Intervistë/Kërpaçi tregon pse rinia është vendimtare në zgjedhjet e 25 prillit: 3 pikat e forta të LSI-së

Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi në një intervistë për “Koha Jonë”: Me votë, përmes një procesi demokratik model, të sjellim një kulturë të re demokratike për fatet tona, të ndahemi përgjithmonë nga e keqja

Intervistoi: Redjon Shtylla

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar datën 25 prill të 2021 për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Fushtata ka nisur edhe tek Lëvizja Socialiste për Integrim dhe takimet e para kanë nisur me rininë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi tregon pse kjo forcë politike është përqëndruar tek rinia.

Ajo thotë se angazhimi i brezit të ri është vendimtar në përcaktimin e drejtimit sesi do të jenë zhvillimet në vend. “Nëse kemi një rini aktive, të angazhuar, që përfshihet në proceset vendimarrëse, që ushtron të drejtën e votës dhe e ngre zërin për problemet e veta, Shqipëria ka të ardhme. Qëndrimi pasiv nuk i shërben mirëqenies së brezit të ri por ruajtjes së pushtetit nga establishmeti i politikës së vjetër; jo i politikës së vjetër si moshë por stilit të vjetër politik të interesave personale, korruptive dhe pa vizion për zhvillimin e përgjithshëm të vendit”.

Për pyetjen se konkretisht çfarë programi ka LSI-ja për rininë dhe që ta të qëndrojnë në Shqipërinë e të mos largohen masivisht nga vendi, Kërpaçi thekson se “LSI ka një program të dedikuar rinisë për arsim cilësor të lidhur me tregun e punës, në mënyrë që një i ri jo vetëm të arsimohet por arsimi që merr të ketë lidhje me tregun e punëve të së ardhmes; për punësim të mirëpaguar, synon rritjen e pagave dhe të ardhurave mujore neto të profesionistëve të rinj në mënyrë që në rroga e një të riu mos të shkojë vetëm për taksa shteti dhe detyrime; si dhe kemi hartuar projekte mbështetëse për çiftet e reja, për të lehtësuar strehimin në shkallë kombëtare”.

Prej ditësh, së bashku me kryetaren e LSI-së, znj.Monika Kryemadhi keni zhvilluar takime me të rinjtë, ku mesazhet që jepni është që rinia ka fatin e vendin në dorë. Duke qenë se jeni në kohë fushate, përqëndrimi i LSI për zgjedhjet e 2021 janë pikërisht të rinjtë?

E ardhmja e një vendi shihet në fytyrat e të rinjve. Angazhimi i brezit të ri është vendimtar në përcaktimin e drejtimit sesi do të jenë zhvillimet në vend. Nëse kemi një rini aktive, të angazhuar, që përfshihet në proceset vendimarrëse, që ushtron të drejtën e votës dhe e ngre zërin për problemet e veta, Shqipëria ka të ardhme.

Qëndrimi pasiv nuk i shërben mirëqenies së brezit të ri por ruajtjes së pushtetit nga establishmeti i politikës së vjetër; jo i politikës së vjetër si moshë por stilit të vjetër politik të interesave personale, korruptive dhe pa vizion për zhvillimin e përgjithshëm të vendit. LSI është krijuar më 6 shtator 2004 pikërisht si një Lëvizje për ti dhënë jetë nevojave të brezit të ri për tu përfaqësuar. Partitë e stilit të vjetër fatkeqësisht janë ende peng i gabimeve dhe mentalitetit të një kohë që i ka ikur koha.

Ndërkohë LSI është forca politike e parë që ka promovuar rininë në Parlamentin e Shqipërisë, në Këshillat Bashkiakë, në ekzekutiv, si dhe në pozicione drejtuesë të forumeve të partisë. Mbështetja e pakufizuar për brezin e ri dhe për gratë është në vizionin e LSI për të ardhmen. LSI nuk mendon thjesht për zgjedhjet e radhës, por ka vizion për zhvillimin e Shqipërisë në 30 vitet e ardhshme.

