Meta paradite flet te LSI. Pasdite priti Senatorin Amerikan John McCain

Ilir Meta po luan qetësisht në politikë, duke luajtur rolin e konsensualit mes PS dhe PD në mënyrë që të mos ketë destabilitet në Shqipëri. Para dite ai foli në komitetin drejtues të LSI ku dha mesazhin e tij se LSI do futet në koalicion me PS, por duhet që kryeministri Rama të gjejë mënyrën të bindë opozitën të futet në zgjedhje. Ilir Meta tha tekstualisht si më poshtë:

Qëndrimin e Kryesisë së LSI-së ju e dini si i gjithë opinion publik që prej gati 10 ditësh.

Unë dua të shpreh keqardhjen, që ende asgjë reale nuk ka lëvizur në drejtim të dialogut dhe të zgjidhjes, veçse ka lëvizur diçka: kanë lëvizur afatet.

Opozita nuk është regjistruar në zgjedhje dhe çdo ditë që ecim përpara pa një dialog dhe pa një klimë konstruktive na çon drejt një konflikti dhe drejt një krize, efektet e së cilës askush nuk mund t’i parashikojë.

Por është detyra jonë e të gjithëve, politikanëve në radhë të parë, që t’i parandalojmë.

Jo vetëm e politikanëve, por çështja e demokracisë, çështja e zgjedhjeve nuk është vetëm përgjegjësia jonë.

Padyshim është përgjegjësia jonë kryesore, por është edhe shoqërisë civile, e mediave, e analistëve dhe padyshim në fund fare edhe e qytetarëve.

Në këtë drejtim unë dua të shpreh bindjen time që LSI-ja ka bërë dhe do të bëjë më të mirën për dialog, për zgjidhje dhe për zgjedhje plotësisht të ndershme dhe të lira dhe të standardeve europiane.

Do të vazhdoj me një shprehje që m’u kujtua në Zall-Herr sot paradite. Pashë disa burra të vjetër atje, disa malësorë dhe m’u kujtua tamam shprehja për këtë situatë që pengon dialogun, që pengon zgjidhjen, që pengon normalitetin: “Fjala vret më shumë se plumbi”, thotë populli.

Ne si politikanë, por edhe populli, ka dëgjuar dhe ka parë në të shkuarën që në parlament ka krisur edhe arma për fjalë të pakontrolluara dhe provokuese. Ka kërcitur grushti në parlament prej fjalëve. Këto kanë qenë kosto për vendin, për integrimin, për gjithçka përfshirë edhe reformën në drejtësi.

Nëse nuk do të kishim patur problemin e dekriminalizimit, reforma në drejtësi do të kishte filluar me kohë e nuk do të ishte këtu ku është. Madje, dhe reforma në drejtësi do të ishte implementuar me kohë në qoftë se do të mungonte qasja “hajdeni në dialog, votoni reformën, se do ju fusim në burg”.

Unë mendoj se ka ardhur koha, që të mos harrojmë këtë fjalë të popullit tonë. Populli e ka nxjerrë nga përvoja. Ne si politikanë instrumentin kryesor kemi fjalën, padyshim kemi edhe ligjin, Kushtetutën në komunikim, në zgjidhje dhe në krijimin e klimës së mirëbesimit apo të konfliktualitetit.

Kështu që në këtë situatë, duke qenë të bindur se koalicioni PS-LSI, që fitoi përpara 4 vitesh në kushte shumë të vështira bindshëm, dhe fitoi 84 mandate – sepse një e humbi në Lundër për 15 vota, por nuk ka problem – fitoi kundër qeverisë së Berishës, fitoi kur KQZ-së ju ndryshua përbërja në mënyrë antikushtetuese dhe kur ju la e gjithë KQZ-ja Partisë Demokratike dhe kryeministrit të asaj kohe z. Berisha, natyrisht në një klimë jo të lehtë në terren, sidomos në shumë zona të vendit.

Kështu që unë besoj që sot një koalicion i tillë e ka akoma më të thjeshtë për të fituar dhe për t’u rikonfirmuar në zgjedhjet më të qeta, më demokratike, më normale që mund të ndodhin në vend. Mos harrojmë pastaj që një faktor tjetër, faktori PDIU që ishte në koalicion me Berishën tani është në një pozicion tjetër e kështu në vijim.

Ndaj nuk duhet parë si çështje force, se kush është më i fortë dhe kush e tërheq litarin më fort në këtë situatë.

