Intervistë ekskluzive për KOHA JONE e kandidates për kryetare bashkie në Tiranë, Lajla Përnaska

-Intervistë ekskluzive për KOHA JONE e kandidates për kryetare bashkie në Tiranë, Lajla Përnaska-

Pyetje 1: Ndër gjithë kandidatët në Tirane ju jeni më e djathta ndër ato që thonë se janë të djathtë. Pse zgjodhe PDIU, apo nuk kishit ofertë nga PD e Alibeajt? 

Përgjigje: Gjykoj të rëndësishëm faktin që gara për pushtetin vendor, është e vetmja garë mazhoritare, që të krijon mundësinë për t’u bërë pjesë e saj. Vendimi im për të dalë kandidate për Kryetare të Bashkisë së Tiranës, bazohet në vullnetin për të dhënë një kontribut për qytetin tim, ku kam lindur e jam rritur prej brezash dhe ku kam zgjedhur të jetoj. Dhe gjithë angazhimi im si mjeke, aktiviste e të drejtave të grave, politikane, deputete, është realizuar pikërisht në Qarkun e Tiranës.

Lidhur me këtë kandidim, nuk kam pasur ftesë nga asnjë subjekt politik. Pritshmëria ime ishte që opozita të unifikohej dhe të gjente vullnetin për të dalë me një kandidat të përbashkët në këtë garë të rëndësishme për Tiranën, por realiteti s’është kështu. Unë gjeta zgjidhjen për t’u bërë pjesë e garës, duke marrë mbështetjen ligjore të regjistrimit si kandidate, nga PDIU, që sigurisht i falenderoj për këtë mundësi.

Sigurisht bindjet e mia janë të spektrit të djathtë politik, bazuar në origjinën familjare, por dhe në formimin dhe angazhimin tim edhe në Institucione Ndërkombëtare, siç është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ku jam zgjedhur dhe si Zv.Presidente e grupit politik të Partive Popullore Europiane.

Pyetje2: Çfarë ka nevojë më me prioritet Tirana, sipas kendveshtrimit tuaj?

Përgjigje: Së pari mendoj se Bashkia e Tiranës ka nevojë për një model të ri qeverisës, që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kryetarëve (qoftë të Bashkisë, apo të Partive Politike që janë pas tyre). Një Bashki duhet të funksionojë në efiçiencë e transparencë të plotë për çdo qytetar lidhur me shërbimet që ofron dhe me aksesin për përdorimin e buxheteve, që vijnë nga taksat tona . Parimi im është transparencë 24/7 për 365 ditë të vitit.

Tirana ka nevojë te zhvillohet si një qytet metropol, me një vizion për zhvillim urbanistik afatgjatë, që t’I shërbejë, jo një, apo dy mandateve bashkiake, por t’i shërbejë brezave në vazhdimësi. Tirana duhet kuruar lidhur me probleme të mëdha, që rëndojnë jetesën tonë të përditshme, si trafiku I ngarkuar, ndotja e tepërt e ajrit, ruajtja dhe maksimizimi i hapësirave të gjelbërta, që janë mushkëria e qytetit, rritja e furnizimit me ujë të pijshëm, zhvillimi i biznesit të vogël dhe agrobiznesit, duke qenë njëkohësisht dhe një Tiranë sociale, për të gjitha kategoritë në nevojë dhe të margjinalizuara.

Qasja ime ndaj grup-moshës së të rinjve, është për t’i dhënë atyre çdo mbështetje nën kompetencën e Bashkisë, që të mos zgjedhin emigrimin për jetesën e tyre.

Pyetje 3: Komuniteti çam në Tiranë nuk është i vogel, por jo aqsa të marrë Bashkinë, atëhere pse gjithë ky stermundim fushate? Apo synon te anoncosh gjerat që mendoni se Tirana ka nevojë të ruaj si histori dhe ato që duhen se ardhmes?

Duke respektuar rolin e komunitetit çam në Tiranë dhe jo vetëm, unë në këtë garë timen, i adresohem çdo qytetari të Tiranës, çdo votuesi, që së pari është i pakënaqur me mënyrën si është qeverisur Tirana deri më sot.

Gjithashtu kontigjent mjaft i rëndësishëm votues për mua, është ai i abstenuesve në votim, një numër fatkeqësisht gjithnjë e në rritje (rreth 57%), një pjesë e mirë e të cilëve kanë një zhgënjim nga partitë politike.

Patjetër që i adresohem me një fokus të veçantë dhe grave dhe vajzave votuese, jo vetëm si e para grua kandidate në historinë e garës për Bashkinë e Kryeqytetit, por dhe si aktiviste dhe mbështetëse e

kauzave për të drejtat e tyre dhe kontribuese për rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave, në jetën

politike në vend dhe barazinë gjinore në vendimarrje. Unë do bëj çdo përpjekje, nën moton “Ti je Vlera e Tiranës” dhe me shpalosjen e platformës sime, për të fituar besimin e votuesve, që të ushtrojnë pushtetin e votës më 14 maj.

Pyetje 4: Këlliçi apo Bejko është më i djathte i mundshëm?

Nuk është çështja se kush është për mua më i djathti i mundshëm, por duhet parë realiteti, duke u bazuar në historikun dhe reputacionin e secilit kandidat, për të kuptuar se sa i djathtë, ose jo është profili i tyre.

