të rejave të vendit tonë.
LSI-ja nuk është krijuar si parti pushteti për të gjithë ata që e harrojnë historinë e LSI-së. LSI-ja është krijuar si reaksion kundër pushtetit arrogant, autoritar dhe abuziv. LSI-ja vetëm në pak muaj në një betejë çnjerëzore kundër saj mori 120 mijë vota me mjaft sakrifica, pa numërues, pa komisioner, pa asnjë gjë.
Dhe do të kishte marrë mbi 14 mandate, që do të kishin bërë një histori ndryshe të Shqipërisë në rast se për fat të keq dy partitë kryesore nuk do të kishin bërë “superDushkun” e turpshëm, që u bë vetëm për të zhvlerësuar votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke dëmtuar edhe standardet e zgjedhjeve.
Vazhdojmë më tej, u ndryshua edhe Kushtetuta vetëm për të asgjësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mirëpo ja që LSI-ja jo vetëm që nuk u asgjësua, edhe pse u dëmtua shumë, arriti jo vetëm të qëndrojë, por të kthehet përsëri në faktor stabiliteti për vendin, në faktor të rëndësishëm për integrimin evropian të vendit, në faktor mjaft të rëndësishëm, që shqiptarët të fitonin liberalizimin e vizave dhe mjaft sfida të tjera. Dhe LSI-ja ka njohur rritje në çdo zgjedhje, për arsye se është orientuar gjithmonë nga e ardhmja e vendit, nga interesi i vendit dhe natyrisht sepse që ditën e parë ka investuar për të rinjtë dhe për të rejat e Shqipërisë duke krijuar një organizatë model sot, jo në Shqipëri e në rajon, por në të gjithë botën që është Lëvizja Rinore për Integrim.
Dhe për të cilën unë jam jashtëzakonisht krenar. Për shkak të këtij dimensioni që ka LRI-ja, për shkak të mbresave të jashtëzakonshme, që ajo ka krijuar jo vetëm brenda vendit, por edhe te miqtë dhe partnerët e saj ndërkombëtar edhe përmes organizimeve rinore të Jalës, për herë të parë Internacionalja e Rinisë Socialiste Botërore organizon festivalin e saj botëror në Jalë, në muajin korrik të këtij viti ku 2 mijë të rinj dhe të reja nga e gjithë bota do të marrin pjesë në këtë eveniment, që do të jetë një promovim i jashtëzakonshëm në të gjithë botën për Jalën, për Shqipërinë, dhe për potencialet tona për zhvillimin e turizmit.
E përmenda LRI-në, sepse nuk ka qenë rastësi që në vëmendjen kryesore e kemi patur gjithmonë tek LRI-ja për ta parë LRI-në gjithmonë si një mundësi për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, jo thjeshtë si një organizëm partiak. Dhe ne jemi shumë të lumtur për dimensionet që ajo ka marrë sot në të gjithë vendin sepse ne duam që të rinjtë të flasin vetë për problemet e tyre, t’i zgjidhin vetë, t’i vendosin vetë, ndaj i kemi dhënë një prioritet të jashtëzakonshëm. Jo vetëm në këshillat bashkiak gjatë zgjedhjeve të fundit, por edhe në listat e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme, sidomos lista e Tiranës, por edhe të shumë qarqeve të tjera.
Sepse ne duam që të rinjtë luftojnë për vendin e tyre, për më shumë demokraci, për më shumë mundësi dhe shanse dhe jo ta braktisin atë. Sepse një vend pa të rinj është një vend pa të ardhme.
Ndaj orientimi i LSI-së drejt të ardhmes gjithmonë dhe në funksion të të rinjve dhe të rejave është garancia më e jashtëzakonshme që ju në këto zgjedhje edhe me kryetar Petrit Vasilin do të arrini një sukses të pamenduar.
Le t’i japim edhe një shans Petrit Vasilit të bëhet njëshi i LSI-së. Me përkrahjen tuaj mund të bëhet edhe njëshi i qeverisë.
Nuk ndërhyj se kë caktoni ju për kandidat për kryeministër, sepse është çështja juaj.
Dua me këtë rast, duke kujtuar historinë e LSI-së edhe ta lidh atë me momentin aktual në të cilin ndodhet vendi, që është mjaft kritik edhe që na ka detyruar për shkak të rrethanave të bëjmë këtë investim në funksion të dekujarimit, përshkallëzimit të mëtejshëm të kësaj krize dhe të stabilitetit politik në vend, por edhe në rajon, dua të jap një mesazh edhe për opozitën tonë.
I mirëkuptojmë shqetësimet e saj. Ju e dini që unë jam akuzuar shpesh se jam aq i disponueshëm për të përkrahur opozitën sa jam konsideruar që ata nuk kishin ku të gjenin më pro-opozitar se unë. Që nuk e mendoj se është e vërtetë. Ashtu sikurse Namik Dokle më tha se President më socialist se ti, vështirë e kishim të gjenim.