Kjo duhet parë si çështje tolerance dhe largpamësie.

Sepse nuk kemi vetëm çështjen e zgjedhjeve, legjitimitetin e Parlamentit të ardhshëm, legjitimitetin e qeverisë së ardhshme dhe institucioneve të ardhshme të drejtësisë, por kemi çështjen e Presidentit, që na ka qëlluar si rrallëherë të jetë në këtë moment kritik të zgjedhjeve.

Por kemi edhe një problem tjetër që shumë institucioneve të drejtësisë të deritanishme po u vjen fundi. KLD me sa di unë ka bërë drekën e fundit para dy ditësh dhe ka mbyllur aktivitetin e saj. Por edhe institucione të tjera janë në këtë proces. Atëherë ku do të shkojmë?

Kushtetuta patjetër që është shumë e rëndësishme, por nuk mbahemi dot vetëm te Kushtetuta.

Sepse Kushtetuta është e rëndësishme kur themelet e saj janë vërtet demokratike dhe garantohet vota e lirë.

Dhe të mos harrojmë që Kushtetuta, për fat të keq edhe për çështjen e zgjedhjeve, u ndryshua në mes të natës përpara 9 viteve pa asnjë lloj respekti për popullin, për procedurat kushtetuese edhe ka ndryshuar edhe herë të tjera në mënyra të ndryshme.

Kjo natyrisht që nuk do të thotë kurrsesi që Kushtetuta nuk duhet respektuar. Padyshim që duhet respektuar, por e para është që Kushtetuta thotë, që vota e qytetarëve është e barabartë.

Secili nga ne, përfshirë edhe mua mund të ketë përgjegjësitë e veta në të gjithë këtë histori dhe padyshim që ka përgjegjësitë e veta të tranzicionit, të demokracisë, të zgjedhjeve e në vijim.

Por absolutisht nuk është kjo arsye që ne të përsërisim as gabimet që kemi bërë vetë, as që kanë bërë të tjerët në Shqipëri, as me zgjedhjet, as me demokracinë edhe as me opozitën.

Nuk ka patur ndonjë Kryeministër në Shqipëri që të jetë sjellë le të themi, “më keq”, “më ashpër”, se unë me Sali Berishën, kur nën frymëzimin e tij janë sulmuar institucionet.

Por më vjen keq t’ua kujtoj kur më tha dikush që “ti thua që jap mandatin e Kryetarit të Kuvendit andej, se ti nuk je Kryeministër”. Dhe është një analist shumë i njohur dhe kritik edhe ndaj meje, por edhe realist, edhe shpërthyes.

Dhe i thashë, po ti e mban mend përse e kam dhënë unë dorëheqjen nga Kryeministër pas zgjedhjeve në 2001-shin? “Po ja, tha, kishit ato sherret me Nanon”.

Po i thashë, por për çfarë i kishim sherret? Dhe ai sherri ishte ky, që në ato zgjedhje mazhoranca e asaj kohe mori 3-4 mandate më shumë se 60% që duheshin për Presidentin. Dhe Nano në të drejtën e tij donte që të bëhej President, patjetër. Por ne kishim një Rezolutë të Parlamentit Europian pas zgjedhjeve, e cila njohu legjitimitetin e zgjedhjeve të qeverisë dhe të mazhorancës qeverisëse. Por nuk e njohu legjitimitetin e shumicës për të zgjedhur Presidentin bazuar në votat që kishte marrë dhe nuk u shkel as ligji, as Kodi Zgjedhor. Thjesht u bë një manovër në raundin e dytë, në Dushk, prandaj ngeli fenomeni i Dushkut edhe sot e kësaj dite.

Ky ishte i gjithë problemi i krizës, i një marrëdhënie të sforcuar ku në fund fare thelbi i gjithë historisë me pak fjalë ishte që nuk mund të bëjmë një gjë, që nuk do t’i shërbejë vendit dhe mund t’i shërbejë vetëm akomodimit të dy personave, njëri President, tjetri Kryeministër edhe Kryetar i PS.

