Islami: Protesta qytetare, trazira dhe destabilitet nëse manipulohen zgjedhjet

Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Kastriot Islami: Rama nuk do jetë Kryeministër në 2017-ën

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ligji i dekriminalizimit po jep sinjalet e para të funksionit, por për deputetin e PD-së, Kastriot Islami, dekriminalizimi do konsiderohet i suksesshëm kur të largohet nga kryesimi i qeverisë ideatori dhe përfituesi i kriminalizimit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Islami shprehet se:”Rama nuk do të jetë më Kryeministër në 2017, kjo do të ndodhë me siguri pas zgjedhjeve, por mund të ndodhë edhe më parë, pra edhe para zgjedhjeve”. E në bilancin e 2016, Kastriot Islami, e cilëson si vit ku në parlament ka po aq të paaftë e të paarsimuar se një vit më parë. “Po aq kriminelë se një vit më parë. Më shumë të dënuar se një vit më parë”. Thirrja e deputetit opozitar, është që nëse rezultati zgjedhor do të vlerësohej ilegjitim,”situata gjatë apo paszgjedhore do të ishte ilegjitime, një situatë e tillë do të nxiste reagimin masiv qytetar e për rrjedhojë edhe trazira sociale e do të mund të shkaktonte destabilitetin e vendit”.

Vetingu hyn në fuqi, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD-së. Çfarë do të thotë për PD ky vendim? Z.Rama u shpreh se PD-ja e vonoi, por s’e pengoi vendimin që u përshëndet  nga SHBA-të dhe BE-ja?

Së pari, qytetarët duhet të jenë të qartë se Rama vazhdon mashtrimet edhe për këtë çështje. Kurse e vërteta është ndryshe: i) PD me miratimin e ndryshimeve kushtetuese e mbështeti me ndërgjegje të plotë dhe pa rezerva reformën në drejtësi, për rrjedhojë edhe procesin e vetingut bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias dhe duke kërkuar gjithpërfshirje; ii) PD është shprehur vazhdimisht se respekton vendimet e gjykatave, pra edhe vendimin e fundit të GJK, ndonëse gjyqtarët e saj kanë qenë nën një presion politik nga Establishmenti Oligarkik; dhe së fundmi iii) PD mbetet e shqetësuar se procesi i vetingut, siç është miratuar njëanshmërisht nga Rama, do të jetë nën kontrollin e Establishmentit të drejtuar nga Rama (nëse ky proces do të përmbyllet nën drejtimin e oligarkisë, atëherë oligarkia ka arritur të vendosë nën kontroll edhe gjyqësorin dhe ky është një lajm shumë i keq për Shqipërinë e do të duhet shumë punë për të çmontuar këtë lidhje).

A zgjidh vetingu problemin me drejtësinë në Shqipëri dhe është zgjidhja e bekuar që do nxjerrë në dritë vendin, apo po ngarkohet me iluzione?

