Intervistë para largimit, Vlahutin: Lista prioritare e Vetting-ut përfundon në shtator
Në përfundim të mandatit të saj si ambasadore e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle. Ajo thotë se lista prioritare e Vettingut duhet të përfundojë aty nga fundi i shtatorit.
Znj. Ambasadore Vlahutin, Komisioni Europian dhe qeveria e Shqipërisë kanë filluar këtë javë procesin e vlerësimit analitik ose screening për reformat dhe rezultatet e tyre të deritanishme në Shqipëri. Cilat janë pritshmëritë e Komisionit nga ky process, në kuadër të angazhimit të tij për të mbështetur Shqipërinë në hapjen e negociatave të pranimit në BE, në qershor 2019?
Screening është një fazë shumë e rëndësishme përgatitore para se institucionet e BE të mund të përgatisin kuadrin e negociatave. Ky proces i shërben si autoriteteve kombëtare, ashtu edhe shërbimeve të Komisionit Evropian (KE) për të vendosur në ҫ’masë dhe në cilat elemente legjislacioni kombëtar i Shqipërisë është i ndryshëm nga ai i BE-së, ҫfarë ndryshimesh do të duhet të miratohen për afrimin e tij me Accquis të BE. Pra, me fjalë të tjera, screening do të vendosë të gjitha ndryshimet, që ende duhet të ndodhin, sepse kur Shqipëria të fillojë zyrtarisht negociatat ҫdo ligj, para se të miratohet në parlament, duhet më parë të dërgohet në shërbimin e rëndësishëm në Bruksel, që ky shërbim të jetë i sigurtë se ligji është në linjë me Acquis.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u bëri kohët e fundit thirrje forcave pro-perëndimore të Shqipërisë që të bashkëpunojnë për të arritur hapjen e negociatave vitin që vjen. Cilat forca janë pro-perëndimore në Shqipëri?
Nga përvoja ime në vend, pro-perëndimor, nëse doni thellësisht europian, është identiteti i shqiptarëve, baza më e fortë e mundshme për të gjitha ambiciet shqiptare për t’iu bashkuar BE-së. Mbështetja e qytetarëve të Shqipërisë ndaj bisedimeve të pranimit dhe anëtarësimit në BE është e padiskutueshme, madje edhe më shumë se kaq: të gjithë shqiptarët luftojnë për liri, duke përfshirë edhe luftën kundër diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, luftojnë me kurajo dhe dëshirë të thellë për ta pasur kombin e tyre pjesë të komunitetit të kombeve europiane. Ky identitet shumë i qartë europian e bën Shqipërinë gjithashtu një partnere të besueshme dhe të besuar në NATO dhe gjithë politikat e jashtme të sigurisë të BE.
Çfarë mund ta kërcënojë ritmin e vazhdimit dhe thellimit të reformës në drejtësi? Deri në qershor 2019 ka mbetur më pak se një vit dhe reforma deri tani ka pasur vonesa të vazhdueshme.
Nuk pajtohem disi me nocionin e vonesave, sepse kur shikon objektivisht këtë reformë ajo është vërtet mahnitëse: kaq gjithëpërfshirëse, që kërkoi ndryshimin e 1/3 së Kushtetutës, miratimin e 40 ligjeve të reja, që realizoi një ridizenjim të plotë të sistemit, duke përfshirë vetting-un dhe ngritjen e institucioneve të reja, që nisi nga zeroja vetëm 3 vjet më parë. Në vende të tjera edhe reforma më të vogla marrin më shumë kohë. Sot jemi dëshmitarë të progresit të rëndësishëm të vetting-ut dhe lista prioritare duhet të përfundojë aty nga fundi i shtatorit. Ajo do të krijojë mundësinë për ngritjen e institucioneve të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të fillojnë funksionimin e tyre. Ndërkohë ka pasur dhe ende ka shumë përpjekje, nga ata që kundërshtuan reformën për shkak të interesave vetiake, që e sulmuan atë me mjete të ndryshme, por që dështuan. Sistemi i ri i gjyqësorit është tani një realitet kushtetues. Pati humbje kohe për shkak të atyre përpjekjeve të dështuara dhe grindjeve politike, por edhe këto të fundit janë pjesë e procesit. Natyrisht, në një reformë kaq gjithëpërfshirëse, të duhet të presësh edhe momente të vështira, por e rëndësishme është që njerëzit kuptojnë se kjo reformë është vendimtare për shoqërinë dhe se nuk është e mundur të ndryshosh në pak muaj atë që është shkatërruar për dekada të tëra.
Në fillim të këtij muaji, në Samitin e Londrës, në kuadër të investimeve në Ballkanin Perëndimor (BP), KE shpalli Instrumentin e ri garantues për BP. A mund të jetë ky instrument një Plan Marshall i BE për rajonin edhe pse kemi të bëjmë me dy instrumenta të ndryshëm në kohë dhe objektiva: Plani Marshall financoi me 13 miliardë dollarë, nga 1948-1951 rimëkëmbjen ekonomike të Europës pas Luftës së Dytë Botërore, kurse KE planifikon të financojë me 1 miliard Euro rajonin, për një periudhë të papërcaktuar?