I thashë Nanos do ta zgjidhim, siç e kërkon BE-ja, sepse përndryshe do të pengohet stabilizim-asociimi. Kështu që ti zotëri bëhu Kryeministër, kjo është një gjë normale, President nuk bëhesh dot, sepse duhet ta zgjidhim me opozitën, sepse kemi bërë një faull dhe do të paguajmë gjobën apo jo? Si dikush që shkel sot rregullat e qarkullimit rrugor. Dhe kështu u bë kjo histori. Unë nuk them që Edi Rama të japi dorëheqjen nga Kryeministër. Kur them qeveri besimi nënkuptoj që nuk ekziston një besim real, i përgjithshëm të zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ne formalisht mund ta themi këtë gjë.

Dhe unë po t’iu pyes juve do të bëjmë koalicion? Ju do të thoni kemi numërues? S’kemi numërues. Në një vend ku njerëzit kanë frikë dhe ku përdoren format që nga Kodi Zgjedhor, që praktikisht është një Kod anti-demokratik dhe ne e dimë këtë gjë. Unë dhe disa kolegë të tjerë kemi bërë grevë urie atëherë, kur u bë koalicion i madh, jo për të bërë reformë zgjedhore demokratike, por për t’i vendosur një zgjedhë popullit shqiptar.

Unë nuk jam Kryetar i Parlamentit thjesht të shumicës. Kjo është gjëja më e lehtë. Po të ishte kështu e kishim nxjerrë me kohë opozitën nga Parlamenti, e kishim nxjerrë në rrugë, nëpër çadra me kohë.

Unë jam Kryetari i Parlamentit të të gjithëve dhe do të përpiqem aq sa jam. Kuptohet që edhe i LSI-së jam edhe i këtij koalicioni jam.

Edi Rama nuk është Kryeministër vetëm i PS-së, as vetëm i këtij koalicioni. Është Kryeministër i Shqipërisë dhe ka detyrim kushtetues të garantojë dhe të ofrojë besim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duhet të ftojë vetëm formalisht për dialog, por duhet të jetë edhe i përmbajtur në mënyrë që të mos i japë shkak palës tjetër për të vazhduar, për të përshkallëzuar dhe ajo një retorikë të papranueshme, duke folur dhe për arrestime dhe për gjëra të tjera. Ne si LSI nuk jemi me këtë e me atë. Ne jemi këtu për t’i dhënë fund politikës bardhezi në Shqipëri.

Për dekriminalizimin i kemi dhënë të drejtë Partisë Demokratike. Edhe një që kishim ne, që nuk e dinim, s’ka rëndësi, iku në drejtim të paditur ai siç po ikin shumë gjëra. Nuk ka asnjë problem, por ama kushdo që të ketë një problem sot, që nga Petrit Vasili e çdo njeri, ne nuk i dalim në mbrojtje, sepse ky është një problem në Shqipëri dhe duhet t’i japim fund kësaj politike me të fortë, me të dhunshëm e kështu me radhë. Sepse janë këta pastaj që bëjnë presione poshtë, dalin edhe nga kontrolli jonë, për t’u dukur si faktorë të rëndësishëm. Dalin blejnë vota, bëjnë presione, bëjnë akte të dhunshme ndaj njerëzve të pafajshëm, sepse nuk dua të përmend edhe raste konkrete dhe emra konkretë sot.

Apo çështja e drogës. Ne e kemi thënë edhe përpara që është problem mjaft serioz. Është problem që po e ndiejnë shumë njerëz. Nesër do ta ndiejnë akoma më shumë në qoftë se nuk do të goditet sot me forcë. Dhe prej kohësh kemi thënë dhe e kam thënë, që për këtë çështje, për çështjen e kanabisit na duhet një pakt. Na duhet një konsensus edhe me opozitën se çfarë duhet të bëjmë, sepse është një problem serioz, është një problem që nuk u krijua sot. Ka qenë në 2013-n, ka qenë me kohë. Lazarati, ndjesë qytetarëve të Lazaratit që po ua përmend emrin, ka qenë një monument i dukshëm i kësaj çështjeje, por ky fenomen ka dalë totalisht jashtë kontrollit dhe shpresojmë që të ndërgjegjësohet sot e gjithë shoqëria, sepse do të kthehet në një problem të tmerrshëm për vendin, për shtetin, për drejtësinë, për ekonominë e të ardhmen.

Sepse Shqipëria ka një fat të mirë dhe një fat të keq, që është pozita gjeografike. Kjo ka qenë fatkeqësisht shpesh, por mund të na kthehet në një fat të mirë në qoftë se do të dimë të menaxhojmë këtë situatë dhe gjithë perspektivën që varet më pas nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Që do të thotë se ose Shqipëria do të jetë një qendër e krimit të organizuar ndërkombëtar, të flasim hapur, ose do të jetë një qendër për investimet e huaja në Shqipëri dhe përmes Shqipërisë kudo, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi e me radhë.