Nuk ka asnjë shans që drejtësia e kapur nga regjimi qeveritarëve të korruptuar, deputetëve kriminelë, banditë, trafikantë, kanabistë të ofrojë zgjidhjen e bekuar. Një drejtësi e kapur nga Establishmenti Oligarkik do të krijonte një ngarkesë të rëndë për të gjithë qytetarët dhe me pasoja të ngjashme me ato që shfaqen në regjimet autoritare, madje, më të rëndë. Nuk duhet pasur asnjë iluzion se një drejtësi e kapur nga një regjim i pakicës oligarkike mund të ofrojë drejtësi për qytetarët; siç vepron me arrogancë pushteti ekzekutiv duke i mashtruar apo dhunuar qytetarët, po ashtu do të veprojë edhe pushteti gjyqësor i kapur nga Establishmenti. Ligji në një regjim të pakicës oligarkike s’mund të aplikohet njëlloj për të gjithë; ai ofron privilegje për kupolën dhe dënime për të shumtët. Për më tepër, oligarkët dhe kriminelët jo vetëm që s’do të dënoheshin por ato do të legjitimoheshin duke ulur si “të pastër e të ndershëm” në kolltukët e qeverisë, në karriget e parlamentit, në administratën publike, postet kyçe të shtetit madje edhe si gjyqtarë e prokurorë…Pasuria kombëtare do të vazhdonte të grabitej nga klientela e Ramës dhe drejtësia si pjesë e saj jo vetëm do t’i mbronte, por do të konfirmonte grabitjet e tyre. Fondet e asetetet publike do të grabiteshin nga ministrat, kryeministri e klientela e tyre dhe drejtësia do të legalizonte grabitjet e tyre. Qytetarët do të dhunoheshin dhe të drejtat e tyre do të nëpërkëmbeshin por ato s’do të kishin ku të ankoheshin sepse drejtësia e kapur nga oligarkia do të mbronte dhunuesit dhe jo viktimat. Por s’besoj se do të vazhdohet në këtë mënyrë sepse ky regjim i ka ditët e numëruara dhe shumë shpejt do të çrrënjoset. Sepse bota po ndryshon duke rrëzuar Establishmentet, prandaj kam besimin e palëkundur se reforma e drejtësisë do të arrijë të formësojë një sistem gjyqësor të pavarur nga politika, profesional e të ndershëm, që vepron njëlloj për të gjithë duke filluar me “vetingun” për pasurinë e fshehur të kryeministrit, grabitjet e ministrave, deputetëve oligarkë dhe kriminelë të maxhorancës….

Pas vetingut, PD dërgon në Kushtetuese ligjin për organet e drejtësisë. A rrezikon PD-ja që me këmbënguljen te reforma në drejtësi të marrë kostot e mos hapjes së negociatave dhe të moszbatimit të reformës? Mendoni se kjo kërkesë e radhës, do influencojnë në vonesa të zbatimit?

Një nga mashtrimet e mëdha të Ramës është ai me hapjen e negociatave, por për fatin e madh ky ishte një mashtrim bajat që i doli boja shumë shpejt. Sepse Rama njëherë deklaroi se, negociatat do të hapen pa kushte. Pastaj tha se Merkel i kishte premtuar sihariqin për hapjen e negociatave në 28 nëntor. Pastaj fajësoi Krichbaum se duke folur pa mandat para kohe po ndihmonte grekët, të cilët Rama për disa muaj rresht i provokoi që të përdorte reagimin e tyre si alibi për hapjen e negociatave dhe këtë ta shiste si nacionalizëm. Pastaj pasi Këshilli Europian vendosi të mos hapte negociatat fajësoi opozitën. Në fund gënjeu se asnjëherë nuk kishte thënë që negociatat do të hapeshin dhe fajin ja kishte përkthimi. Kjo është sjellje prej klouni dhe gaztori. Nuk ja vlen më të harxhoj kohë e rreshta me mashtrimet e Ramës, por le t’i ofrojmë publikut të vërtetën.

Po si është e vërteta…sipas jush?

