Ish-sekretarja e PS: Ne sot qeverisemi nga organizata kriminale
Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, ish sekretare organizative e PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se audiopërgjimet e “Bild” janë përgjigja e Gjermanisë pse Shqipërisë nuk i hapen negociatat për anëtarësim në BE. Zonja Haxhiymeri argumenton se Shqipëria qeveriset nga organizata kriminale dhe shumë vendime të qeverisë merren për interesat e kriminelëve dhe jo për popullin. Qeverisja e Rilindjes Socialiste e ka katandisur vendin në Shqipërinë që nuk e duam, me varfëri të plotë, arsimim të degraduar, shëndetësi të braktisur, ndihma ekonomike që janë lëmoshë. Dorëzimi i mandateve të deputetëve nga opozita duhej të ishte alarm për institucionet tona dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, pasi parlamenti është i pabesueshëm. Zonja Haxhiymeri pohon se Reforma në Drejtësi dhe vetingu kanë fuqizuar ekzekutivin (Kryeministrin), duke dobësuar të gjithë pushtetet e tjera si dhe qytetarët e vendit, prandaj duhen reforma të thela kushtetuese.
-Zonja Haxhiymeri sipas Jush, “Bild” kujt i përcolli mesazhin e publikimit të audiopërgjimeve të Dosjes 339? Evropianëve që do marrin vendimmarrjen për hapjen e negociatave? Qeverisë shqiptare apo shqiptarëve para se të vendosin për votimin në 30 qershor?
– Mendoj se është një konfirmimi radhës, qoftë edhe jo-zyrtar, i vendimit të gjithë politikës gjermane për mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë. Nëpërmjet këtij publikimi, politika gjermane po sqaron në mënyrë të qartë e të prerë për këdo që do të dëgjojë e lexojë si dhe pse vendimi kundra Shqipërisë është tërësisht i justifikuar. Tashmë është e qartë se partnerët evropianë nuk po i çelin negociatat jo për arsye të brendshme të tyre, jo për shkak të lëvizjeve euro-skeptike apo lëvizjeve të reja “populiste” por vetëm sepse Shqipëria po konsiderohet një vend i pabesueshëm për t’u afruar në familjen evropiane. Na takon ne, shoqërisë shqiptare, që të zgjidhim problemet tona të brendshme fillimisht e më pas të luajmë kartën e viktimës përballë partnerëve tanë. Është e qartë se Shqipëria është një vend tejet problematik, zgjidhja e të cilave varet së pari nga vetë ne.
– Ju si gjykoni? A janë fakte të mjaftueshme provat e audiopërgjimeve të Dosjes 339 që të cilësojmë Parlamentin ilegjitim, sepse votat (pavarësisht nga sasia) u blenë me Paratë e Krimit?
– Gjykoj se fatkeqësisht kjo nuk është më pyetja e duhur. Përgjimet konfirmojnë se nuk është më problem fakti se eksponentë të mazhorancës kanë bashkëpunuar me organizata kriminale për të blerë ose fituar vota, apo nëse numri i votave të blera ka ndikuar në rezultatin final të zgjedhjeve. Sot problemi është shumë herë më i madh se kaq. Eksponentë të ndryshëm të qeverisë, në nivel qendror dhe vendor, janë kapur në regjistrime duke qeverisur për interes të organizatave kriminale. Jo vetëm janë bashkëpunëtorë personalisht të këtyre organizatave, por kanë vënë gjithë shtetin në dispozicion të tyre, duke marrë vendime jo më në interes të publikut por në interes të krimit. Kriminalizimi deri në këto nivele i vendimmarrjes është sot shkaku më i qartë i prapambetjes, varfërisë dhe dëshpërimit që ka kapluar shoqërinë shqiptare. Përpara se të gjykojmë nëse ka ka pasur ose jo blerje votash, si e sa ka ndodhur, ne duhet të përballemi me faktin se ne sot qeverisemi nga organizata kriminale! Ndërsa ilegjitimetit i Parlamentit është koncept politik, e jo ligjor. Unë mendoj që prova të tilla e bëjnë Parlamentin tashmë të pabesueshëm, por shpërndarja e tij do të mund të ndodhë vetëm me një vendim nga faktorët politik të vendit.
– Duke u njohur me audiopërgjimet e Dosjes 339 a mundet më të pretendojmë se kemi kryer me sukses Reformën në Drejtësi, derisa korrupsioni, pastrimi i parave të pista, bashkëpunimi i zyrtarëve të Lartë me Botën e Krimit janë të pandëshkuara?
