Ironia e Agron Gjekmarkaj: Kur erdhi lideri në sallë, ministrushët si zymbylë e ministreshat si burbuqe

Nga Agron Gjekmarkaj

Kur erdhi Lideri në sallë?!

Dje ishte një ditë e madhe për parlamentin tonë! Vetë ai, vetë Lideri Edi Rama erdhi në sallë. Na begenisi se kishte kohe që na mungonte. I madh ishte gezimi që shkaktoi. Ministrushët si zymbylë dhe ministreshat si burbuqe kthyen koken me buzqeshje të ëmbël e të përunjur e cila nuk mund të shperthente në gaz kurrsesi. Lideri e ka zët konfidencën e tepërt. Si adhurues i terezisë shfaqet ai.

Me hap të matur e të rëndë, me shikim të vrenjtur si projeksion mendimesh të shumta ja behu. Karrigen si të ishte një pupel e spostoi. U ul, leshoi një ehh të lehtë, krojti mjekrren me nge dhe shikimin lëshoi cep me cep me qesëndi të përmbajtur pastaj pyeti çka ndodhur? Elisa e cila kishte përballuar furinë armike e vetme deri atë moment hazerxhevap e futi në temë. Armiqtë i tha kanë rrethuar Margeritin nga të gjitha anët me armë qe tanët po u japin. Një “hëm” sfidues çau ajrin.

Por menjeherë dhjetë ministra u turren ti jepnin informacion si per ti thënë asgjë e denjë për veshët e tu, por me një gjest dekurajues shpërfilljeje e ndërpreu shërbesen. Nuk po i jepnin adrenalinë pergjigjet. Fap ata heshten njeherazi dhe një maraz lëngues mbi fytyra u pa.

Nxorri telefonin dhe pyeti njërën prej ministreve që ajo ti bënte një permbledhje siç mideja ja lyp.

Për Butrintin u bë sherr gjithë pasditen. Enea themeluesi vetë nga varri të jetë çuar nuk do ta mbronte siç bëri opozita.

Margeriti si Helena mbi bedena shihte atë zezonë e tmerr dhe çirrte faqet teksa Tritani si Akili me makinën e tij të luftës e cila lëshonte gërr merr dërr dërr, puf puf po i shkatërronte muret! Ina lëshonte shigjeta të helmura nga fat i tërbuar ! Jorida mbushur me nostalgji urbane numëronte shkatërrimet dhe xhani i sëmbonte. Grida shihte pa lëkundje qerpiku dhe duart ngrohte mbi zjarrin që kapi sallën.

Më pas filloi debati i vërtetë dhe kjo ishte pjesa më goditese. Lideri foli si profet , shpesh e me pasion , siç ai di, sidomos kur u ngacmua për qëndrimet ndaj persekucionit komunist. Aty i braktisi parimet e medha dhe parodizimet filloi.

Ekipi nga pas buzëqeshte, qeshte dhe kukurisej me dashuri të pamatë dhe elikzir. Bekim , bekim shkrehej Ikonomi. Ky është bariu ynë ëndej Krifca. Këndej nga salla jo të gjithë pagëzoheshin me lumturi. Per shembull, Braçe zymtohej si xhind. Xhafës nuk i lëvizte asnjë muskul! Bora e shihte xhaxhi Fatmirin dhe se kuptonte dot merzinë e tij kur vete ishte e gezuar me çdo gjë që Babo thoshte.

Mimi kishte ulur koken që të mos i shihej heshtja. Pandi tunde koken sikur thoshte allah allah ç’na ka gjetur! Damua shikonte Liderin drejt në sy dhe mallëngjehej teksa i thoshte gjitonit, “e kupton apo jo ne jemi bashkëkohes me ketë, na ka puthur fati në ballë na ka puthur more qafir”!

Ky është momenti kur ambicja fërkohet me mundësinë dhe shikimi i lyen rrugën me bindje.

Ministrja Ibrahimi e cila qesh me vete pothuaj gjithmonë kur në pasqyren e Narcizit shihet po kaq, shkrihej dje nga përdëllimi edhe kur të tjeret rrinin sus! Kjo e uruar pernginjet në gaz gjithë lezet sidomos kur flet Ai nga adhurimi e më teper kur llafosemi ne të opozites si të padenjë.

Kumbaro ka ca kohë që rri e ngrysur si ditë dimri duke na preukupuar për shëndetin e marrdhënjeve të saj me Liderin.

Çuçi dukej si dollibash. Ai u printe duartrokitjeve të furishme. Kur ato mekeshin u jepte zemër duke i pllaquritur me deshire e zjarr pëllëmbet e levizur shpatullat.

Shalsi merrte sinjalin dhe ja kthente ison nga salla e kësisoj duartrokitja s’kishte të sosur. Blerina nuk e fsheh entuziazmin e cili nuk po shpërblehet kur e si duhet.

Toni e di që ka një kohe per të mbjellë e një per të korrë dhe po mbjell me nge. Etilda gjithe diten e lume rri kokëulur mbi kompjuter dhe të keput shpirtin se lodhet ! E le të shkruarën me përhumbje vetëm kur duhet duartrokitur!

Tao dje nuk ishte në formë. Damo e ministrushi Ben dukeshin të qeshur. I mërzitur si gardian i rregullores, sepse seanca po zgjatej pa fund ndaj levizte duart me padurim.

Lideri ishte gjithë shënd dhe po i këndeshin qyfyret. Perpjekjet e tij për autoritet nuk po merreshin në konsiderate nga Kryetarja Linditë e cila dje tek përtesa për të folur nuk kuptohej nëse paqe kishte gjetur apo trazim fshihte.

Lideri pasi u lodh së foluri u shkryth pak atje sipër dhe beri ca shakara me kripë me Ulsiun i cili e zgjati koken nja 40 cm dhe e pa të arsyeshme të hokatej së qeshuri sikur për herë të parë e kishte zbukuar atë (të qeshurën), duke tundur kokën nga shkrepëtimat e gazit.

Nga ajo anë të gjithë ishin të lumtur dhe kokëzgjatur por kjo qe një padrejtesi për grupin e ministrave të ulur në krahun e djathtë. Ministrushi Arben i cili diçka kapi qeshi aq sa shefi t’ja degjonte zërin po pa treguar zell, të tjeret e asaj ane per inerci bënë sikur.

Manastirliu shpirt njeriu gjithmonë e buzëqeshur dje në një seriozitet çeherlinjesh ishte përfshirë.I vetmi minut sherbeti ishte shakaja e Liderit.

Nikua qeshi per të qenë brenda as ulet shumë po as sa kukurima e Ulsiut. E di ai, tepria të merr në qafë. Ja, nëse Ditmiri asokohe do i thoshte shiko, nuk po hyp në makine se nuk dua të të shtrengoj se boll halle ke, më ndryshe do kishte qene fati i tij po i hengri goja që e hëngërt dheri.

Dy fjalë edhe per vete ! Pas duelit retorik me Triton nga ku dola i dërrmuar s’pata fuqi të flas. E shihja boten me mjegull dhe më pihej ujë nga plagët, vetëm keto imazhe arrita të fiksoj si dëshmi e ditës parlamentare. Disa herë shkova në kafe të mblidhja veten ku vetem Grida lotoi bashkë me mua për dërrmën që mora! Por ishte e paharrueshme dita me liderin mes nesh, dhe Ai të tretën ditë i takon të ngjitet në qiell duke lënë mes nesh misterin dhe rrëfënjat për të !!!

SHKARKO APP