Ish-deputeti i PD, Xhepa: Hashashi rrezik për ekonominë si piramidat e ’97-s

Si po e mbyllin shqiptarët vitin 2016? Për këshilltaren e kryeministrit Rama, Irena Beqiraj e ftuar në emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe, qeveria ka ndërmarrë disa nisma sociale të majta, ndërsa ekonomisti dhe ish-deputeti demokrat Selami Xhepa, tha se ekonomia ka një sërë problemesh.
Ai veçoi se vetëm 53% e forcave të punës janë në punë, ndërsa emigracioni është i lartë.
Ndërsa Gjergj Buxhuku nga Konfindustria thotë se gjendja e ekonomisë është e keqe dhe papunësia vetëm sa rritet megjithëse ka emigracion masiv.
Profesori i ekonomisë, Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”, thotë se nëse punësimi është rritur dhe mbështetja sociale është rritur, atëherë diçka çalon.
Duke folur për çështjen e kanabisit, Zt. Xhepa mendon se situata mund të përfundojë si ajo e 1997-s me firmat piramidale.
Pjesë nga intervista:
Beqiraj: Qeveria Rama ka ndjekur disa politika të majta dhe sociale. Tek pjesa e ndihmës e pjesës më vunerabël. Për herë të parë në 25 vjet kemi një pension social për ata që nuk kanë paguar kurrë kontribute.
Kemi ngritjen e pragut të pensioneve. Kemi pasur një tavan prej 250 mijë lekë të vjetra, sot mund të arrijë edhe në 370 mijë lekë të vjetra. Kemi trefishim të ndihmës ekonomike, 85 për qind më shumë pagesë për persona me aftësi të kufizuar.
Nëse do ta merrja për të gjithë qytetarët, taksimi progres kanë përfituar 97% e qytetarëve. Janë ndjekur nga qeveria edhe pse kemi qenë në një ristrukturim shumë të fortë fiskal. A ka qenë viti 2016 më i mirë për biznesin? Unë them që po. Tatimi i Vlerës së Shtuar 12.6 për qind i rritur si 11 mujor, Tatim Fitimi më shumë i paguar. Është bërë përmirësim i dukshëm për sa i përket rimbursimit të TVSH-së.
Xhepa: Jam dakord që ka pasur përpjekje nga qeveria për të ndihmuar grupet vunerabël. Janë përpjekje të lavdërueshme, por nga ana tjetër rezultatet që duhet të masim progresin e shoqërisë, unë mendoj se është shqetësuese edhe për qytetarët shqiptarë dhe për sektorin e komunitetit të biznesit. Sa i takon qytetarëve, ndalja në një vit dhe në një muaj na e ngushton horizontin.
Ne sërish kemi zhvillime shqetësuese në planin social. Shqipëria ka vetëm 53% të forcës së punës ta ketë të punësuar. Vetëm 53% e forcës së punë të jetë e punësuar është shqetësues. Ne vazhdojmë që të shikojmë fenomenin e emigracionit.
Kjo bën që shumë nga indikatorët tregojnë se Shqipëria është burim emigrimi. 28% ka humbur forcën e punës, ndërkohë që më dramatike ishte Bosnja me 30%. Ka probleme në sektorin real të ekonomisë. Fakti që eksportet vazhdojnë për të tretin vit të bien. Goditja ka ardhur nga tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër ka pasur një rritje të prodhimeve bujqësore.
Kemi të bëjmë me probleme të tjera si me kreditimin e ekonomisë. Ky problem mban akoma peng ekonominë e vendit. Në qoftë se kreditë e këqija vazhdojnë të rriten, është çështje që e mbajnë peng ekonominë. Aksioni informalitet e shikoj sikur ka vdekur. Nuk vazhdon që u nis me energjinë elektrike që të vihej në disiplinë. Duhet një koncept sistemik i sjelljes. Fakti që është ndaluar më bën skeptik.
Buxhuku: Sektori që ka performuar më mirë është sektori energjetik. Aksioni prodhoi efekte pozitive që vazhdojnë. Në sektorët e tjerë për hir të vërtetës, gjendja është e vështirë dhe sipas nesh kanë munguar politikat e mirëfillta ekonomike. E para, konkurrueshmëria e vendit është e ulët. Këtë e provojnë shifrat.
Shqipëria praktikisht paraqitet në nivele të ulëta për thithjen e investimeve të huaja. E dyta, është kreditimi. Ka besimin e biznesit për të marrë kredi, e dyta, ka faktin nëse ka tregje realisht ku mund të investohet. Kjo është politikë e mirëfilltë e qeverisë. Niveli i kredive të këqija. Janë në rritje. Të shoqëruara këto edhe me një papunësi që nuk po bie fare edhe pas emigracionit masiv.
Malaj: Treguesi i parë që duan shqiptarët është punësimi. Në qoftë se themi se punësimi është rritur dhe paketa sociale është rritur, diçka nuk shkon. Sepse thelbi i punësimit, është që të fusë sa më shumë njerëz në kontributin për t’u rritur ekonomia e tyre, t’u krijojë atyre sa më shumë të ardhura.
Mbështetja mund të ketë ardhur për pjesën më të dobët të shoqërisë. Në qoftë se u rrit emigracioni, u rrit sepse u bë një situatë shumë e vështirë. Edhe reduktimi i ekonomisë informale duhet bërë duke krijuar mundësia, jo duke e shtypur atë pasi do të gjejë mënyra tjera për të mbijetuar.
Ose do të angazhohet në aktivitet kriminal ose do të iki. Lidhur me politikat fiskale për atë situatë që u mor vendi kanë karakter shtrëngues. Ato nuk e ndihmojnë ekonominë e vendit. Mundësinë qeveria e ka të kufizuar. Politikat monetare të Bankës së Shqipërisë ka qenë në krahun lehtësues.
Akuzat e opozitës për rritjen ekonomisë informale nga kanabis
Beqiraj: Tani nuk është as de jure dhe as de fakto e legalizuar. Aty ku qeveria ndërmerr luftën, aty është edhe vëmendja e opinionit publik. Ne e dimë problemin dhe nuk kemi thënë se hashash nuk po mbillet. Ne jemi totalisht në vëmendje. Në pikëpamjen time si ekonomiste është edhe një problem që duhet adresuar ekonomikisht duke parë se si duhet zhvilluar bujqësia.
Xhepa: Pas krizave piramidale të vitit 1997, unë e shikoj si rrezikun më serioz jo vetëm thjesht ekonomik dhe social por edhe në këndvështrimin e demokracisë. Të gjithë arrijnë ta perceptojnë sot. Ka zona që qytetarët nuk shkojnë dot në shtëpinë e vet pasi rruga ruhet me kallashnikov. Në qoftë se do të lejojmë që gjendja të degjenerojë në këtë derexhe, situata do të jetë serioze. Unë kam parë një lloj qëndrimi të relaksuar të qeverisë. Në qoftë se eksponentë të Parlamentit dalin dhe thonë se mund ta legalizojmë, sigurisht që kjo është një zbutje.
KOHA JONË SONDAZH