Negociatat me BE-në s’janë hapur dhe ende s’ka asnjë datë as për hapjen dhe as për shqyrtimin e kësaj çështjeje, për tri arsye madhore. Së pari, për shkak të korrupsionit galopant e në rritje sepse Rama e qeveria e tij s’kanë vullnet për të luftuar korrupsionin. Madje, qeveria e drejtuar nga Rama, i cili vetë zotëron një pasuri 200 milionë euro të fshehur në një llogari off shore, e ka të pamundur të ballafaqohet me korrupsionin e nivelit të lartë se ministrat e tij janë të zhytur në korrupsion dhe këto informacione të tmerrshme inteligjente janë prej kohësh mbi tavolinën e çdo Kryeministri të vendeve të BE. Së dyti, lidhja e krimit me politikën ose më saktë prezenca e kriminelëve në qeverisje, parlament, administratën publike, dhe postet kyçe të vendit dihet tanimë botërisht. Për fatin tonë të keq, të gjithë e kanë të qartë se ardhja e Ramës në krye të qeverisë është kryer me ndihmën dhe pjesëmarrjen aktive të individëve më rekorde të tmerrshme kriminale të cilët pas uljes së Ramës në kolltukun e kryeministrit kanë zënë poste të rëndësishme në qeverisje e parlament; edhe këto informacione se bashku me përgjimet e bisedave të këtyre individëve të implikuar në aktivitete kriminale me anëtarët e qeverisë janë mbi tavolinat e kryeministrave dhe ministrave të brendshëm të vendeve të BE. Së treti, Shqipëria nën drejtimin e Ramës dhe të Tahirit është kthyer në hallka më e dobët e NATO-s për shkak se këta të dy, së bashku me familjarët e tyre, dhe me rrjetin klientelist të policisë e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në Europë për kultivimin e kanabisit dhe vendin tranzit për trafikimin e drogave. Natyrisht këto tre arsye të përdoruara për manipulimin e zgjedhjeve përbëjnë rrezikun e destabilizimit të vendit dhe shqetësimin madhor të Kryeministrave të vendeve të BE. Gjithçka tjetër është mashtrim dhe demagogji e Ramës. Miratimi i njëanshëm, duke përjashtuar opozitën nga diskutimi dhe miratimi i 7 ligjeve për reformën e drejtësisë, pas miratimit me konsensusin e opozitës të ndryshimeve kushtetuese (ndërkohë që ishte rënë dakord që ndryshimet kushtetuese dhe paketa e 7 ligjeve të reformës në drejtësisë do të miratoheshin së bashku), është i tri qëllimtë: i) oligarkia Rama ka synuar të vendosë nën kontroll sistemin e drejtësisë; ii) të sajojë alibinë e mos hapjes së negociatave me BE duke akuzuar opozitën ose eventualisht Greqinë; dhe iii) të zhvendosë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e shumta të keqqeverisjes si dhe nga varfëria ekstreme.

Z.Islami, sesioni parlamentar mbylli punën për 2016. Një vit me debate mbi: çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë; debat për reformën në drejtësi apo dhe debati për buxhetin e vitit të ardhshëm. Si do ta vlerësonit këtë vit politik, me nota negative apo pozitive?

Po e nis nga Parlamenti. Ka në Parlament po aq të paaftë e të paarsimuar se një vit më parë. Po aq kriminelë se një vit më parë. Më shumë të dënuar se një vit më parë. Kryeministri dhe Ministrat janë shumë më të pasur se një vit më parë dhe kanë shumë më shumë pasuri se një vit më parë. Po kështu edhe disa deputetë të maxhorancës kanë deklaruar me më shumë pasuri se një vit më parë. Në parlament ka pasur më shumë agresivitet se një vit më parë, më shumë kërcënime nga deputetë të inkriminuar të maxhorancës ndaj opozitës se një vit më parë. Më pak mirëkuptim se një vit më parë. Më pak punë se një vit më parë dhe më shumë fjalë e logje se një vit më parë. Më shumë sharje dhe ofendime se një vit më parë. Në administratën publike ka më shumë kriminelë se një vit më parë. Më shumë miq dhe pjesëtarë të klientelës së ministrave e të Ramës se një vit më parë. Ka më shumë të paaftë e injorantë me diploma se një vit më parë. Ka më shumë paaftësi se një vit më parë…Ka më shumë bakshishe se një vit më parë dhe më shumë korrupsion se një vit më parë…dhe më shumë evazion e informalitet se një vit më parë në dogana, tatime, në çdo zyrë të shtetit…

Po për qytetarët çfarë mund të thuash…?