Unë vlerësoj profilin politik të individit, që investon afatgjatë dhe nuk është thjesht produkt partie, apo katapultë kryetari partie, por është investim i punës së tij dhe arritjeve profesionale dhe politike. Identitetin e së djathtës, sigurisht nuk mund ta gjesh në miksime laramane, me parti të majta.

Në bazë të këtyre kritereve , kushdo e bën lehtësisht vlerësimin për çdo kandidat në garën për Tiranën.

Pyetje 5: Si e mendoni realisht: kush e fiton Tiranën, ndonëse ju do thoni E FITOJ UNE?

Unë uroj shumë që të paktën në këto zgjedhje, Tiranën ta fitojnë qytetarët e Tiranës, jo thjesht Kryetarët (Të Bashkisë dhe të partisë bashkë).

Tirana është qeverisur nga individë që kanë lidhur interesat e drejtimit të Bashkisë me ato të Partisë. Modeli i shfrytëzimit të karriges së Kryebashkiakut, si trampolinë për të kapur karrigen e kryetarit të partisë (siç është rasti i Z. Rama, Z. Basha, mbase dhe Z.Veliaj dhe madje mund ta ketë dhe në ëndrrat e veta ndonjë kandidat i opozitës), është provuar në këto dy dekadat e fundit, se nuk i ka shërbyer mirëqeverisjes së Tiranës.

Profili im për Kryebashkiakun e Tiranës, është:

1-Të jetë një qytetar i thjeshtë, si gjithë të tjerët (pa kostum pushteti politiko-partiak) dhe me integritet.

2-Të dojë me zemër Tiranën (nëse ti e do qytetin tënd, së pari s’mund t’i bësh dëm atij)

3-Të njohë dhe të respektojë Ligjin.

4-Të ketë frikë nga shkelja e Ligjit.

Pyetje 6: Sondazhet po japin fitore dërmuese për Erion Veliajn, a i besoni sondazhet?

Edhe pse jam skeptike për sondazhet dhe nuk i kam aplikuar ato në fushatat e mia paraprake, nga të cilat në fakt kam dalë fituese (kam fituar dy mandate, si deputete e Qarkut të Tiranës), ajo që mund të them, është se fushata sapo ka nisur dhe në konceptin dhe eksperiencën time, është një proçes mjaft dinamik.

Ne si kandidatë kemi detyrë të shpalosim vizionin tonë dhe programin për mirëqeverisjen e Tiranës, për të fituar besimin e qytetarëve, të cilët do të japin verdiktin e tyre nëpërmjet votës më 14 maj.

Por dua të theksoj se kjo garë është e pabarabartë, sepse statusi jonë si kandidatë është mjaft I ndryshëm. Janë kandidatët e Partive të mëdha, që kanë dhe financa të forta, kontrollojnë infrastrukturën zgjedhore, duke krijuar avantazh, që në fillim të kësaj fushate.

Këto janë handikape të sistemit zgjedhor që kemi ende në fuqi, që në gjykimin tim duhet të ndryshojë urgjentisht, për të arritur standarte zgjedhore që i duhen Shqipërisë së vitit 2023.

Pyetje 7: Ta zemë se fitove Bashkine, a do ta mbushnit me elementë femër krejt bashkine me idene se femrat jane me korrekte me ligjin?

Sigurisht gjithmonë kam besuar në kapacitetet femërore në vendimmarrje, në qasjen e tyre në raport me pushtetin, pa diskriminuar aspak meshkujt.

Në konceptin tim, bazë është që të jetë njeriu i duhur në vendin e duhur, në bazë të kapaciteteve dhe meritokracisë. Unë, nëse marr votëbesimin e qytetarëve, së pari do të çliroj Bashkinë e Tiranës nga militantizmi partiak, duke aplikuar vetëm garën e hapur, për çdo pozicion drejtues të këtij institucioni të rëndësishëm.

Gjithashtu do të aplikoj koefiçientin e efiçiencës së çdo punonjësi në raport me qytetarët, të cilët duhet të

japin vlerësimin e tyre për çdo shërbim, brenda afateve të caktuara, që ata marrin nga Bashkia e Tiranës.

Pyetje 8: Tirana ka patur zhvillim sipas jush me Erjon Veliajn, apo vetem ka renkuar dhe vuajtur shumë?

Unë kam përmendur më lart një sërë problematikash, që ne hasim në përditshmërinë tonë në Tiranë, që kërkojnë zgjidhje sa më parë.

Sigurisht që janë bërë punë dhe investime të mira për zhvillimin e Tiranës gjatë këtyre viteve dhe në infrastrukturë dhe madje ka një bum ndërtimesh, sidomos në qendër e rrotull saj.

Por puna është ç’lloj zhvillimi është, sa efikas dhe i aksesueshëm është për qytetarët ky bumndërtimesh?

A përputhet ai me realitetin ekonomik të banorëve të Tiranës, me fuqinë blerëse të tyre?

A kanë akses qytetarët e Tiranës për këtë lloj zhvillimi?

Unë nuk jam kundra ndërtimeve, por ato duhet të jenë të mirëstudiuara dhe Tirana nuk është vetëm qendra, por është dhe periferia ajo që duhet të zhvillohet në të gjithë territorin dhe dimensionet e saj.

SHKARKO APP