Kjo pa diskutim që kërkon një rritje të përgjegjësisë së të gjithëve, por kjo nuk do të thotë që të kalojmë te teprime dhe ekzagjerime që nuk ndihmojnë asgjë. Vetëm krijojnë më shumë tym, shpërndajnë përgjegjësi, sepse në fund fare kur të ndodhi konflikti, që do të punojmë të gjithë që kjo gjë të mos ndodhë, nuk ka rëndësi se kush e nisi i pari dhe kush e vazhdon i dyti, do të jetë një gjë shumë e keqe për Shqipërinë e gjithë shqiptarët.

Nuk më harrohet kurrë një mik amerikan para se Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësimin në NATO, më thotë, edhe atëherë ishte një situatë e tillë me konflikt të madh, por ishin raporte të tjera atëherë, ishte Berisha kryeministër edhe PS-ja edhe ne ishim në opozitë. Më thotë: “Duhet t’i jepni fund kësaj situate, sepse e di si është kjo puna e Shqipërisë. Ju ka ardhur momenti që mund të hyni në NATO dhe kjo është si puna e një avioni që vjen të ulet diku, por kur shikon zjarr poshtë aty në aeroport, ikën edhe shkon ulet në një aeroport tjetër”.

Mos mendoni që do të thotë ai se e ka fajin Berisha, e ka fajin Rama e ka fajin Meta. Avioni kur s’ka mundësi për t’u ulur do të shkojë diku tjetër dhe pastaj kur t’i bie në mend dikujt për Shqipërinë, kështu që mos e humbi këtë rast. Edhe ne kemi disa raste shumë të mira. Kemi para edhe perspektivën e çeljes së negociatave, edhe mundësitë që të tërheqim shumë më tepër investime edhe falë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që duhet ti realizojmë ne patjetër. Falë edhe reformës në drejtësi, që duhet të krijojë besim për një mjedis më pozitiv ndaj investitorëve vendas edhe të huaj për rritjen e sigurisë juridike të investimit të tyre. Kështu që ne nuk duhet ta humbasim këtë rast.

Ne duhet të heqim dorë nga gara se kush është më pro-evropian dhe kush është më pro-amerikan, më anti-evropian dhe më anti-amerikan. Sepse historia e Shqipërisë është atje, do ta shikoni dhe është një histori ku gjithmonë dikush ka dalë pro-evropian pastaj ka dal anti-evropian, pro-amerikan dhe anti-amerikan, në varësi me interpretimet, interesat, konjukturat.

Ne duhet të hyjmë në një garë se kush është më shqiptar. Edhe sot më shqiptar është ai që është më tolerant.

Dhe ai që është më tolerant është edhe më i fortë.

Dhe të gjithë ata që nxisin konflikt, që po u tërhoq ky do të bëhet qameti, se do të thonë s’paska qenë burrë. Po u tërhoq ai do të ndodhi qameti tjetër. Domethënë të gjithë këta nuk duhen dëgjuar, sepse ata kanë hallin e tyre, kanë interesat e tyre dhe nuk kanë hallin as të liderëve që mund t’i japin këto lloj këshillash, as të forcave të caktuara politike.

Ne besojmë shumë tek partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian dhe e ardhmja e Shqipërisë është vetëm euroatlantike dhe evropiane.

Nëse ka ndonjë diplomat, siç pretendojnë disa përfaqësues të disa partive të opozitës, që rekomandon që zgjidhja nga situata është që këto parti të hyjnë në zgjedhje dhe meqë nuk hyn PD-ja të përfitojnë nga mandatet e PD-së, që unë nuk do të dëshiroja të kishim ndonjë diplomat të tillë. Por kjo nuk përjashtohet pasi siç nuk janë politikanët engjëj, as diplomatët të gjithë nuk janë engjëj, por këtë nuk do ta besoja, sepse kjo është në kundërshtim me gjithë filozofinë e Bashkimit Evropian, të integrimit evropian, të parimeve demokratike, të legjitimitetit e të dialogut politik.