Dua të jap disa mesazhe, sepse është situatë mjaft kritike për vendin. Në demokraci nuk mund të t’i japin të gjitha. Duhet të luftosh edhe t’i fitosh ato të drejta demokratike, që i takojnë opozitës dhe çdo qytetari. Dhe prandaj është opozita që të luftojë për t’i fituar këto të drejta dhe të jetë aktive dhe pjesëmarrëse. Sepse bojkoti asnjëherë nuk është zgjidhje. Le të ktheheni pak mbrapa në vitin 2008 kur u bë Kodi vetëm për të asgjësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ne bëmë një grevë urie me mjaft kolegë deputetë, disa prej të cilëve janë edhe sot në protestën e opozitës, sepse problemi i zgjedhjeve vijon dhe baza e problemit të zgjedhjeve është Kodi i bërë në errësirë në vitin 2008 për fat të keq. Por le të mendojmë për një moment që edhe ne në një shenjë proteste të një ngjarjeje kaq të rëndë, do të kishim bojkotuar zgjedhjet e vitit 2009.
Çfarë do të kishte ndodhur? LSI nuk do të ishte kurrë kjo që është sot dhe natyrisht që LSI-ja nuk do të ishte një forcë që do të ndihmonte shqiptarët më pas edhe për të qenë faktor stabiliteti në zgjedhjet pas vitit 2009, por edhe për të bërë një rotacion mjaft demokratik në vitin 2013 përmes zgjedhjeve.
Ndërkohë që të mos harrojmë që edhe në zgjedhjet e vitit 2013 situata nuk ishte kaq demokratike, përkundrazi. Të mos harrojmë që bëmë zgjedhje kur KQZ ngeli 4-0 për mazhorancën e asaj kohe. Megjithatë, ne përmes pjesëmarrjes, përmes sakrificave, përmes luftës, kemi kontribuar që gjithçka të përmirësohet.
Mendoj që edhe opozita duhet të marrë këtë përgjegjësi pasi është në interesin e saj, është në interesin e vendit. Çdo përpjekje e thjeshtë për të krijuar dëm nuk do t’i bënte mirë as opozitës por padyshim që vendit do t’i bënte dëm dhe legjitimitetit të institucioneve të ardhshme do t’i bënte mjaft dëm në këtë moment të rëndësishëm, edhe për integrimin evropian edhe për zbatimin e shumë reformave të tjera.
Unë i kam dhënë të drejtë opozitës gjithmonë kur ajo ka pasur të drejtë, jo unë vetëm si ish kryetar i LSI-së por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, për çështjen e dekriminalizimit, për çështjen e luftës kundër drogës, për shumë çështje të tjera të cilat janë çështje reale por absolutisht është e domosdoshme që opozita të heqë dorë nga politika e ultimatumit apo edhe e konfrontimit.
Për fat të mirë, deri tani, protesta e saj ka qenë paqësore, ka qenë demokratike por çdo vonesë për zgjidhje politike, e cila është ende në tryezë dhe për të cilën është angazhuar edhe PPE edhe Parlamenti Evropian duhet të mos vonohet. Absolutisht unë jam i disponueshëm të bëj çdo gjë që mundet për t’i kontribuar kësaj zgjidhje politike.
Megjithatë dua t’ju them se për të gjithë ata që thonë se pse po ikën kryetari, kryetari duhet të kishte ikur që para 5 vitesh nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi kur është bërë statuti i LSI-së ka qenë që kryetari nuk mund të jetë më shumë se dy mandate. Por për shkak të goditjeve të forta dhe të padrejta që LSI-a pësoi gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, për shkak të goditjes tjetër jashtëzakonisht të fortë të zgjedhjeve të vitit 2009, çdo respektim i këtij mandati do të ishte një demonstrim i një respekti më shumë formal sesa real ndaj statutit i cili padyshim që është shumë i rëndësishëm.
Kështu që jam i bindur që duhet të kisha ikur me kohë nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, natyrisht jo nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Unë më 23 korrik do të dorëzoj dokumentin e LSI-së tek Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, dhe do t’i kërkoj që ta ruajë mirë pasi atë dokument unë do të kthehem ta marr përsëri.
Unë nuk jam hipokrit. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë socialist edhe gjatë 5 viteve në Presidencë. Por absolutisht që besoj se kam treguar gjithmonë, edhe kur kam qenë kryetar partie por edhe kur kam qenë në detyra të larta ekzekutive, që di të marr vendimet e duhura në interes të vendit. Aq më tepër që duke qenë pothuajse profesionist si politikan për shkak të një eksperience gati çerekshekullore unë e di shumë mirë se cilat janë përgjegjësitë e një presidenti.