Vendi ka më shumë të varfër se një vit më parë. Vendi ka më shumë të papunë se një vit më parë. Vendi ka më pak klasë të mesme se një vit më parë, më pak profesionistë se një vit më parë, më pak të kualifikuar se një vit më parë…Vendi ka më shumë të sëmurë të patrajtuar se një vit më parë. Pensionistët janë më të patrajtuar se një vit më parë. Vendi ka më pak të arsimuar se një vit më parë dhe më pak student se një vit më parë. Vendi ka më pak shqiptarë se një vit më parë sepse këtë vit janë larguar në emigracion më shumë shqiptarë se një vit më parë.  Çmimet e ushqimeve janë rritur në krahasim me një vit më parë ndërsa pagat dhe pensionet janë po aq sa një vit më parë, sepse kjo qeveri po ashtu si edhe një vit më parë edhe këtë viti nuk i rrit as pagat dhe as pensionet. Çmimi i energjisë është rritur në krahasim me një vit më pare ndërkohë që OSHE ka rritur mbifaturimet në krahasim me një vit më parë dhe këtë e quan sukses. Ilaçet janë më të shtrenjta se një vit më parë dhe shërbimi mjekësor është më i keq se një vit më parë, ndërkohë që, fjala “mjekësi falas” është po aq inflacioniste sa një vit më parë. Tarifat për të hyrë në universitet janë më të larta se një vit më parë dhe hyrja në universitet është përkeqësuar krahasuar me një vit më parë, ndonëse studentët kanë hedhur më shumë vezë ndaj kryeministrit se një vit më parë, më shumë salcë domatesh mbi ministren e arsimit dhe më shumë slogane ndaj ministrit të shëndetësisë se një vit më parë. Fuqia blerëse është ulur shumë në krahasim me një vit më parë. Numri i bizneseve që kanë falimentuar është rritur në krahasim me një vit më parë.  Taksat janë rritur në krahasim me një vit më parë. Borxhi është rritur katastrofisht në krahasim me një vit më parë.

Çfarë ka shkuar më mirë se një vit më parë…?

Sigurisht ka edhe disa gjëra që kanë shkuar shumë më mirë se një vit më parë. Gënjeshtrat janë më të shumta, më të mëdha, më të përpunuara e më të maskuara nga “Portali Pinoku” me adresën transparenca.al dhe mediat mjerane të Ramës se një vit më parë. Mashtrimet janë kuptuar më mirë nga qytetarët se një vit më parë. Kryeministri qëndron më shumë në televizion se një vit më parë sepse nuk rri dot më ulur në zyrë se një vit më parë.  Media e qeverisë paguhet më shumë se një vit më parë me paratë e korrupsionit, krimit, trafiqeve sepse shan dhe kërcënon kundërshtarët e Kryeministrit më shumë se një vit më parë. Dhe së fundmi, njerëzit paradoksalisht ndonëse janë më të acaruar se një vit më parë për shkak të gjendjes së përkeqësuar në krahasim me një vit më parë, janë bërë më të pashpresë se një vit më parë dhe për rrjedhojë shfaqen nga frika më të nënshtruar e për rrjedhojë duken më indiferentë se një vit më parë… Kjo duket më dëshpëruese se një vit më parë… Prandaj edhe në sondazh qytetarët thanë se ishim më mirë kur ishim  më keq…Uroj që sensi i kësaj dinamike të ndryshojë në 2017. Por kjo do të mund të ndodhë vetëm nëse shqiptarët do të veprojnë ndryshe nga çfarë kanë vepruar deri tani…kthimi i shpresës është vetëm në dorën e tyre…ata duhet të veprojnë ndryshe nga një vit më parë…dhe uroj që kjo të ndodhë…Sigurisht që, politika e veçanërisht opozita ka përgjegjësitë e veta për të ngjallur shpresën dhe ofruar ndryshimin.

A fitoi Partia Demokratike me ligjin e dekriminalizimit pasi kauza e saj kundër Elvis Roshit mund të marrë zgjidhje me largimin e tij?

