Ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut: Bllokimi i shqiptarëve në kufi shqetësues, mund të jetë rast i ri studimor

Bllokimi i shtetasve shqiptarë në pikat kufitare në këtë periudhë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit mund të përbëjë një rast të ri studimi në të drejtën e evropiane të njeriut. Deklarata u bë nga ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku në një lidhje telefonike për RTV Ora.

Sipas tij, situata e krijuar ditët e fundit është tepër shqetësuese. Ai përmendi vetëm dy raste në jurisprudencën e Strasburgut kur personat nuk janë lejuar të futen në territorin e vet.

“Nuk ka në dijeninë time asnjë rast tjetër që shtetet anëtarë të KiE të kenë penguar shtetasit e tyre për tu futur në territor”, tha Bianku.

Ledi Bianku: Situata më shqetësuese është situata e shtetasve shqiptare që presin në kufi. Sepse është tepër e jashtëzakonshme dhe në dijeninë time ka vetëm dy raste në jurisprudencën e Strasburgut, në njërin që është kundër Francës dhe Franca u tërhoq e pranoi shkeljen dhe rasti tjetër është situata e familjes së mbretit Viktor Emanuelit kundër Italisë sepse nuk kthehej dot në Itali për shkak të kushtetutës italiane. Nuk ka në dijeninë time asnjë rast tjetër që shtetet anëtarë të KiE të kenë penguar shtetasit e tyre për tu futur në territor. Kjo parashikohet nga neni 3 paragrafi 2 i protokollit 4 të konventës  dhe është një e drejtë që nuk parashikon as përjashtim.

Pyetje: A mund të jetë një precedent i ri, një rast të ri studimor për situatën?

Ledi Bianku: Patjetër që mund të bëjë një rast të ri studimor. Unë e shoh të vështirë që çdo qeveri të pengojë hyrjen në territor të shtetasve të shtetit përkatës. Mund të merren masa dhe këta shtetas të vendosen në karantinë, sepse ka dhe një interes që është mbrojtja e shëndetit, por fare mirë unë mendoj që këta shtetas mund të karantinohen në kuadrin e karantinës. Ka pasur raste në Strasburg, kundër Rusisë, kundër Suedisë dhe për një periudhë të caktuar sapo të vlerësohet që rreziku kalon, pra personat nuk janë me persona që paraqiten rrezikshme atëherë atë mund të lihen të shkojnë pranë familjeve të tyre.

Liritë janë kufizuar, por duhet vlerësuar me kujdes nëse janë cënuar

Një sërë lirish që gëzojnë shtetasit shqiptarë nga kjo situatë janë kufizuar, ashtu siç janë kufizuar të drejtat e mia që jetoj në Francë. Duhet vlerësuar me kujdes, sepse çdo shtet përfshirë dhe Shqipërinë ka dhe një detyrim pozitiv për mbrojtjen e shëndetit për gjithë personat mbi të cilat ka përgjegjësi dhe marrjen e masave për të mbrojtur shëndetin.

Liritë janë kufizuar, a janë cënuar apo jo duhet një analizë konkrete rast pas rasti. Duhet parë nëse masat konkrete kanë respektuar një procedurë të caktuar për tu miratuar. Në rast se kohëzgjatja e këtyre masave e tejkalon atë që është e nevojshme në një situatë konkrete që është kjo e koronavirusit apo jo. Në rast se shqiptarët kanë një mundësi që të ankohen në gjykata përsa i përket sanksioneve specifike, duhen parë rast pas rasti.

Qeveria duhet të ketë arsye të forta që të ndërhyjë në marrëdhëniet mes dy privatëve.

Qeveria duhet të ketë arsye të forta që të ndërhyjë në marrëdhëniet mes dy privatëve. Unë kam përshtypjen që qeveria ka shumë më tepër të mundësi që të marrë masa ku ajo është palë sesa të ndërhyjë mes dy privatëve. Megjithatë duhet parë në situatën konkrete, nëse kjo masë nëse ishte e vetmja që i kishte ngelur në dispozicion qeverisë për tu marrë dhe për të ndihmuar një sërë personash që janë në nevojë. Duet parë edhe nga pikëpamja e proporcionalitetit, sepse nëse qeveria merr një masë në favor të atyre që paguajnë qira, çfarë bare krijon për personat që eventualisht përfitojnë nga kjo qira dhe nëse kjo barë është jo proporcionale. 

Në Francë nuk ka dalë ushtria

Unë këtu me aq sa kam dalë nuk kam parë ushtri në rrugë. Madje duke iu referuar qëndrimeve të qeverisë franceze ideja ishte qe qeveria në France do të dilte për të ndihmuar të sëmurët dhe personat që kishin nevojë, sidomos për ti transferuar ngas një rajon në një tjetër. Por deri tani nuk kam lexuar në media që të ketë ndonjë ide që forcat e armatosura, policia dhe xhandarmëria po, por forcat e armatosura jo.

SHKARKO APP