Ish-ministri Manjani: Viza e refuzuar e Berishës nuk i justifikon zgjedhjet e vjedhura
Nga Ylli Manjani
“Korrupsioni” (për më tepër i pafaktuar) apo “të zezat” e Berishës në vite, nuk kanë asnjë shans të mbulojnë korrupsionin e të zezat e sotme që i bëhen Shqipërisë.
Janë galopante dëmet që i bëhen ekonomisë, pronës publike, demokracisë, shtetit ligjor e të drejtave themelore të njeriut.
“Të zezat” e Saliut janë një lule krahasuar me ç’po i bëhet e ç’ju bë këtij vendi këto vite.
Mbi të gjitha viza e refuzuar e Saliut, Saliut që na solli liberalizimin e vizave, nuk i justifikon fare, po hiç fare, zgjedhjet e vjedhura të 25 prillit. As votimet moniste të 2019-ës.
Nëse diplomacia Amerikane (jo gjykata Amerikane) mendon se duke hedhur gjyle tek mullarët e Sali Berishës, do na bëjë t’i harrojmë këto që ndodhin sot e ka gabim! Le të jetë sa të dojë Amerikane!
Shqipëria sot është më e vjedhur se kurrë më parë. Është më jodemokratike se kurrë më parë në këto 30 vitet e fundit. Shqipëria institucionale dhe ligjore është më e dobëta se kurrë më parë nga krijimi ynë si shtet.
Me apo pa viza Amerikane, kjo është e vërteta që shohim çdo ditë. Me apo pa viza, shqiptarët ikin…
E të vijosh të thuash që “fajin e ka Saliu”, një burrë në moshë që s’ka asgjë në dorë veç fjalës, i bie që ky fundit qenka megjithmend kokrra e burrit.