Integrimi, Gjosha pret ministrin gjerman të Çështjeve Europiane
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha priti sot në një takim Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Micheal Roth. Në fokus të këtij takimi ishin procesi i integrimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, si perspektiva e vetme për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve.
Ministrja Gjosha, falenderoi z. Roth, për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë vendit me procesin e integrimit, duke shprehur angazhimin më maksimal të qeverisë për vijimin e reformave që janë në funksion të këtij procesi. Ministrja theksoi se puna për përmbushjen e 5 prioriteteve ka vijuar dhe do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe cilësor.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se pavarësisht vetëdijes se Shqipërinë e presin një sërë sfidash përpara, qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë shtysat e duhura në mënyrë që të ruajnë besimin te ky proces tejet i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Bashkëbiseduesit u ndalën tek roli i rinisë dhe shoqërisë civile, si dy prej aktorëve më të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit të integrimit dhe gjetjen e mekanizmave për ti përfshirë ata sa më shumë në këtë proces.
Duke u ndalur tek rëndësia që ka për vendin hapja e negociatave, Ministrja Gjosha shprehu besimin se tashmë janë të gjitha kushtet që të nisë sa më shpejt zbatimi i ligjit të vettingut, i cili do ti hapte rrugën negociatave me BE.
“Ky hap me procesin do të ishte shumë pozitiv për vendin tonë, por nga ana tjetër do të na vendoste në një raport të ri me Bashkimin Europian, i cili do ta kishte më të lehtë monitorimin e reformave që ne po ndërmarrim”, tha Ministrja Gjosha.
Ministri Roth, duke konfirmuar mbështetjen që Gjermania i kushton procesit të integrimit vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerësoi progresin e bërë me reformat e ndërmarra në konsolidimin e shtetit ligjor. Ministri Roth, theksoi se zbatimi i reformës në drejtësi është vendimtar për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë me procesin e integrimit dhe shprehu mbështetjen gjermane në këtë drejtim.
KOHA JONË SONDAZH