Mendoj se nuk mund dhe nuk duhet të krahasojmë 1948 me 2018 sepse shumë gjëra janë ndryshe. Tanimë, kuadri i investimeve në Ballkanin Perëndimor (BP) ka siguruar shumë mbështetje dhe Instrumenti ri garantues është një shtim i shkëlqyer i kësaj mbështetjeje. BE është duke punuar dhe investuar në vendet e BP, në kuptimin e plotë të fjalës, në të gjitha fushat, që nga qeverisja e mirë deri tek infrastruktura. Por nuk është vetëm një investim në vende të veҫanta, është një investim në stabilitetin e rajonit dhe të BE gjithashtu, përderisa vendet e BP janë një pjesë e pandarë e sigurisë sonë të përbashkët dhe sferës ekonomike. Plani Marshall ishte një përpjekje për rindërtim pas lufte dhe pati rezultate jashtëzakonisht të mira, jo vetëm për ekonominë por në rradhë të parë për paqen dhe stabilitetin. Investimi në BP është një investim i vazhdueshëm në tërë Europën, e lirë dhe në paqe.
Znj. Vlahutin, ju plotësoni në fund të këtij gushti, kohën e detyrës suaj si Ambasadore e Delegacionit të BE në Shqipëri. Brenda katër viteve të kësaj detyre, filloi dhe eci zbatimi i Reformës në Drejtësi, nisi dhe po vazhdon vettingu për gjykatësit dhe prokurorët, Shqipëria ka një datë për hapjen e negociatave të pranimit në BE, nëse do t’i bëjë “detyrat e shtëpisë”. Si i shihni në tërësi vitet që keni kaluar në Shqipëri në detyrën e Ambasadores?
Jam shumë e lumtur dhe krenare që ia dolëm mbanë të gjithë bashkë, dua të them institucionet e Shqipërisë dhe shoqëria civile, ambasadorët e shteteve anëtare të BE, kolegët e SHBA, gjithë shërbimet e BE-së që u përfshinë për të realizuar këtë reformë thellësisht të rëndësishme dhe që patëm një mbështetje shumë të madhe nga shqiptarët, gjatë gjithë kohës, në mënyrë konstante të më shumë se 90% të qytetarëve të Shqipërisë. Drejtësia është një gur themeli për ҫdo demokraci funksionale. Asnjë reformë tjetër nuk mund të zbatohet realisht para se të kesh një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe të aftë. Gjatë katër viteve të mia në Shqipëri punuam shumë për të gjallëruar dhe forcuar punën e shoqërisë civile dhe qeverisjes vendore. Natyrisht u angazhuam edhe në të gjitha reformat e tjera në veҫanti në ato që lidhen me zbatimin e ligjit në përgjithësi, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, me reformën në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Pashë rezultatet e angazhimit tonë me publikun dhe është vërtet interesante kur sheh që përgjigja e medias së vërtetë sociale ndaj punës sonë është rritur 1000 %. Kjo do të thotë se nuk flasim dhe nuk punojmë më kot, njerëzit kanë njohur dhe kuptuar ndryshimin që integrimi europian sjell në cilësinë e jetës së tyre të përditshme. Personalisht për mua kjo është shumë e rëndësishme: që qytetarët të shikojnë dhe të kuptojnë plotësisht që BE është një forcë e ndryshimit për më mirë.
Cila është sfida më e madhe gjatë detyrës tuaj në Shqipëri si ambasadore e BE-sԹ? Cilat janë përvojat më të mira që do merrni me vehte?
Sfida më e madhe ishte padyshim antagonizmi i brendshëm politik dhe interesat personale të grupeve, që në mënyrë konstante u përpoqën të kërcënojnë, bëjnë shantazh, të ulin dhe sulmojnë përpjekjet për reformat, qoftë kjo reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, financat publike. Gjithsesi, njëherazi, përpjekjet për të parandaluar ose bllokuar reformat ishin prova më e mirë që këto reforma ishin jashtëzakonisht të nevojshme dhe në interesin më të mirë të axhendës shqiptare të BE-së. Për sa i përket përvojave të mia më të mira: do të duhej shumë hapësirë për t’i listuar. Por do të thoja, mbi të gjitha, përvoja nga njerëz të mrekullueshëm, shumë punëtorë, të ndershëm dhe të menҫur që i takova kudo. Dhe veҫanërisht nga gratë e jashtëzakonshme, fenomenale të Shqipërisë. Çdo takim i tillë i jep një kuptim, vlerë më shumë, gjithë sa po bëjmë në Shqipëri, sepse në fund të fundit, të gjitha reformat kanë një qëllim thelbësor: ta bëjnë më të mirë jetën e njerëzve.
Burimi: /DW/