Imzot George Frendo: Mesha për Krishtlindje do zhvillohet në orën 18:00. Po përshtatemi me orën policore

Për shkak të masave kufizuese, mesha tradicionale e lindjes se Krishtit nuk do të zhvillohet në mesnatë. Pas reagimit që pati një ditë më parë Kisha Katolike, është vendosur që mesha të zhvendoset dhe të mbahet në orën 18:00 të ditës së enjte.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, thotë se është hidhëruar për shkak të masave të reja të qeverisë, pasi ishte planifikuar gjithçka që mesha të zhvillohej në orën 20:00 të së enjtes. Sipas tij vendimi është marrë një ditë pasi kishat kishin njoftuar edhe besimtarët.

”Jo se kanë penguar kremtimin e Krishtlindjes, por ne të dielën në të gjitha kishat në të gjithë Shqipërinë, kemi njoftuar besimtarët tanë që mesha e Krishtlindjes do të kremtohet në orën 8 të darkës. Zakonisht, ku gama e ministrisë dalin me udhëzime të reja zakonisht ditën e premte ose të shtunën thonë do të bëhen kufizime të reja, që nga dita e hënë. Këtë herë një ditë pasi kishin njoftuar që mesha e Krishtlindjes do të bëhet në orën 8 të darkës, ka dalë ky urdhër që në 8:30 fillon mbyllja. Pastaj ishim të detyruar që të njoftojmë besimtarët se nuk do të bëhet në orën 8 por në orën 6 ose 6 e gjysmë. Tani të gjithë e dimë që ne katolikët kemi kremtuar Krishtlindjen në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit. Për këtë arsye ne vërtet jemi ndjerë më shumë të hidhëruar, për këtë fakt vetëm dy ditë, apo 3 ditë para festës së Krishtlindjes dhe një ditë pas njoftimit njerëzit tanë që kremtimi do të bëhet në orën 8 ka dalë ky urdhër. Ishte për këtë arsye që unë kam bërë atë letër”, u shpreh ai.

 

SHKARKO APP