Ish-presidenti Topi: Rama simptoma të forta diktatoriale, me keq se Berisha
I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report tv, Bamir Topi u shpreh se tek kryeministri Edi Rama ka vënë re që po mbizotërojnë në sjelljen e tij politike tipare diktatoriale. Sipas ish Presidentit, Rama nuk ka asnjë zë kundër tij në qeveri dhe vendos vetë për gjithçka, ashtu siç edhe bëjnë të gjithë diktatorët.
“Kryeministrat në mandatin e dytë kanë simptoma diktatoriale. Ka ndodhur me Sali Berishën, tani po ndodh edhe me Edi Ramën. Në mandatin e dytë sillen ndryshe nga i pari. Në rastin e Ramës rëndon edhe më shumë.
Në fushatë ishte në kërkim të një marrje ekskluzive të pushtetit dhe në bazën e kësaj fushate, njerëzit thonë se, fakti që kryeministri thotë se na kanë prishur punë të tjerët në qeverisje, atëherë po ia japim timonin të na drejtojë i vetëm. Përdori një term vulgar, tepsia, kazani.
Çdo njeri nuk duhet të trembet, por duhet të luftojë, sepse i bën mirë edhe kryeministrit. Në këtë lloj ekzekutivi nuk ka zë të dytë. Kam edhe një këshillë shumë mirëqësore që unë do t’u bnëja politikanëve që të mos imitojnë me gjestikulacione liderin e tyre. Kjo ndodhte edhe me PD-në të cilët imitonin Berishën. Shoh ministra të qeverisë… Kam bindjen se nëse thonë njëherë jo, s’do jenë më aty, sepse ashtu është ndërtuar sistemi, listat në ekzekutiv janë ekskluzivitet i kryeministrit.”-tha Topi.
Bamir Topi foli gjithashtu dhe për figurën kundërshtare të kryeministrit, kryedemokratin Lulzim Basha.
“Për herë të parë dua të jap disa konsiderata, mund të konsiderohen edhe personale, por jo, janë politike. Z.Basha e kam takuar për herë të parë në janar 2005, kur ai erdhi në PD, unë isha kryetar i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD. Z.Basha ishte zgjedhur për të qenë në KOP, me një background, pamje dhe sjellje qytetarë. Pavarësisht situatave, këtë konsideratë s’e kam ndryshuar. Nuk e vlerësoj negativisht Bashën. Kur vjen puna politikisht, do kërkoja për interesat e vendit, një tjetër pozicion. Duket sikur ende Basha vuan influencën e Berishës. Ky është perceptimi im. Unë mendoj se kjo e dëmton. Aksioni opozitar duhet të jetë një aksion tjetër, jo më një opozitë deklaratash mediatike, apo mbledhje të aleatëve. Opozita sot duhet të jetë në terren.”-u shpreh ish Presidenti.