Largimi i Roshit është vetëm fillimi i fundit të një marrëzie që është ideuar, organizuar, realizuar nga Rama me një qëllim të qartë, marrjen e mbajtjen e pushtetit përmes i) blerjes së votave me paratë e politikanëve dhe biznesmenëve të korruptuar oligarkë, ii) kërcënimin e votuesve përmes individëve me rekorde të tmerrshme kriminale dhe iii) mashtrimin e qytetarëve me ndihmën e medias mjerane të manjatëve të media-biznes-politikës dhe sharlatanëve e sharësve me pagesë të bllogjeve. Establishmenti Rama i vendosur mbi a) trashëgiminë puniste, b) paratë e korrupsionit të oligarkisë; c) kërcënimet e individëve me rekorde kriminale dhe d) perversitetin e “kukullave e qenushëve” të regjimit do të çrrënjoset me siguri të plotë sepse shqiptarët janë gati në shpërthim për shkak të situatës së rëndë ekonomike e sociale që kjo qeveri ju ka shkaktuar. Nga ana tjetër Rama, në krye të një Establishmenti të korruptuar e kriminal ka sulmuar me arrogancë, por edhe në mënyrën me qesharake e të turpshme kandidatin Anti-Establishment që u zgjodh President i SHBA; kjo është një kambanë që e mban atë në alert çdo ditë e çdo natë Ramën dhe nga e cila i duket se s’do të arrijë të shpëtojë. Dekriminalizimi do të konsiderohet i suksesshëm vetëm atëherë kur të largohet nga kryesimi i qeverisë ideatori dhe përfituesi i kriminalizimit të politikës dhe Parlamentit, shoku dhe miku më i ngushtë i kriminelëve, mbështetësi dhe mbrojtësi më i madh i krimit dhe banditizimit dhe kjo ditë po afron.  Kjo është një ngjarje e sigurt: Rama nuk do të jetë më Kryeministër në 2017, kjo do të ndodhë me siguri pas zgjedhjeve, por mund të ndodhë edhe më parë, pra edhe para zgjedhjeve….

Grupi i PD-së duket sikur është i ndarë sa i takon çështjes së bojkotit. Një palë shikon mundësinë e braktisjes dhe bojkot të Parlamentit, e pala tjetër mbështën idenë që PD nuk mund ta braktisë Parlamentin pa një kauzë dhe argument të fortë politik? Si i shihni këto dy qëndrime brenda partisë?

Në grupin e PD-së nuk ka asnjë ndarje, por ka vetëm një debat të shëndetshëm, të përgjegjshëm dhe serioz për të gjitha çështjet me interes publik. Basha ka krijuar klimën e përshtatshme që lejon debatin e lirë dhe secilin të shprehet lirshëm e të shpalosë mendimet e opinionet e tij. Shikoj po ashtu nga ana tjetër përgjegjshmëri maksimale dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e grupit. Po ashtu sa herë janë marrë vendime, të gjithë kolegët janë përpjekur t’i zbatojnë me përgjegjshmëri. Përmbledhtas mund të thuhet se në grup ka diversitet në debate dhe unanimitet në respektimin e zbatimin e vendimeve. Gjithçka tjetër është sajesë e qendrës së dizinformacionit të ngritur nga Kryeministri Rama, dizinformacione që përhapen përmes altoparlantëve të medias klienteliste për të deformuar të vërtetën dhe helmuar mendjen e qytetarëve me informacione të sajuara dhe shpifje e sajesa.

Z.Basha ka shprehur qëndrimet se në listat e PD për zgjedhjet e ardhshme, do aderojnë të rinj. Pyetja që ngrihet është se, a po ndërrohet partia e po vijnë të rinj dhe deputetë me kontribute s’do t’i shohim në lista?