Sepse Bashkimi Evropian kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo farsë. Partia Demokratike ka 100 përgjegjësi siç ka edhe meritat e veta. Dhe nuk jam këtu të bëj bilancin e saj. Këtë e bëjnë votuesit çdo katër vjet. Por absolutisht që ne dhe askush nuk duhet të kthejë Shqipërinë në kohën e opozitës që na krijoi atëherë presidentin e gjithëfuqishëm Sali Berisha, opozitën e Sali Rexhepit, sepse këto janë gjëra që nuk mund të funksionojnë në një vend demokratik. Se sa përkrahje ka Partia Demokratike këtë e di populli shqiptar, se sa është LSI, PS se sa është çdo forcë politike, kjo është një e drejtë ekskluzive e popullit shqiptar që duhet të shprehet në mënyrë të lirë, në mënyrë demokratike, edhe larg çdo lloj presioni.

Duke filluar nga ne këtu duke vazhduar me PS dhe duke vazhduar me kryetarët e bashkive dhe duke vazhduar me drejtorët e policisë, arsimit, rrugëve, etj. Sepse reforma më e madhe që ne mund të bëjmë janë zgjedhjet e lira.

Kjo është kryereforma. Dëmtimi i saj për faj të PD-së, për faj të PS-së, për faj të Berishës, për faj të kujtdo na dëmton të gjithë reformat e deritanishme dhe do të bëhemi shumë të bezdisshëm për komunitetin ndërkombëtar, që ka kaq shumë halle edhe pa i çuar ne më në ekstrem këto konflikte që kemi për momentin.

Dhe do të cenonim shumë dhe rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Duhet të jemi një faktor stabiliteti në këtë rajon. Të japim një ndikim sa më pozitiv në gjithë vendet fqinje, sidomos aty ku banojnë shqiptarët në shumicë apo në pakicë.

Dhe në qoftë se ne dëmtojmë kredencialet demokratike të vendit, atëherë si mund të kemi ne të drejtë morale t’i japim këshilla demokratike, pozitive fqinjëve, bashkatdhetarëve tanë e kështu me radhë.

Kështu që kjo kërkon një përgjegjshmëri maksimale dhe ky është edhe qëllimi që kemi thënë se ne jemi gati të sakrifikojmë edhe postet tona. Nuk ka asnjë problem, dhe jam i sigurt se nuk ka asnjë sakrificë dhe asnjë humbje vote LSI-ja po të iki Ilir Meta sot nga Kryetar Kuvendi, edhe të ikin ministrat e LSI-së dhe të ikin të gjithë përfaqësuesit politik të LSI-së nga ekzekutivi.

Patëm ne ndonjë humbje në 2013-n që u larguam nga qeveria me Partinë Demokratike dhe kaluam në opozitë? Edhe pse në kushte të vështira, edhe pse u hoqën shumë njerëz nga puna me të drejtë e të pa të drejtë, ne sërish patëm rritje.

Sepse njerëzit vlerësojnë në fund fare atë që do të veprojë në mënyrën më të moralshme dhe më të përgjegjshme në të gjithë vendin. Kështu që unë shpresoj që të gjithë të veprojnë kështu nga aktorët kryesorë. Kjo është arsyeja që kam kërkuar edhe pas kësaj mbledhjeje, edhe pasi të dëgjojmë edhe mendimet tuaja, të bisedojmë zyrtarisht edhe me kryetarin e PS-së, natyrisht edhe si Kryeministër, por si kryetar i PS-së në radhë të parë dhe drejtues të tjerë të saj kryesorë, për këtë situatë dhe se si ne të marrim të gjitha përgjegjësitë që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dhe ta mbyllim një herë e mirë këtë histori. Dihet që në kohën e presidentit Sali Berisha në 1995-n në Libofshë nisi manipulimi i zgjedhjeve.

Por kjo nuk është një arsye që pse është tani Berisha në opozitë apo në çadër bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike z. Basha, ne të mos bëjmë përpjekjet maksimale. Jo për të plotësuar kërkesa të pamundura të opozitës, por për të bërë çdo gjë që krijon mirëbesim dhe vullnet të mirë që qytetarët do të votojnë të lirë, që nuk do të ketë financime kriminale apo çdo lloj financimi të paligjshëm. Që jo thjesht policia do të jetë neutrale, por që ajo do të luftojë jo vetëm fenomenin e drogës.

