Intervista/Bogdanaj: Plani zhvillues për Fierin, LSI merr 5 mandate. Pse Rama lëviz i blinduar nga garda?
Kandidati për deputet i LSI-së në qarkun Fier, Klajdi Bogdanaj: Në çdo familje apo biznes që takoj, ndjej frymën e ndryshimit. Koha e veprimit, para se vendi të braktiset totalisht nga rinia
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Investimi i LSI-së tek të rinjtë është qartësisht maksimal”. Kjo vërtetohet me listat e kandidatëve për deputet, ku në qarkun e Fierit i është dhënë një besim i madh ndaj të rinjëve. Klajdi Bogdanaj ishte vetëm 16-vjeç kur u bë pjesë e LRI-së, dhe sot në moshën 30-vjeçare është kandidat për deputet në këtë qark. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai tregon disa nga pikat që ka LSI-ja për zhvillim e të gjithë qarkut. “Plan konkret për rimëkëmbjen e sektorit të naftës, sektor i cili përfshin pothuajse të gjitha bashkitë e këtij qarku. Do të vërë në punë një industri të fuqishme jo vetëm për Fierin, por për gjithë vendin duke nisur që nga proçesi i nxjerrjes duke vazhduar me përpunim në rafinerinë e Ballshit. Gjithë ky proces ka synim rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit, hapjen e vendeve të punës si dhe uljen e çmimit të naftës, kujtojmë këtu që sot me gjithë këto pasuri të pashtershme nëntokësore ne kemi naftën më të shtrënjtë në rajon”. I pyetur për mandatet që synon LSI-ja në këtë qark, shprehet se po punohet për 5 mandate. Për përplasjet e fundit, siç ndodhi në Elbasan, kandidati i LSI-së nëvizon se kryeministri Edi Rama sot lëviz i blinduar nga garda dhe me një fobi ndaj njerëzve.
Angazhimi juaj në LRI-në e Fierit, e keni nisur që nga mosha 16-vjeçare, e sot në moshën 30-vjeçare renditeni në vendin e tretë në listën e kandidatëve për deputet. Si e shihni këtë pozicionin, pasi duke marrë parasysh rezultatin në 2017, ku LSI-ja mori 2 mandate dhe ju ishin në vendin e 5-të në atë listë, këtë herë renditeni në një vend më pranë fitores. Është ky momenti i duhur që të bëheni deputet?
Angazhimin tim politik e kam nisur në moshë shumë të re. Siç e përmendët edhe ju, unë kam qenë gjimnazist me ëndrra dhe dëshira për vete, bashkëmoshatarët e mi dhe për vendin tim. E kam parë përfshirjen në politikë si një instrument për të qenë pjesë e vendimmarrjes për të ndryshuar apo përmirësuar politikat për të rinjtë, për punësim të mirëpaguar dhe për një ekonomi të shëndoshë. Më tepër sesa renditja apo mandati i deputetit, për mua është një sfidë me kohën, me sistemin dhe për të ardhmen. Një sfidë vlerash. Investimi i LSI-së tek të rinjtë është qartësisht maksimal. Mjafton të shohim listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Fierit. Kejdi, unë, Renato, Kristiani, Blerta, Juardi, Besmiri dhe shumë të rinj tjerë e kemi nisur angazhimin tonë në një moshë shumë të re dhe sot jemi përfaqësues të qytetit tonë. Ky është momenti për t’i dhënë mbështetjen rinisë për të hapur një faqe të re të historisë, investim jo për mua si kandidat apo për një mandat 4-vjeçar qeverisës, por për 50 vitet e ardhshme të Shqipërisë. Do të përcaktohet përfudimisht orientimi i vendit tonë drejt europës.
Rinia politike është një nga shtyllat e LSI-së dhe në këto zgjedhje i’u është dhënë një peshë e madhe, siç e shohim tek Ju. Në bisedat e përditshme me të rinjtë, për çfarë diskutoni më shumë, përpos probleme të arsimit dhe vështirësive të punësimit. Çfarë presin ata nga Ju, edhe pse dihet që partitë në fushata zgjedhore premtimet i kanë joshëse?
Vendi ynë ndodhet në një udhëkryq shumë të madh. Politika i ka braktisur të rinjtë dhe kauzat e tyre. Plaga më e madhe nga e cila vuan sot Shqipëria është largimi masiv i të rinjve të arsimuar, të kualifikuar dhe profesionist drejt vendeve të zhvilluar duke u kthyer në skllevëritt modern të europës. Të gjitha të dhënat tregojnë se shqiptarët zënë vendin e parë në rajon për largimin e të rinjve apo për azil kërkues. Në të gjitha diskutimet tona të përditshme vërehet pasiguria e të rinjve për të ardhmen. Sistem arsimor i ç’organizuar, mungesa e hapësirave për punësim, asnjë përkrahje nga qeveria për hapjen e bizneseve të reja nga të rinjtë dhe gratë. LSI-ja ka hartuar një program ambicioz me profesionistët më të mirë për arsimin dhe punësimin e të rinjve dhe gruas si dy nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë. Tani është koha e veprave përpara se vendi të braktiset totalisht nga rinia.