Nga biseda me ta, çfarë i motivon që të jenë të përfshirë në politikë. Konkretisht, çfarë programi ka LSI-ja për rininë dhe që ta të qëndrojnë në Shqipërinë e të mos largohen masivisht nga vendi?

Ne duam ti japim mundësinë të rinjve të dëgjohen. Duam që njohja me politikën dhe me LSI-në të mos iu mbetet në nivelin e propagandës që u shërbehet nga qeveria në televizor apo facebook, por të jemi të prekshëm, të arritshëm, në mënyrë që rinia të njihet nga afër me njerëzit që përfaqësojnë LSI-në, me programin dhe vlerat tona. Afërsia me njerëzit e ka diferencuar gjithnjë LSI-në nga partitë e tjera dhe ka qenë çelës i suksesit tonë. Sot rinia shqiptare nuk ka nevojë për parti politike apo politikanë që i bërtasin nga foltoret për ti “treguar” se çfarë duhet të bëjnë. Vajzat dhe djemtë e Shqipërisë kanë shumë njohuri dhe mendim kritik që duhet respektuar.

LSI ka një program të dedikuar rinisë për arsim cilësor të lidhur me tregun e punës, në mënyrë që një i ri jo vetëm të arsimohet por arsimi që merr të ketë lidhje me tregun e punëve të së ardhmes; për punësim të mirëpaguar, synon rritjen e pagave dhe të ardhurave mujore neto të profesionistëve të rinj në mënyrë që në rroga e një të riu mos të shkojë vetëm për taksa shteti dhe detyrime; si dhe kemi hartuar projekte mbështetëse për çiftet e reja, për të lehtësuar strehimin në shkallë kombëtare.

LSI-ja është partia e fjalës së mbajtur dhe investimi i besimit te LSI-ja përmes votës në ditën e zgjedhjeve, është dëshmuar për çdo mbështetës të këtij vizioni që ka qenë një investim me vlerë.

Shqipëria po kalon një krizë të rëndë politike, ku jemi në kushtet kur qeveria nuk pranon dialog dhe bën gjithçka për minimin e konsensusit së 5 qershorit për një Kod të ri e të gjithëpranuar zgjedhor, çka duket sikur mazhoranca aktuale kërkon fitore mandatesh në tavolinë. Do preket LSI-ja nëse në zgjedhjet e 25 prillit 2021 nuk shkon në koalicion por del e vetme?

Tani që Presidenti i Republikës ka përcaktuar një datë për zgjedhjet për Kuvendin, fokusi nuk mund të jetë më çfarë do qeveria shqiptare, e cila është në ikje por çfarë duan qytetarët, rinia shqiptare. 5 qershori është një standard që na afron me Bashkimin Europian dhe nuk mund të prishet nga askush. LSI dhe opozita e bashkuar janë fituese në zgjedhjet e 25 prillit.

Mesazhi im shkon për të gjithë popullin shqiptar që do të jetojë i lirë në Shqipëri. Bashkë dhe më të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe ndjekin me kureshtje zhvillimet ne Shqipëri. Këto zgjedhje që vijnë përcaktojnë 30 vitet e ardhshme, përcaktojnë drejtimin e Shqipërisë në kohërat më sfiduese, ndaj të gjithë duhet të jemi në kutitë e votimit më 25 Prill 2021.

Me votë, përmes një procesi demokratik model, të sjellim një kulturë të re demokratike për fatet tona, të ndahemi përgjithmonë nga e keqja dhe të nisim një kapitull të ri për një Shqipëri europiane që i shërben familjeve të shqiptarëve.  LSI do të jetë aty me alternativën dhe pasionin për ti shërbyer të gjithë shqiptarëve që besojnë tek vetja, besojnë tek forca qytetare për të ndryshuar vendin. Bashkë do të kthejmë besimin tek Shqipëria, shtëpia e të gjithë shqiptarëve.

SHKARKO APP