Islami: Frika nga koronavirusi, por edhe nga uria e rrënimi ekonomik

Placeholder Image

Nga Kastriot Islami –

“Masat drastike” për koronavirusin duket se vijnë si këshilla të nevojshme nga jasht…

Natyrisht në parim ato janë të nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit…Thënë ndryshe për të minimizuar numrin e të infektuarëve nga virusi që përpjestimisht do të ulte numrin e rasteve serioze e për rrjedhojë edhe numrin e viktimave… Ky duket synimi prioritar… Në këto momente, kudo në Europë e planet, bazuar në këtë synim, përpjekjet kolosale bëhen për të shmangur kolapsimin e mekanizmit shëndetsor për trajtimin e rasteve serioze.. Sepse nëse sistemi shëndetsor do të kolapsonte mund të conte në katrahurë të paimagjinueshme…Kjo është e qartë dhe e pranueshme nga të gjithë.

Duke ju referuar rastin konkret të Shqipërisë, mesa duket është këshilluar që për shkak të një sistemi shëndetsor problematik e të brishtë, dhe vonesës së identifikimit të problemit, të merren masa drastike, ekstremisht të ashpra. Duket se është aplikuar “modeli kinez” pasi shpërtheu pandemia. Përgjithsisht edhe kjo është pranuar pa u futur në shumë debate ndërkohë që menaxhimi i kësaj situate duket shumë më i komplikuar. Shumë kategori qytetarësh e biznesesh kanë filluar të ndjenë vështirësi të mëdha në përballimin e kësaj situate. Thënë ndryshe, qytetarët e bizneset kanë përshtypjen se i) qeverisja e dobët dhe e paaftë i ka aplikuar këshillat e ofruara me shumë vonesë, ii) pa konsultime me profesionistët e ekspertët; iii) dhe pa reflektuar për pasojat e paparashikueshme mbi mundësitë e aftësitë që kanë qytetarët apo bizneset për ti përballuar për një kohë të gjatë. Mesa duket kjo ndodh sepse në rastin e një keqqeverisjeje të provuar në kohë të “qetë” mungon mbi të gjitha angazhimi i trurit, pra i ekspertëve që duhet të vihen në ballë të një situate të tillë…dhe gjithcka tenton të menaxhohet politikisht, e madje deri personalisht nga një individ… që se ka as haberin dhe as kapacitetin për të vepruar racionalisht, por thjesht për interesat e tij të pushtetit, transformon “këshillat” në urdhëra personalë për masa drastike.

Qytetarët kanë përgjithsisht perceptimin se mund të shndërrohen në kavje eksperimentale ku këshillat e patretura kthehen në urdhëra personalë për masa drastike pa bërë asnjë analizë paraprake profesionale shumë dimensionale për ndikimin e tyre. Sepse në cdo vend normal demokratik, cdo veprim konkret bazuar në këshillat e dërguara natyrisht duhet të ketë prioritet menaxhimin e krizës së krijuar nga pandemia, por ndërkohë duhet të llogarisë se cfarë mundesishë kanë qytetarët e biznesnet për ta përballuar këtë “tension”?! Për sa kohë? Dhe cfarë duhet bërë paralelisht për të mundësuar që edhe objektivi i menaxhimit të pandemisë të realizohet por që edhe qytetarët e bizneset ta përballojnë këtë situatë krize e të jenë aktorë të menaxhimit të saj.

Duket se këto urdhëra të vonuar janë dhënë pa asnjë konsultim paraprak me profesionistët dhe sic tregoi edhe rasti i tërmeteve të fundit në mungesë të plotë të masave të qënësishme paraprake, të strategjive e planeve rë menaxhimit të emergjencës, por edhe me një mungesë të plotë transparence e në kushtet e zero-fondeve të nevojshme të parashikuara për raste të tilla. Këto të gjitha kanë rritur frikën dhe panikun te qytetarët e bizneset si nga rreziku i infektimit nga koronavirusi ashtu edhe pamundësia ekonomike e financiare familjare apo falimentimi i bizneseve. Ky panik e frikë shtohen edhe më shumë kur qytetarët detyrohen të ndjekin edhe gjatë këtyre ditëve të vështira shoun mediatik në funksion të harakirit të guidës supreme. Nuk është cudi për shqiptarët që shumë nga veprimet janë arbitrare edhe në këtë kohë emergjence, pra në dhunim të dukshëm të shtetit ligjor e të pabazuara në ligje, vendime e urdhëra… duke i kushtuar më shumë vëmëndje propagandës e shout dhe kaluar deri në ekstreme të paimagjinueshme me kërcënime ndaj ekspertëve e gjithkujt që ka një mendim alternativ.

