Inceneratorët ngjallin debat në Twitter mes Ramës dhe Bashës: Dita e llogarisë po afron!
Në bashkëbisedimin me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha zbuloi se konçesionari i inceneratorit të Fierit u përzgjodh pa vlerësuar oferta financiare.
Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje sulmeve për kontratat e jashtëligjshme të inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan.
Rama ka shigjetuar Lulzim Bashën duke i thënë se falë impianteve të reja do mund të mblidhen qytetarët, teksa e ka cilësuar politikën e vjetër dhe PD si male me plehra.
“Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit,Fierit e kudo, ku falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë, do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithëfarë“, shkruan Rama.
Këtij reagimi i është kundërpërgjigjur kryedemokrati Lulzim Basha po në rrjetet sociale.
Basha i pergjigjet Rames ne Twitter: Politika e vjetër ka erën e gropës së Hajdin Sejdisë ku nuk vure dorë 11 vjet si kryetar bashkie, ka fytyrën e zërin tënd që për 7 vjet e mbushe vendin me plehra dhe me inceneratorë që djegin vetëm milionat që ke zhvatur nga xhepat e shqiptarëve. Dita e llogarisë po afron!