Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut dhe historianit të njohur, Arben Puto
Ilir Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut dhe historianit të njohur, Arben Puto
E dashur Leonora,
Të dashur Robert dhe Artan,
Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Arben Putos.
Ky është një lajm i rëndë, që prek familjarët e tij, kolegët, studentët e tij të shumtë dhe disa breza lexuesish të veprës së tij të shkruar.
Profesor Puto ishte nga ata njerëz të rrallë, që jeta ju dha një mundësi të veçantë; jetoi në tre sisteme të ndryshme qeverisjeje, luftoi ndaj dy pushtimeve të huaja duke marrë kështu përvojën jetësore të jashtëzakonshme të qytetarit të angazhuar.
Ai u bë dëshmitar, por dhe protagonist i historisë dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare në kohë thyerjesh të forta dhe të rëndësishme.
Partizan në Luftën e Dytë Botërore, pedagog i jurisprudencës e studiues mbas çlirimit të vendit dhe veprimtar i shquar për të drejtat e njeriut në demokraci, Profesor Puto ishte dhe do të jetë një pikë e rëndësishme e kujtesës sonë; gjirokastriti tipik ishte qytetari i veçantë i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Për fat të mirë, përvojën vetjake, juristi historian, akademiku dhe studiuesi i vëmendshëm, e përktheu në një kolanë të gjerë librash të vyer e të çmuar.
Librat e tij janë trashëgimia më e mirë që Profesor Puto le pas për secilin nga ne.
Secili nga to ka qenë frut i një pune të jashtëzakonshme kërkimore në arkiva duke shërbyer dje, por mundet edhe sot, si një lëndë burimore dhe referim edhe për autorë të tjerë.
E dashur Leonora, të dashur Robert dhe Artan, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta! Të gjithë ne kemi humbur një njeri të mirë!
Ilir META
KOHA JONË SONDAZH

