Ish-ministri i PS: Rama kërkon shfarosjen e Kombit. Të dalim më 2 Mars për Shqipërinë

Në manifestimin e thirrur nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në krah të tij do të jetë edhe ish-ministri i PS-së, Taulant Dedja. Përmes një shkrimi të gjatë në facebook, ai shkruan se PS nuk ekziston më dhe se Rilindja ka vdekur por mbi të gjitha ai thotë se qeveria është një bandë. Nga ana tjetër, ai thekson se duhet të përdorim pushtetin e Presidentit dhe aftësitë e tij organizative për të arritur atë që duam.

“Të shpëtojmë nga qeverisja e një dore banditësh e kusarësh që e kanë shitur vendin për disa dollarë më shumë në llogaritë e tyre të pallogaritura. E dëgjuat që do ia falin vetes të gjitha allishverishet fiskale? Natyrisht, për të dalë me duar të pastra e të jetojnë në Karaibe të lumtur. Ndërsa të ndershmit e të drejtët, të varfrit e të papërlyerit le të mbyten në varfëri apo të surdisen e surgjynosen nëpër botë”.

Për Dedjen, nëse ne nuk dalim më 2 mars të manifestojmë, Rama do të vazhdojë t’i bëjë Shqipërisë atë që s’ka mundur asnjë pushtues t’ia bëjë ndër shekuj. “Shfarosjen e kombit shqiptar. Ky njeri është qënia më antikombëtare që ka parë historia e Shqipërisë. Ai nuk e do Shqipërinë, as rregullin, as sigurinë, as shtetin e as drejtësinë. Ai njeh vetëm paranë, krimin, dhe anarkinë. Le të dalim më 2 Mars në mbrojtje të Shqipërisë”.

Shkrimi i plotë i Taulant Dedjes

Kam 12 vjet që jam larguar nga politika aktive dhe po aq që jetoj larg Shqipërisë. Distanca nuk ma ka zbehur në asnjë rast interesin për çfarë ndodh në atdhe, edhe pse kur shprehem publikisht ndodh të stigmatizohem, si shumë emigrantë të tjerë me komente sipas të cilave ne s’kemi të drejtë të flasim për sa kohë kemi vendosur të mos jetojmë në Shqipëri. Por ndryshe nga shumë që jetojnë në atdhe, angazhimi im publik në raport me Shqipërinë nuk ka lidhje me ndonjë axhendë politike. Partia për të cilën kontribuova nuk ekziston më, kështu që çka mbetur prej saj nuk më intereson fare. Rilindja ka kohë që ka vdekur, por meqënëse anëtarëve të saj nuk u pëlqejnë as traditat, as zakonet e asgjë që i përket kulturës e trashëgimisë kombëtare ajo nuk di as të njohë e as të mbajë zi. Prandaj na mbetet ne qytetarëve t’u tregojmë rilindasve se Rilindja ka vdekur.

Le t’ua tregojmë këtë më 2 Mars në manifestimin që Presidenti i Republikës Ilir Meta ka thërritur në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, themelit të shtetit. Mos kujtoni se po mbështes Ilir Metën. Nuk mendoj se i duhet mbështetja ime. Aq më tepër që në planin personal unë kam dhe kam patur rezervat e mia me të qëkur ai mbështeti kandidaturën e Ramës për në bashkinë e Tiranës kundrejt emrit tim. Por unë mbështes institucionin e Presidentit, dhe në këtë rast presidenti, që ka qëlluar të quhet Ilir Meta është veç një instrument që qytetarët duhet ta përdorin për të arritur qëllimin që zëri i brendshëm prej vitesh ua pëshpërit brenda vetes. «Kjo qeveri është e korruptuar. Ky parlament është ilegjitim. Meritojmë më shumë. Meritojmë demokracinë që e kërkuam dhe e fituam 29 vite më parë».

Le ta përdorimin pushtetin e presidentit dhe aftësitë e tij organizative për të arritur atë që duam edhe ne. Të shpëtojmë nga qeverisja e një dore banditësh e kusarësh që e kanë shitur vendin për disa dollarë më shumë në llogaritë e tyre të pallogaritura. E dëgjuat që do ia falin vetes të gjitha allishverishet fiskale? Natyrisht, për të dalë me duar të pastra e të jetojnë në Karaibe të lumtur. Ndërsa të ndershmit e të drejtët, të varfrit e të papërlyerit le të mbyten në varfëri apo të surdisen e surgjynosen nëpër botë.

E pra, pse të mos dalim në 2 Mars e të kërkojmë vendosjen e rendit të ri? Vendosjen e rendit të së drejtës, duke hedhur poshtë shtetin e policisë së Leshit dhe bandave kriminale që qeverisin vendin. Le të dalim të gjithë më 2 Mars në mbrojtje të Kushtetutës së miratuar në vitin 1998. Personalisht si zyrtari i drejtpërdrejt i ngarkuar për organizimin e referendumit të Kushtetutës në 1998, njëherazi dhe pjesëtar i njërit prej grupeve të punës që u mor me pjesën që lidhej me pushtetin lokal, ndjej moralisht përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Kushtetuta e vitit 1998, e hartuar nga Komisioni i Venecias, me kalimin e kohës u pranua nga të gjithë dhe falë sistemit krejt te balancuar që vendoste, Shqipëria kapërceu krizën e pas 1997, realizoi në mënyre model këmbimin e pushtetit në vitin 2005 pasi zgjodhi edhe presidentin me konsensus (pikërisht falë balancës që ofronte Kushtetuta), u anëtarësua në NATO dhe iu hapën përfundimisht dyert e integrimit për në Bashkimin Europian.

Kushtetuta e vitit 1998, është më e mira në gjithë historinë e shtetit shqiptar, por edhe ndër më të ekulibruarat sa i takon raporteve mes tre pushteteve dhe sistemit zgjedhor miks që parashikonte. Prekja e saj në vitin 2008 e këtej u provua se ishte fatale. Ndërgjegjen e kam të qetë, sepse po në atë vit kam votuar hapur në Parlament kundër ndryshimit që iu bë pjesës së sistemit zgjedhor. Vazhdimi dihet… «Përfituesi» kryesor ishte kryeministri aktual, i cili me listat personale që hartoi mbushi radhët e legjislativit me kriminelë, analfabetë funksionale dhe injorantë par excellence. Dhe ky është vetëm fillimi-ka thënë ai. Nëse ne nuk dalim më 2 Mars të manifestojmë ai do vazhdojë t’i bëjë Shqipërisë atë që s’ka mundur asnjë pushtues t’ia bëjë ndër shekuj. Shpopullimin! Shfarosjen e kombit shqiptar. Ky njeri është qënia më antikombëtare që ka parë historia e Shqipërisë. Ai nuk e do Shqipërinë, as rregullin, as sigurinë, as shtetin e as drejtësinë. Ai njeh vetëm paranë, krimin dhe anarkinë. Le të dalim më 2 Mars në mbrojtje të Shqipërisë!

SHKARKO APP