Unë shikoj se Basha synon që PD të kthehet në model të një partie meritokratike dhe vlerësoj  se Basha nisur nga ky parim i së djathtës po krijon të gjithë kushtet për një konkurrencë në ndershme që garanton hierarkinë dhe balancat meritokratike të vlerave, kontributeve, aftësive, kapaciteteve, moshave, gjinive, profesioneve… Kjo i jep mundësi Bashës, por ashtu si Republikanët në SHBA, të çmontojë gradualisht apo radikalisht Establishmentin, që ka për synim të marrë peng sistemin dhe të shkatërrojë garën sipas parimeve të meritokracisë. Përballja e ardhshme do të duhet të jetë një betejë e ashpër mes Meritokracisë dhe Establishmentit Oligarkik, pra mes atyre që kërkojnë garën meritokratike dhe atyre që kanë vrarë garën duke e zëvendësuar atë me blerjen e votave e kërcënimin e votuesve dhe promovimin e oligarkëve, kriminelëve dhe kukullave… Gjithçka tjetër është spekulim dhe propagandë e neveritshme e Ramës dhe medias së tij mjerane.

Çfarë kostosh mund të ketë PD-ja me këtë ndërrim, fiton apo humbet?

Basha po flet për meritokraci, për hapje të partisë, për respektin të vlerave dhe kontributeve, për betejë me Establishmentin e Oligarkisë, Krimit, Kanabisit. Të rinjtë gjithnjë janë mirëpritur në PD dhe kështu do të ndodhë edhe këtë radhë, por nga ana tjetër PD dallohet për ruajtjen e vlerave; për respektimin e kontributeve; për promovimin e kapaciteteve dhe aftësive, për gërshetimin e individëve sipas moshave, gjinive, profesioneve… Unë kam besim se Basha do të ndërtojë një ekip gjithëpërfshirës, përfaqësues e të mirëpritur nga publiku, të motivuar e motivues, profesionist dhe me integritet, të besueshëm dhe të përgjegjshëm, të ri në energji dhe me eksperiencë në përmbajtje.

z.Islami, a po e ndjekin njerëzit në rrugë PD, pasi në perceptime qytetarësh, ndihet që opozita nuk po e jep këtë forcë? Opozita është shfaqur e vakët në organizime protestash, ato të dhjetorit për rrëzimin e qeverisë nuk u realizuan edhe pse problematikat nuk kanë munguar?

Veprimi i PD ka qenë dhe do të mbetet shumëpërmasor, shumëngjyrësh, polivalent…veprimi i saj do të jetë edhe reaktiv edhe alternativ, edhe “i butë” edhe me “tolerancë zero” ndaj korrupsionit, krimit, kanabisit, edhe demaskues i së keqes edhe miratues i arritjeve…edhe protestues ndaj gjithçkaje që shqetëson qytetarët dhe dëmton parimet e demokracisë e të lirisë…  PD do të vazhdojë të demaskojë në Parlament keqqeverisjen, korrupsionin, lidhjen e krimit me qeverisjen dhe Parlamentin. PD do të vazhdojë të bisedojë me qytetarët për hallet e tyre. PD do të vazhdojë të organizojë strukturat për të fuqizuar lidhjet me votuesit e qytetarët. PD do të ndërtojë, diskutojë me qytetarët e shpalosë programin e qeverisjes dhe të integrimit të plotë të vendit në BE. PD do të mbështesë e organizojë protestat e qytetarëve për hallet e shqetësimet e tyre, por edhe për rreziqet që i kanosen demokracisë dhe lirisë.

Viti i ardhshëm do jetë një vit elektoral, a ka PD-ja dhe opozita një platformë të qartë dhe një strategji konkrete që zhgënjimin e qytetarëve nga qeveria e majtë ta përkthejë në vota në favor të saj? A është PD-ja ende në kërkim të një koalicioni fitues?