Për të mos e zgjatur me këtë analizë e cila me siguri do të bëhet më vonë, po evidentoj tre nga shqetësimet kryesore që paraqesin qytetarët e bizneset:

1) Menaxhimi i pandemisë: Cfarë kapacitetesh zotëron sistemi ynë shëndetsor për të trajtuar me sukses rastet serioze, pra cili do të numri maksimal i të sëmurëve seriozë nga virusi që mund të trajtojë sistemi ynë shëndetsor…? A ka një analizë me skenarë realistë e ekstremë për këtë cështje, të shtrirë në kohë? Dhe a i zotëron ky mekanizëm të gjithë aparaturat e nevojshme, burimet njerzore e kualifikuara dhe “postet” ku mund të vendosen pacientët e prekur rëndë nga koronavirusi? Cfarë qasje e masash do të aplikohen për mjekët, infiermierët, sanitaret që do të angazhohen në këtë operacion të vështirë e të rrezikshëm, në mënyrë që përmes mbrojtjes së tyre sistemi të mos kolapsojë?

2) Menaxhimi social i qytetarëve: Shqipëria ka shumë të varfër dhe shumë që janë shumë afër pragut të varfërisë, (të cilësuar Puno Sot për të Jetuar Sot) që në nëse nuk punojnë qoftë edhe disa ditë nuk arrijnë të zotërojnë të ardhura ditore e për rrjedhojë e kanë të pamundur ti rrezistojnë masave drastike disa ditore apo javore…pra jeta e tyre do të rrezikohej jo nga koronavirusi por nga pamundësia ekonomike…Cfarë është menduar për këtë kategori familjesh apo individësh? A ka një plan dhe a janë cliruar fondet e nevojshme buxhetore për të menaxhuar shqetësimet e kësaj kategorie familjesh/qytetarësh? Nëse një plan i tillë ekziston, përse nuk i bëhet me dije publikut?

3) Masat financiare dhe fiskale për biznesin: Shumë biznese për shkak të keqqeverisjes, kanë qënë tashmë të falimentuara ose në prag të falimentimit, por shumë te tjera për shkak të masave drastike do të gjënden shumë shpejt në situatë të vështirë për të mos thënë edhe mund të falimentonin, duke e vënë në rrezik ekonominë dhe situatën buxhetore të vëndit për të përballuar nevojat themelore të qytetarëve e të shoqërisë. A ka hartuar qeveria një plan për përballimin e kësaj situate? A po mendohet për masat financiare e fiskale që duhen marrë për të shmangur një situatë kolapsi ekonomik?

Përgjigjet ndaj këtyre shqetësimeve duhet të adresohen me seriozitet e përgjegjshmëri sot, sepse nesër do të jetë shumë vonë…Për më tepër kjo situatë do të jetë e vështirë për të mos thënë e pamundur të zgjidhet me shou mediatik… Dhe gjëndja do të jetë akoma më e vështirë sepse cdo qeveri europiane është e përqëndruar në menaxhimin e krizës që ka mbërthyer vëndin e vet dhe do ta kishte të vështirë të asistonte vëndet në kolaps. Përmbledhtas, qytetarët e friksuar e në panik, i kanë “gëlltitur” masat drastike sepse nuk kanë alternativë tjetër, por shumë familje e shumica e qytetarëve dhe bizneseve janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre të afërt, pra nëse do të mund ti rrezistonin këtyrë masave drastike.

Syri.net
16 mars 2020

SHKARKO APP