– Personalisht kam qenë e prirur deri në momentin e fundit të besoj në Reformën në Drejtësi si një instrument që do mund të sillte sadopak përmirësim në jetën e shqiptarëve të zakonshëm, duke i fuqizuar ata dhe duke dobësuar pushtetin e politikanëve abuzues. Fatkeqësisht sot nuk jam e bindur që kjo është më e vërtetë. Nuk mjafton fakti që prej dy vjetësh Gjykata Kushtetuese në vend nuk funksionon, duke i dhënë qeverisë dorë të lirë të miratojë ligje nga më abuzivet. Dosja 339 tregon se edhe prokurorë që kanë kaluar procesin e shumë-reklamuar të vetingut mbeten po aq të kontrollueshëm dhe të ndikueshëm nga politika si më parë, në mos edhe më tepër. Gjykoj se arkitektura e re e sistemit të drejtësisë po reflekton probleme të mëdha, të pamenduara më parë, që po minojnë të gjithë synimet e shpallura të reformës, po ul kredibilitetin dhe pritshmëritë ndaj saj. Gjykoj se do ishte e përshtatshme rihapja e një debati të vërtetë publik, mbarë-kombëtar dhe transparent, duke përfshirë jo vetëm “ekspertë” të paracaktuar, për diskutimin e një arkitekture të re, ose të paktën për përmirësimin e asaj ekzistuese. Cilido projekt apo investim, sado i rëndësishëm të jetë, duhet të ketë një moment ku kërkon një rivlerësim dhe kthim mbrapa nëse është e nevojshme. Si qytetare e këtij vendi, mendoj se ky është momenti i duhur për të bërë këtë diskutim mbi Reformën në Drejtësi.
– Cili është gjykimi juaj: A mendoni se elektorati shqiptar është i përfaqësuar në Parlament, derisa Opozita i ka dorëzuar mandatet, por aty janë disa deputetë të Listës së Opozitës?
– Dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës duhet të ishte një alarm për institucionet e shtetit si dhe partnerët tanë ndërkombëtar. Por nga ana tjetër, ky veprim tregoi se si ka degraduar sistemi i përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit, sidomos pas ndërhyrjes shkatërrimtare në Kushtetutë në vitin 2008. Kjo situatë tregon më së miri se sot Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë kushtetuese, ku pjesë themelore duhet të jetë reformimi i sistemit zgjedhor të vendit. Shqiptarët sot duhet të ndihen të ofenduar që përfaqësohen në institucionin ligjvënës me persona me rekorde kriminale, me persona të lidhur me persona me rekorde kriminale, me të pashkolluar, falsifikatorë dhe personazhe të tjerë tragji-komik. Deputetët politikisht nuk përfaqësojnë askënd. Sot, parlamenti funksionon si përfaqësues i vetëm gjysmës se zgjedhësve, dhe jo i të tërëve. Fatkeqësisht mendoj se pa një reformë të thellë të sistemit zgjedhor, situata të tilla janë të destinuara të përsëriten gjithmonë e më shpesh.
– Presidenti Meta anulon zgjedhjet, Reagimi i Kryeministrit Rama është i vendosur se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor. Cila logjikë do fitojë?
– Në një situatë ku vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese prej thuajse dy vjetësh, fituesi nuk do jetë ai që ka argumentin më të mirë juridik, po kushdo që do arrijë të bëjë më shumë presion të pala tjetër, me mjete të ndershme ose jo. Kush prej tyre ka më shumë mjete të tilla në dispozicion, unë nuk kam informacion ta përcaktojë. Ajo që mund të them edhe njëherë është se situata e paqartë aktuale tregon edhe njëherë situatën kaotike aktuale të shkaktuar nga Reforma në Drejtësi, e cila nëse nuk rikthen sistemin e drejtësisë në binarët e duhura së shpejti, rrezikon të përkeqësojë krizën politike në vend.
– Nëse Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga deklarata, mendoni se mund të zhvillohen zgjedhjet, edhe pse Presidenti i anulon?
– Nëse Kryeministri kërkon të zhvillojë me zor një sfilatë në 30 qershor vetëm me simpatizantët e tij, e ta konsiderojë këtë si një proces zgjedhor, qoftë ligjërisht, e qoftë politikisht, mendoj se një hap i tillë vetëm do përkeqësonte pozitën ku ai ndodhet.