Kam dëgjuar shqetësimin e madh për kompetencat e Presidentit. Mos u shqetësoni, as ju dhe askush. Mua nuk më duhet asnjë kompetencë për të qenë një President shumë i mirë i Republikës së Shqipërisë. Do të bëj çdo gjë, me ndërgjegje dhe me bindje të plotë që t’i shërbej vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë sepse kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, bashkimi dhe për të bërë vërtet një vend frymëzues për të rinjtë dhe të rejat dhe për fëmijët e të gjithë shqiptarëve.
Ajo që dua t’ju theksoj, edhe një herë tjetër, është që kam besim tek ju, që do t’i konsolidoni të gjitha arritjet që kemi pasur së bashku. Arritja jonë më e madhe është që kemi qenë dhe jemi ende me këmbë në tokë dhe shpresoj që kështu do të jeni gjithmonë, për të kuptuar që arroganca nuk e çon larg as politikën, as një forcë politike e as çdo politikan dhe as çdo drejtues. Vendi ka nevojë për modestinë e drejtuesve dhe të politikanëve, për bashkëpunimin e tyre me njëri-tjetrin dhe sidomos me qytetarët.
Natyrisht që edhe LSI, gjatë kësaj histori, duke qenë një parti shqiptare pjesë e këtij realiteti, edhe ajo ka pasur dhe ka problemet e saja. Prandaj, duke qenë se jam i bindur që do të vazhdoni të rriteni mos harroni që vazhdimisht do të jeni edhe në fokus edhe të përpjekjeve për të denigruar faktorët kryesorë të kësaj force politike, qe janë mesazhi i saj pozitiv politik në interes të vendit dhe përkrahja që i jep të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ndaj duhet të vazhdoni me kujdes për të qenë një model i demokracisë së brendshme, i transparencës brenda por edhe publikun, i integritetit. Ndaj kemi qenë mjaft të kujdesshëm me listat e kandidatëve për deputetë, jo vetëm për çështjen e dekriminalizimit që e kemi mbështetur mjaft fuqishëm por edhe për mospërfshirjen e tepruar të biznesmenëve, që është bërë pak baltë në politikën tonë. Jo se kemi ndonjë gjë me bisnesmenët, ata janë njerëz të nderuar. Natyrisht duhet të keni parasysh që unë do të jem gjithmonë mirënjohës ndaj jush nëse ju do të vazhdoni në këtë drejtim, por po qe se nuk do të ecni në këtë drejtim do më detyroni ta bëj si Ariel Sharoni, i cili në moshën 76-vjeçare krijoi një parti të re dhe mundi Likud-in.
Kështu që vazhdoni në këtë rrugë të LSI-së, që është rruga e cila ndihmon njerëzit të kenë besimi tek e ardhmja në vendin e tyre. Unë kam udhëtuar pothuajse në të gjithë botën për shkak të funksioneve e të detyrave të ndryshme dhe jam i bindur se jetojmë në vendin më të bukur të botës dhe duhet të bëjmë çdo gjë për paqen sociale në familjet tona në vendin tonë. Për sigurinë e qytetarëve tanë, sepse pa stabilitet, pa siguri dhe pa demokraci nuk mund të mposhtim varfërinë dhe të garantojmë atë mirëqenie që i ndihmon qytetarët vërtetë të jetojnë si evropianë në vendin e tyre.
Ju jeni drejtues të LSI-së, keni detyrë të drejtoni kudo ku jeni. E keni bërë këtë punë shumë mirë në përgjithësi deri tani dhe rezultatet e kanë treguar këtë. Padyshim që do të vazhdoni edhe tani akoma më shumë. Kandidatura e Petrit Vasilit ka mbështetjen time të plotë për arsye se ai ka qenë Zv.Kryetar i LSI-së për një kohë të gjatë dhe Sekretar i Përgjithshëm që nga krijimi i saj. Është një ndër ideatorët e LSI-së dhe padyshim që ka qenë bashkëpunëtori më i qëndrueshëm më i vendosur më aktiv nga gjenerata ime dhe më i qarti politikisht për mesazhin e LSI-së. Ai jam i bindur që do të jetë një kryetar shumë i mirë për të gjithë ju, por të jeni të bindur që unë nuk do të bëhem xheloz.
Një falënderim të veçantë kam për LRI-në. Dikur thosha se unë kam tre fëmijë dhe LSI-në në kuptimin e angazhimit dhe përkushtimit. Tani që po largohem them që kam LRI-në dhe tre fëmijë. E them këtë se sa kohë kemi harxhuar me të rinjtë dhe të rejat e LRI-së nuk kemi harxhuar me fëmijët tanë, por besoj se ia ka vlejtur sepse këta janë shumë të mirë dhe do të na nderojnë të gjithëve.
*Fjala e Ilir Metës në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së