Ish ministri i Ramës loboi me 20 mijë dollarë, për të ndaluar kritikat nga ambasada e SHBA-së
Në një deklaratë plotësuese të dorëzuar në fund të korrikut në Departamentin e Drejtësisë në SHBA kompania Stone Strategic Solutions Srl, e cila ishte pajtuar në fillim të vitit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, sqaron se kishte takuar stafe të dy kongresmenëve dhe senatorit Ted Cruz dhe drejtues të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, me të cilët ishte diskutuar “nevoja që personeli i Ambasadës së SHBA të mos komentonte gjatë procesit gjyqësorë të të huajve”.
Në shpjegim po ashtu thuhet se përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit u është bërë me dije ndikimi i madh që ambasada kishte në gjykatat shqiptare, ndërsa mësohet se Tahiri pagoi 20 mijë euro për lobimin që u bë i ditur në fillim të vitit.
Ish-Ministri i Brendshëm që u akuzua për trafik ndërkombëtar nakotikësh dhe u dënua fillimisht nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me 5 vjet vetëm për shpërdorim detyre. Çështja ndaj tij u apelua dhe Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi prishjen e vendimit dhe rikthimin e saj për rigjykim.
Gjatë procesit Tahiri pati disa përballje publike me ambasadën e SHBA-ve në Tiranë para dhe gjatë gjykimit.
Fillimisht ambasada ngriti alarmin për presione gjatë shqyrtimit të një mase sigurie ndaj Tahirit. Pas vendimit, në shtator të vitit që shkoi, përgëzoi gjetjen fajtorë të tij si shenjë pavarësie e gjyqësorit, por e cilësoi dënimin shkurajues. “Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, shprehej ambasada.
Tahiri i cilësoi këto komente si presion i madh ndaj gjykatës, ndërsa tha se vendimet e gjykatës nuk duhej të komentoheshin aq më shumë nga ambasada. I pyetur mbi marrëdhënien e lobimit Tahiri i tha BIRN se nuk do të komentonte. Ndërkohë deri në publikimin e shkrimit nuk pati koment as nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Vëzhgues të ambasadës kanë vijuar të jenë të pranishëm në seancat gjyqësore në apel, ndërsa ndoqën edhe procesin në shkallën e parë.
Tahiri nuk është i vetmi politikan apo figurë publike në Shqipëri që është në përplasje me qëndrimet e ambasadës në kryeqytet apo vendimet e Departamentit të Shtetit. Një kontratë lobimi kundër vendimit për shpalljen “non grada” është rregjistruar në emër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Një sërë gjyqtarësh u është revokuar viza për në SHBA dhe janë rrëzuar në veting për këtë arsye.
/Nga Vladimir Karaj, BIRN – Reporter.al/