Cila është shtylla më e fortë e programit eklektoral?
Rinia dhe gruaja janë shtylla kryesore e shoqërisë dhe programi jonë konsiston në përkrahjen e tyre. Investim real tek arsimi dhe rritjen e cilësisë së tij, fuqëzim ekonomik dhe social të gruas. Lidhjen e drejtpërdrejtë të arsimit me tregun e punës. Përgjysmimin e shpenzimeve të studentëve duke ulur tarifat e studimit dhe mundësimin e një pakete në mënyrë që të sigurojë uljen e kostos së jetesës ku do të përfshihen banimi, ushqimi, transporti dhe mjetet mësimore. Masivizimi i programit “Mëso dhe Fito” duke rritur numrin e shkollave profesionale, gërshetim i dijeve teorike me praktika pune të paguara në të njëjtën kohë. “Strategjia për Gruan Sipërmarrëse”, një paketë masash stimuluese financiare për arsim, kualifikim, zhvillim e promovim për nismën e vajzave e të grave.
Qarku i Fierit është një nga qarqet që nuk ka hezituar të shpreh mbështetjen për LSI-në. Çfarë programi keni për këtë qark? Nëse do të pyesim për mandatet, sa keni llogaritur që fitoni?
LSI-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e qytetarëve të qarkut Fier, sepse LSI-ja është parti që e mban fjalën dhe u qëndron gjithmonë në krah qytetarëve të saj jo veç anëtarëve. Sot shqiptarët po përballen me një qeverisje arrogante të papërgjegjshme, e cila ka dëmtuar rëndë ekonominë, duke varfëruar deri në skamje çdo familje. Ka shkatërruar shtetin e së drejtës duke uzurpuar institucionet e pavaruara të drejtësisë, duke mos respektuar kushtetutën dhe ligjshmërinë, duke tronditur rëndë themelet demokratike dhe duke na larguar gjithmonë e më shumë nga BE-ja.
Përsa i përket qarkut të Fierit, LSI-ja ka një progam konkret për rimëkëmbjen e sektorit të naftës, sektor i cili përfshin pothuajse të gjitha bashkitë e këtij qarku. Një plan konkret i cili do të vërë në punë një industri të fuqishme jo vetëm për Fierin, por për gjithë vendin duke nisur që nga proçesi i nxjerrjes duke vazhduar me përpunim në rafinerinë e Ballshit. Gjithë ky proces ka synim rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit, hapjen e vendeve të punës si dhe uljen e çmimit të naftës, kujtojmë këtu që sot me gjithë këto pasuri të pashtershme nëntokësore ne kemi naftën më të shtrënjtë në rajon. Bujqësia, një nga pikat më të rëndësishme të programit tonë për qarkun e Fierit, si një sektor shumë i fuqishëm ekonomik.
Mbështetje të drejtpërdrejtë me një vlerë prej 200 milion euro në vit për bujqësinë e blegtorinë. TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale “Made in Albania”. Kredi të buta për infrastrukturë, sera, stalla, industri agropërpunuese. Pajisja me “Kartën e Fermerit”, ku do të bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore. Me një plan konkret dhe me besimin se qytetarët fierak do të na përkrahin ne synojmë 5 mandate në qarkun e Fierit.
Si do t’ia dilni për arritjen e këtij objektivi? Pse mendoni se në zonën tuaj do të keni mbështetjen e bashkëqytetarëve votues?
Jam i sigurtë në mbështetjen e qytetarëve dhe këtë ua them me bindje sepse në çdo dorë që takoj, në çdo familje apo biznes që më mirëpresin e ndjej frymën e ndryshimit. Rritja e çmimit të dritave, ujit, taksave e tarifave ja kanë marrë frymën ekonomisë shqiptare, konçesionet korruptive, shpërdorimi apo keqmenaxhimi i resurseve tokësore dhe nëntokësore kanë dëmtuar klimën e biznesit dhe tregun e lirë, kanë vrarë shpresën dhe kanë rritur pakënaqësinë qytetare. Qytetarët do të votojnë bindshëm kundër kësaj qeverisje dhe 25 prillin do ta kthejnë në referendum mbarëpopullor, për të çliruar ekonominë nga kthetrat mbytëse të parave të pista të krimit të organizuar, për hapjen e vendeve të punës, për krijimin e hapsirave për bizneset e reja, për një arsim cilësor, për punësim të sigurtë dhe të mirëpaguar.
Çdo tensioni politik që ka ndodhur së fundmi, qeveria i vendos edhe pandeminë, e cila nga ana tjetër do ta vështirësojë fushatën zgjedhore. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën për grumbullimet dhe takimet që po zhvillon. Si e gjykoni, presion apo një problem që shqetëson me të vërtetë kryeministrin?
Problemet e Ramës njihen nga gjithë Shqipëria. Ai sot lëviz i blinduar nga garda dhe me një fobi ndaj njerëzve. Kjo ne nuk na ndalon, sepse janë problemet e kryeministrit në ikje. Ne jemi çdo ditë me qytetarët dhe sidomos me të rinjtë, dhe duam që t’i kthejmë Fierit shkëlqimin e munguar, ta bëjmë Fierin shtëpinë tonë.