– Ka rrezik që në 30 qershor të kemi Përplasje Civile?
– Uroj dhe shpresoj që jo, çdo lloj përplasje civile është fillimisht një traumë për personat e përfshirë në to. Por, të jemi të sinqertë, një situatë e tillë, ku faktorët politike janë në qëndrime diametralisht të kundërta, nuk premton zhvillime pozitive. Nëse kjo situatë vazhdon kështu deri më 30 qershor, rreziku i një përplasje kuptohet që është i lartë.
– A mund të shërbejë si precedent për të Ardhmen, kërkesa e Opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare mënyra sesi vepron, duke dorëzuar mandatet e deputetëve, si presion politik?
– Nga njëri këndvështrim është e vërtetë që ky mund të konsiderohet një lloj precedenti i rrezikshëm pasi krijon pikërisht atë që thoni ju, pritshmërinë se cilado opozitë mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme duke djegur mandatet. Nga ana tjetër, çdo demokraci e zhvilluar ka mekanizma që ndalojnë situatat të përkeqësohen në nivele të tilla. Kancelari austriak dha dorëheqjen vetëm për shkak të një regjistrimi; kryeministrja britanike u dorëhoq pasi nuk arriti të paqëtonte fraksionet në lidhje me debatin mbi Brexit. Këto të gjitha janë probleme minimale në krahasim me ato që përballet qeveria shqiptare. E megjithatë, nuk ka pasur asnjë reflektim nga ana e Kryeministrit i cili vazhdon të akuzojë kritikët si gënjeshtarë, e duke u vetëviktimizuar deri në nivele ekstreme. Unë mendoj, që kjo krizë duhet të risjellë në tryezë rishikimin e Kushtetutës për të limituar dhe dobësuar pushtetin e Kryeministrit. Në një situatë normale, në cilëndo demokraci të zhvilluar, Kryeministri do kishte dhënë dorëheqjen me kohë ose do ishte përballur me një mocion mosbesimi, të cilin do e humbiste. Një demokraci e zhvilluar i zgjidh krizat përpara se të arrijnë në momente dramatike duke zëvendësuar politikanët shkaktarë të saj. Fatkeqësisht, Kushtetuta e vitit 2008, së bashku me mungesën e çdo lloj demokracie partiake, e ka kthyer Kryeministrin e vendin në një tiran i cili vlerëson se karriera e tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër – kjo nuk është as demokratike e as evropiane. Dorëzimi i mandateve është vërtet një akt ekstrem, por duhet parë si i fundit i mbetur në momentin që sistemi aktual politik nuk prodhon asnjë grimcë reflektimi dhe ndryshimi kursi. Dorëzimi i mandateve në këtë rast është një akt i domosdoshëm politik, kur kanë shteruar të gjitha instrumentet e tjerë.
– A kanë qëllim të destabilizojë Rendin Kushtetues protestat e Opozitës?
– Nuk besoj se e drejta për të protestuar kur të mohohen të drejtat themelore si ajo për të pasur një banesë, punësim dhe të ardhura të mjaftueshme përmes punës së ndershme, shërbim shëndetësor dhe arsimor falas, shërbim social për shtresat më në nevojë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur pa pasur nevojë të lidhesh me kriminelë e trafikantë, e drejta për të qenë të barabartë para ligjit pavarësisht statusit social dhe ekonomik, e drejta e pronës dhe e përfaqësimit përbëjnë rrezik për destabilizim për Rendin Kushtetues. Madje, protesta është reagimi më i parë që qytetarët duhet të bëjnë dhe të kenë të drejta të bëjnë.
– A ka qëllim politik Mungesa e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se 2 vite dhe tani paraliza edhe e Gjykatës së Lartë?
– Pavarësisht nëse u nis me qëllime pozitive ose jo, sot është fakt që vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, e tani as Gjykatë të Lartë. Kjo është një situatë e papranueshme, që i jep pushtet të pa limituar politikanëve ndaj qytetarëve, e kundërta e asaj që pritej. E gjitha kjo situatë, kërkon një rikthim të debatit për Reformën dhe Kushtetutën e vendit. Kërkon një debat të ri për limitimin e pushtetit të Kryeministrit, dhe kontrollin e balancën nga ana e pushteteve të tjera.
– A mendoni se Reforma në Drejtësi, e sidomos Vetingu përmbushën pritshmërinë e shqiptarëve për të rikthyer besimin tek Drejtësia?
