Infektimi i Piperos, Shehu: Ministria të kërkoj nga “Pfizer” gjendjen bio-aktive të vaksinave që erdhën në Shqipëri pa transparencë

Pak minuta pasi Presidenti i Republikës dekretoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe  kompanisë “Pfizer” për furnizimin e Shqipërisë me vaksinat anti-Covid, si dhe duke marrë shkas nga infektimi i mjekut të njohur Pëllumb Pipero, ka reaguar Partia Demokratike. Ish-deputeti Tritan Shehu, shprehet se Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë nga Kompania “Pfizer” të verifikojë gjendjen bio-aktive të atyre dozave vaksinash të arritura në Shqipëri pa transparencë!

“Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë nga Kompania “Pfizer të verifikojë gjendjen bio-aktive të atyre dozave vaksinash të arritura në Shqipëri pa transparencë!

Kjo nevojë nuk lind vetëm nga infektimi Covid i kolegut mbas 16 ditë të marrjes së dozës së parë (të cilit i uroj shërim të shpejtë e të plotë), por dhe nga gjithë ajo “Odise” e mbuluar me mister dhe parregullsi ligjore.

E kam ngritur këtë shqetësim që ditën e parë:

-Asnjë medikament, aq më shumë një vaksinë si kjo që kërkon kushte shumë speciale ruajtjeje, transporti e aplikimi nuk mund të futet e të përdoret pa Certifikatën e Origjinës së mallit nga Kompania Farmaceutike që e dërgon, si dhe dokumentet e tjera të domosdoshme sipas ligjit.

-Termi i përdorur në doganë “dorazi” është antiligjor, dhe të bën të mendosh për “kontrabandë”.

-Agjencia e Kontrollit të Barnave, që tregoi se realisht nuk ekziston, duhej të kishte një dosje të plotë mbi të cilën të dilte Urdhëri i Importit nga Titullari i Ministrisë, si medikament i pa regjistruar.

-Dhe për këtë dokumentacion nuk ka asnjë “konfidencialitet”, ka vetëm detyrim ligjor për transparencë deri në publikim On line; asnjë shtet i BE-së, donator e kompani farmaceutike serioze nuk mund dhe nuk do të kërkonte të kundërtën.

-Është tjetër gjë për atë që mund ta ketë paguar a sponsorizuar mallin, ajo është një çështje tjetër dhe hyn në kompetencat e organeve të tjera.

-Unë kam ngritur alarmin e shkeljes se rregullave më elementare të “Sigurisë medikamentoze” e “farmako vigjilencës”, rregulla që duhen respektuar me fanatizëm, ndryshe, së paku, vihet në dyshim siguria e efektshmëria e medikamentit.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë sa më parë një verifikim laboratorik nga “Pfizer” për këto doza e një certifikim të rezultateve, gjë që duhet bërë publik”, shprehet ish-ligjvënësi demokrat, Tritan Shehu në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.

SHKARKO APP