Jo vetëm kaq por edhe të ndëshkohet çdo njeri, çdo kandidat për deputet, duke filluar nga ata që do të ketë LSI-ja dhe të gjithë partitë e tjera, nëse do të ketë tentativa presioni, shantazhi, manipulimi apo votëblerje ndaj qytetarëve shqiptarë.

PDIU ka qenë e para në fakt që ka ndërmarrë një nismë zhbllokuese, ka hedhur disa propozimeve, një pjesë e mirë e të cilave janë me vlerë. Ne nga ana jonë kemi shprehur gatishmërinë maksimale për këtë gjë. Shpresojmë edhe dy aktorët e tjerë më të rëndësishëm në këtë situatë të gjykojnë me kthjelltësi dhe me shumë qetësi në mënyrë që ne ta mbyllim historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Njerëzit të votojnë si të duan, të shprehen të jenë të qetë të kemi qeveri legjitime, të kemi opozitë legjitime, të kemi Parlament legjitim, të kemi President legjitim, flas për presidentin e ri që do të zgjidhet sipas procedurave kushtetuese.

Të kemi një vend normal, sepse integrimi evropian nuk është se miratuam një ligj një reformë dhe atje në Bruksel shënohet formalisht se plotësohet një kusht. Integrimi evropian është e para të komunikojmë si njerëz normal, me tolerancë, me normalitet.

Por ka disa gjëra që janë të padiskutueshme dhe u takojnë të gjithëve, zgjedhjet janë të të gjithëve, reforma në drejtësi është e të gjithëve, prandaj ne luftuam për konsensus dhe i kemi qëndruar idesë së konsensusit dhe transparencës që të kemi një drejtësi të pavarur në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Dhe për reformën administrative-territoriale, ne kemi luftuar deri në fund që opozita të përfshihej.

Ndaj, shpresoj që edhe Opozita të jetë e arsyeshme, të ketë besim tek çështja e zgjedhjeve, të ketë besim edhe te vetja, edhe te anëtarët e saj, edhe te simpatizantët e saj, edhe tek komisionerët e saj, ose tek ata që mund të vendosim ndonjë ndryshim në Kod, që të jenë të pavarur jashtë partive. Jemi të hapur për çdo zgjidhje, që asaj i intereson, sepse problemet janë seriozë, edhe problemi i drogës shumë problem serioz, edhe problemi i dekriminalizimit dhe i angazhimit të të fortëve në politikë ose rreth politikës.

Unë përpara se të vlerësojmë edhe një herë situatën si Komitet Drejtues Kombëtar, dua t’ju siguroj se do të bëj çdo gjë për krijimin e një mirëbësimi, të një mirëkuptimi, kemi mbështetur edhe idenë e Presidentit. Sapo ka kërkuar Presidenca një konfirmim nga ana ime, si Kryetar Kuvendi dhe si Kryetar LSI-je për një tryezë, menjëherë i kam thënë “Patjetër!”. Çdo dialog! Gjithçka! Edhe kot të jetë dialogu, në kuptimin, që dialogu është shenjë e mirë për njerëzit që janë poshtë, për njerëzit që e shohin, që duan normalitet, për bizneset që nuk dinë çfarë të bëjnë: të investojnë më tej, apo të presin se nuk i dihet çfarë do të ndodhë.

Bëmë një ligj për një kullë ikonike. Nuk vjen ai investitori po nuk dhamë garancinë edhe këto ditë, që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të jeni të sigurt që nuk vjen ai. Dhe janë gjithë ata që duan të vijnë, por presin zgjedhjet.

Sepse jo thjesht këtu që ka disa probleme, por ka disa vende të tjera në Ballkan që është akoma edhe më problematike. Mirëpo të gjitha këto kanë të bëjnë me stabilitetin e vendit dhe ekonominë e vendit dhe të njerëzve tanë. Kështu që unë dua ta mbyll me dëshirën pozitive për të gjetur zgjidhje të shpejtë, të qëndrueshme, në interesat e vendit, demokracisë, natyrisht edhe të Kushtetutës.

Këto tha Ilir Meta paradite, ndërsa pasdite priti Kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin John McCain, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Donald Lu.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.


Duke vlerësuar kontributin personal në vite të Senatorit McCain, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të vendit tonë si dhe të paqes e stabilitetit në rajon.
Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.
Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti ndaj avancimit të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.
Kryetari Meta ndau bindjen me Senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Jug Lindore dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e axhendës euro-atlantike në rajon.
Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit.

SHKARKO APP