– Kanë fuqizuar ekzekutivin (Kryeministrin) duke dobësuar të gjithë pushtetet e tjera si dhe qytetarët e vendit.
– Faleminderit!
Shqipëria e Rilindjes Socialiste nuk është Shqipëria që duam!
– Një vlerësim tuaj për Qeverisjen 6 vjeçare të Rilindjes: I ka konkretizuar premtimet dhe pritshmërinë e votuesve të Majtë për ” Shqipërinë që Duam”?
– Nuk besoj se Shqipëria që duam është Shqipëria që mezi presin ta lënë qindra mijëra qytetarë. Mijëra shqiptarë aplikojnë çdo vit për t’u larguar në mënyrë legale; mijëra të tjerë ikin ilegalisht. Ka shumë e shumë të tjerë që përgatiten të ikin në ditët në vijim. Fshatra e qytete të vendin janë zbrazur dhe krize demografike që po i kanoset vendit është e frikshme. Pse kjo rendja për ta lënë atdheun, nëse vërtet do ishin mbajtur premtimet spektakolare të vitit 2013? Ekonomia nuk premton punë e mirëqenie. Çdo sektor i saj është në duart e atyre që sot po quhen gjithmonë e më shpesh “oligarkë” – një grup i vogël biznesmenësh që kanë monopolizuar çdo aktivitet ekonomik falë mbështetjes politike. Edhe ajo pak rritje ekonomike që ka vendi, nuk reflektohet në të ardhura më të larta për shoqërinë, por në fitime më të mëdha për klientët e qeverisë. Arsimi është në ditën e tij më të keqe. Sistemi aktual prodhon diploma por jo qytetarë të arsimuar. Tendenca për ta mbytur arsimin publik, mohimi i së drejtës për arsim falas për të gjitha shtresat e popullsisë, dhe komercializimi i një prej shërbimeve publike kryesore në të gjithë botën e zhvilluar, e ka rënduar perspektivën e kujtdo që kërkon të arsimohet në vend. Shëndetësi që mjaftohet me lyerjen e fasadave dhe ku mungojnë shërbimet bazë. Qytetarët gënjehen me kartat shëndetësore që kanë dalë jashtë funksionit po u përdorur ende. Për sigurimet shëndetësore as që bëhet fjalë. Siguria, në dorë të krimit. Ministra të brendshëm bashkëpunëtorë me trafikantë dhe kusarë! Policë që mbrojnë parcelat me drogë! Polici që mbyt fëmijët me gaz për t’i nxjerrë nga shtëpia! Sistem i shërbimeve sociale më i varfër se kurrë! Ndihma sociale e përgjysmuar kur nuk ofron asnjë mundësi punësimi. Kultura në ditën e saj më të zezë. Trashëgimia kulturore në rrezik si asnjëherë tjetër. Shkatërrohet pa asnjë merak trashëgimia e lashtë, pasuri kombëtare, nën Durrësin thesar. Prishen ndërtesat historike për të ndërtuar gratacielet e mafies së ndërtimit! Planifikohet me ligj të veçantë, në shkelje flagrante të Kushtetutës, shembja e Teatrit Kombëtar, simboli dhe historia e artit dramatik në Shqipëri!! Besoj se kjo nuk është Shqipëria që duam për shumicën e shqiptarëve.
– A ka dallim Rilindja Socialiste nga Partia Socialiste?
– Është e vërtetë që në PS, ashtu si në organizata të tjera në këtë vend, ka njerëz të ndershëm e idealistë; njerëz që e duan vendin e tyre e kërkojnë që nëpërmjet politikës të kontribuojnë në përmirësimin e tij. Ky fakt përdoret shpesh për të krijuar një vijë ndarës ndërmjet liderëve të partive, dhe vetë anëtarëve të saj, ashtu siç sapo bëtë dhe ju. Por, sado që kjo të jetë e vërtetë, 14 vjet pasi Edi Rama kontrollon në mënyrë absolute PS-në, është e pamundur të thuash që ka një dallim. Partitë shqiptarë përfaqësojnë interesat dhe ambiciet e kryetarit, e askujt tjetër, për aq kohë sa brenda tyre nuk ka asnjë hapësirë demokratike. Është pikërisht kjo mungesë absolute e demokracisë brenda partive shqiptare që i kthen pyetje të tilla në retorike tashmë. Për aq kohë sa partia është kryetari, dhe kryetari është partia, çdo lloj pretendimi për një dallim ndërmjet bazës dhe drejtuesit është e parëndësishme.