Ilir Meta takon shoqërinë civile. A do ta votoj ligjin e mbetjeve LSI-ja?

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta takoi sot përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe të Unionit të Ekspertëve Mjedisor Shqiptar (UEMSH) . AKIP dhe shoqatat e tjera civile janë vendosur në krye të protestave dhe kundërshtimit të ligjit të miratuar nga qeveri “Rama” për importin e mbetjeve.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave ngritën shqetësimin e tyre dhe ndjeshmërinë e qytetarëve lidhur me mundësinë e miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10463 datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” mbas kthimit të tij në Kuvend prej Presidentit të Republikës.

Zyra e shtypit të Parlamentit, njofton se “Kryetari i Kuvendit,  Meta vlerësoi angazhimin e tyre për këtë çështje të ndjeshme, duke nënvizuar se ai do të dëshironte që miratimi i një ligji të tillë të mund të shteronte të gjitha mundësitë e dialogut, mirëkuptimit dhe konsensusit me shoqërinë civile, përfaqësuesit e industrisë ricikluese dhe opinionin publik, me qëllim që ligji t’i shërbejë interesit të qytetarëve, imazhit të Shqipërisë, rritjes ekonomike të vendit, zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe të rrisë punësimin e të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e jetës së qytetarëve”.

Vetë takimi i kreut të Kuvendit me AKIP është një sinjal i qartë për nevojën e rishikimit të ligjit ose mosmiratimin e tij.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbi 10 takime me përfaqësues të shoqatave të importit të mbetjeve. Ai ka folur për dobinë e ligjit, ka sulmuar mediat, ka fyer ata që përfaqësojnë shoqërinë civile dhe janë kundër importit. Në fushatën pro zbatimit të ligjit, Rama asnjëherë nuk ka pranuar të dëgjojë në publik kërkesat e AKIP dhe shoqatave të tjera për anulimin e ligjit. Disa protesta të ambientalistëve, Rama i ka cilësuar si të sajuara dhe nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë që ka ardhur nga opinioni publik mbi rrezikun e mbetjeve.

Në vend të këtij qëndrimi që e cilëson fakt të importin e mbetjeve, kreu i Kuvendit dhe LSI kanë mbajtur një tjetër qasje. Që në fillim ata kanë bërë apel për pjesëmarrjen e shoqatave dhe organizatave ambientaliste në hartimin e ligjit. Ndërsa pas kthimit të ligjit nga Presidenti, LSI-ja ka bërë thirrje për të dëgjuar gjithë shqetësimet e opinionit publik.

Fakti që kreu i Kuvendit, aleati kryesor i qeverisë, pranon të takojë protestuesit dhe të flas për dialog dhe mbrojtje të interesit publik, tregon për ndryshime brenda qëndrimit të mazhorancës.

Ditët e fundit, deputetë të LSI-së kanë deklaruar se do të flasin për mbetjet në momentin që do të vij për rivotim ligji në Kuvend. Duke parë dhe qëndrimet e fundit të PS-së për ligjin, gjasat janë që LSI të mos e votojë këtë nismë në Kuvend.

Kjo gjë është shprehur edhe nga vetë përfaqësuesit e shoqatave që ishin pjesë e takimit me kreun e Kuvendit. Ambientalisti Sazan Guri është shprehur se rruga e dekretit për mbetjet është drejt rrugës së duhur. Ndërsa, analisti Artur Zheji në përfundim të takimit tha se “Kreu i Kuvendit, Ilir Meta na la të kuptojmë se pa konsensus nuk ka ligj”. “I vetmi konsensus është vota kundër ‘mbetjeve’”, -është shprehur Zheji drejtuar Metës.

meta-zheji

SHKARKO APP