PD po përfundon një program qeverisjeje që synon të nxjerrë vendin nga humnera ku ndodhet. Po punon intensivisht për të përsosur organizimin. Shumë shpejt do të shpalosë ekipin drejtues të fushatës së ardhshme elektorale. Do të përcaktohen të gjithë aleancat e mundshme, tradicionale dhe të moralshme, politiko-fituese, duke i dhënë prioritet aleancës me qytetarin. Besoj në fillim të vitit do të përcaktohet në forumet e saj synimi i saktë për fitimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe dimensioni i objektivit të fitores, strategjia, taktikat, dhe kalendari i veprimit politiko-elektoral deri në 18 qershor 2017, e eventualisht edhe përtej. Si dhe programi i masave për çmontimin e makinerisë qeveritare të Ramës që mesa duket do të tentojë përmes kandidatëve me profile oligarkike e kriminale të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Në denoncimet e PD-së, theksohet se për zgjedhjet e 2017-ës po përgatitet një manipulim i madh, por cilat janë provat se zgjedhjet e 2017-ës s’do jenë të lira? A ka faj dhe PD-ja për moskryerjen e reformës zgjedhore?

Fillimisht duhet të sqaroj se PD do të marrë pjesë në zgjedhje e do të luftojë si për fitimin e tyre ashtu edhe realizimin e tyre të lira e të ndershme. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se është Rama ai që duke mos pasur interes për zgjedhje të lira e të ndershme ka bllokuar funksionimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Por procesi elektoral është shumë më kompleks sesa thjesht ndryshimin formal i kodit zgjedhor. PD kërkoi identifikim biometrik e votim elektronik, por Rama e refuzoi këtë kërkesë përmes zvarritjeve të reformës. Ka bllokuar çështjen e financimit të fushatës elektorale. Ka bllokuar procesin e dekriminalizimit dhe të largimit të kriminelëve e oligarkëve nga politika. Madje po përgatitet të përdorë paratë e korrupsionit për blerjen e votave. Po përgatitet të afrojë e të përdorë individët me rekorde të tmerrshme kriminalë për kërcënimin e votuesve. Ka ndërtuar të gjithë skemën e përdorimit të kultivimit të kanabisit për të i) grumbulluar para për blerjen e votave; ii) për joshjen e kërcënimin e votuesve. Këtë skemë e testoi në Dibër, për të provuar se me paratë e korrupsionit, me kriminelët dhe kanabisin mund të fitojë thellë ndaj opozitës, madje edhe pa pasur nevojë për LSI. Të gjitha këto dhe të tjera janë “fakte dhe prova” se me “Ramën në krye të qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”.

Çfarë do të bënte PD në këtë rast?

PD ka marrë dhe po merr të gjithë masat që ti fitojë zgjedhjet, nëse ato janë të lira e të ndershme, madje edhe në rastin ekstrem nëse manipulimet apo parregullsitë s’do të mund të ndryshonin rezultatin zgjedhor. Nëse manipulimet do të jenë masive dhe aq të mëdha sa të ndikojnë në rezultatin zgjedhor, PD ka marrë të gjithë masat për të “fotografuar/skanuar” dhe “faktuar” ilegjitimitetin e zgjedhjeve për shkak të manipulimeve të zgjedhjeve përmes blerjes së votave me paratë e korrupsionit, kërcënimit të votuesve nga individët me rekorde kriminale dhe kërcënim/joshjes me kanabisin. Dhe nëse rezultati zgjedhor do të vlerësohej ilegjitim, situata gjatë apo paszgjedhore do të ishte ilegjitime dhe një situatë e tillë do të nxiste reagimin masiv qytetar e për rrjedhojë edhe trazira sociale e do të mund të shkaktonte destabilitetin e vendit. Shpresoj që vendi të mos futet në këtë rrugë, por nëse Rama tenton të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, pra fitoren e PD e të opozitës, atëherë do të largohet edhe si përgjegjës i destabilitetit të vendit. Askush të mos mendojë se populli është i nënshtruar dhe i zhgënjyer e pashpresë dhe s’do të reagojë, sepse banda e Ramës jua ka sjellë shpirtin në majë të hundës; gota për t’u derdhur mjafton vetëm një ngacmim shumë i vogël… Reagimi do të jetë i paimagjinueshëm…

SHKARKO APP