Ish-ambasadori në Maqedoni, Bashkurti: Shansi i fundit për Ali Ahmetin

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Lisen Bashkurti në një analizë të tij rreth situatës së fundit poltike në vendin fqinj deklaron se BDI e Ali Ahmetit, edhe pse i ka numrat e nevojshëm për të formuar një qeveri të përbashkët me VMRO-DPMNE e Gruevskit, nuk duhet ta bëjë një koalicion të tillë.

Pasi sipas Bashkurtit, riciklimi i të njëjtit koalicion qeveritar VMRO-DOMNE-BDI sikundër mandati i parazgjedhor do ishte në thelb riciklimi i krizës politike, institucionale, ndëretnike dhe gjeopolitike për Maqedoninë.

“Ky lloj riciklimi në margjina shumë fluide nuk do mbështetej as ndërkombëtarisht nga BE dhe ShBA, që kanë qenë tejet kritik ndaj tij. Riciklimi i krizës do risillte shpejt destabilitet të përgjithshëm, çka do provokonte sërish zgjedhje të parakohshme. Vendi do vijonte qerthullin e krizës”- shprehet Bashkurti.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe nisur nga kjo problematikë, ish-ambasadori i vendit tonë në Maqedoni, teksa bën apel që një koalicion i tillë të mos pranohet, i bën apel Ahmetit që të mbështesë rrotacionin qeverisës në Maqedoni dhe të bashkohet me partitë e tjera shqiptare në Maqedoni.

Swiss Digital Mobile Reklama

Analiza e ish-ambasadorit Lisen Bashkurti

Shansi i fundit…

Zgjedhjet në Maqedoni kanë mbaruar, por qeveria e re akoma nuk është krijuar. Në zgjedhje humbësit më të mëdhenj ishin VMRO-DPMNE e Gruevskit, që humbi mazhorancën absolute, si dhe BDI e Ali Ahmetit që humbi 50 përqind të deputetëve.

Nga kampi opozitar LSDM e Zaevit pati rritje te madhe. Sikundër patën përfaqësim interesant subjektet e reja shqiptare BESA dhe Aleanca për Shqiptarët. PDSh ra thuajse tërësisht nga skena politike.

Pavarësisht humbjes së thellë politike, për shkak të numrave në margjina shumë kritike sërish VMRO-DPMNE e Gruevskit ka iniciativën e parë për formimin e qeverisë për arsye se ka një deputet më shumë se LSDM e Zaevit, partia më e madhe opozitare maqedone.

Për këtë prioritet, me një deputet, Presidenti Ivanov ka mandatuar dje Gruevskin për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Për këtë iniciativë kandidati i nominuar Gruevski po nis negociatat me aktorët e tjerë politikë. Gruevskit i nevojiten edhe dhjetë deputetë për të arritur një mazhorancë prej 61 votash në një parlament me 120 deputetë.

Këtë kuotë Gruevski mund ta arrijë vetëm në koalicion me BDI-në e Ali Ahmetit, i cili matematikisht i ka dhjetë deputetë të fituar në zgjedhje. Por a do futet në koalicion me VMRO-DPMNE e Gruevskit, Ali Ahmeti? Ka disa arsye që na shtyjnë të mendojmë se Ali Ahmeti do refuzojë hyrjen në koalicion me VMRO-DPMNE e Gruevskit.

Së pari, riciklimi i të njëjtit koalicion qeveritar VMRO-DOMNE-BDI sikundër mandati i parazgjedhor do ishte në thelb riciklimi i krizës politike, institucionale, ndëretnike dhe gjeopolitike për Maqedoninë. Ky lloj riciklimi në margjina shumë fluide nuk do mbështetej as ndërkombëtarisht nga BE dhe ShBA, që kanë qenë tejet kritik ndaj tij. Riciklimi i krizës do risillte shpejt destabilitet të përgjithshëm, çka do provokonte sërish zgjedhje të parakohshme. Vendi do vijonte qerthullin e krizës.

Së dyti, BDI dhe Ali Ahmeti humbën 50 përqind të mbështetjes politike nga elektorati kryesisht shqiptare, pikërisht si ndëshkim ndaj qeverisjes së tij me Gruevskin. Ky ndëshkim është kritikë e koalicionit qeveritar të kaluar VMRO-DPMNE-BDI si dhe apel i qartë i shqiptarëve kundër çdo përsëritje të këtij koalicioni në të ardhmen.

Së treti, pak ditë më parë, BDI dhe Ali Ahmeti ndërmorrën iniciativën për të përpiluar një platformë bashkëpunimi ndërmjet gjithë subjekteve politike shqiptare. Kjo iniciativë miratoi programin e përbashkët politik mbarëshqiptar në Maqedoni. Është një hap shumë i rëndësishëm për shqiptarët, por edhe për interesin e vet Shtetit të Maqedonisë. Është për shqiptarët, sepse realizon të drejtat e tyre të bazuara në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit dhe në Kushtetutën e vendit. Është në të mirën e Shtetit të Maqedonisë, sepse ruan unitarizmin e tij, e demokratizon atë si dhe i hap rrugë përshpejtimit të integrimit Euro-Atlantik.

Marrëveshja mbarëshqiptare është firmosur nga liderët shqiptar të BDI, BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH. Tanimë kjo marrëveshje është program i përbashkët, i njësuar i gjithë subjekteve politike përfaqësuese shqiptare.

VMRO-DPMNE dhe vetë Gruevski, si dhe pinjolli i tij Presidenti Ivanov, kanë kundërshtuar disa prioritete të larta të kësaj platformë mbarë-shqiptare, pikërisht ngritjen e gjuhës shqipe në nivel të njëjtë shtetëror me gjuhën maqedone.

Në këtë kundërvënie VMRO-DPMNE e ka vënë BDI në udhekryq: nëse do mbrojë platformën mbarë-shqiptare nuk do i bashkohet VMRO-DPMNE dhe Gruevskit; nëse i bashkohet VMRO-DPMNE dhe Gruevskit do heqë dorë nga platforma e miratuar mbarë-shqiptare për gjuhën shqipe si gjuhë në nivel shtetëror.

Çfarë hapi do hedhë BDI e Ali Ahmetit? Padyshim që ky eshte shansi i fundit politik për BDI dhe liderin historik të saj, Ali Ahmeti për të shtyrë përpara realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, për t’i kontribuar stabilitetit të vendit dhe për të përshpejtuar integrimin Euro-Atlantik të tij.

BDI dhe Ali Ahmeti do të duhet t’i thonë ‘jo’ koalicionit me VMRO-DPMNE, të mbështesin rotacionin politik me LSDM, duke kërkuar si kusht përfshirjen e gjithë subjekteve politike shqiptare në bashkëqeverisje bazuar në platformën e tyre të përbashkët. Edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare duket që mbështesin në zgjidhje të tillë.

Është shansi i fundit për BDI dhe Ali Ahmetin. Besoj se nuk e humbin…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?