Integrimi në BE, ministri Mazniku: Prej vitit 2027, Shqipëria do të jetë pjesë e programit të Kohezionit Social

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se Shqipëria do të bëhet pjesë e programit të Kohezionit Social të Bashkimit Europian në vitin 2027. Mazniku nënvizon përmes një postimi në Facebook, se në javët e ardhshme pritet të hapen negociatat për kapitujt e integrimit, ku 70 % e ligjeve europiane kanë ndikim në nivel vendor.

Postimi i plotë

Prej vitit 2027, Shqipëria do të jetë pjesë e programit të Kohezionit Social të Bashkimit Europian dhe në javët në vijim pritet që Shqipëria të hapë negociatat për kapitujt e integrimit ku 70% e ligjeve europiane zbatohen në nivel vendor.

Pavarësisht punëve të përditshme, bashkitë duhet të jenë në nivelin e duhur për të qenë të aftë të përfitojnë sa më shumë fonde nga programet e ndryshme BE duke fuqizuar zyrat e tyre të projekteve të BE në mënyrë që të ndryshojmë thelbësisht jetën e qyteteve tona dhe për të forcuar qeverisjen vendore.

Sigurisht për të arritur këtë, do të duhet përfshirja e të gjithë aktorëve lokalë dhe konsultime publike me grupe interesi dhe një staf lokal i përgjegjshëm dhe i aftë. Për këtë, po punojmë me AMVV në trajnimin e stafit nëpërmjet Akademisë së pushtetit vendor, për ta bërë procesin më të lehtë dhe më efektiv.

Konferenca me kryetarët e bashkive e organizuar me bashkëpunimin e Fondacionit Hans Seidel Stiftung, ishte një pikënisje pozitive për qëllimin e përbashkët të pushtetit vendor të fortë dhe të aftë.

SHKARKO APP