Islami: Vendi mund të futet në trazira sociale

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Kastriot Islami: Protesta e Dhjetorit, nuk ka si skenar 21 Janarin, Basha i kujdesshëm

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partia Demokratike do i rikthehet protestave, ku pas një viti ajo do të thërrasë qytetarët që t’i bashkohen opozitës për të larguar Kryeministrin Rama, me akuzën e keqqeverisjes. Por a është e përgatitur PD-ja, çfarë ndodh nëse me ato protesta qeveria nuk rrëzohet? Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Kastriot Islami, thotë se qytetarët nuk mund të durojnë më. “Vendi nuk do të ketë qetësi e stabilitet me Ramën Kryeministër. Para, gjatë ose pas zgjedhjeve vendi ka shumë gjasa të futet në trazira sociale për shkak të ilegjitimitetit dhe që potencialisht do të thellohej nëse Rama do të manipulonte zgjedhjet e ardhshme”. I pyetur nëse protestat mund të përshkallëzohen si 21 Janari fatkeq, ai pohon se, “opozita do jetë e përgjegjshme në krye të veprimeve demokratike të qytetarëve dhe se, Basha nuk do të lejojnë të ndodhë një organizim i tillë banditesk duke abandonuar qytetarët dhe vendosur ata në përplasje kriminale me policinë”.

Z.Islami, situata e qeverisjes në vend sipas jush është e rënduar, e PD pritet që në dhjetor të thërrasë qytetarët për të nisur një aksion të madh kundër qeverisë. Kërkohet largimi i Kryeministrit Rama, por në përvojën tuaj, sa real e sa e zbatueshme është kjo lëvizje, a ka PD-ja aleatë të vlefshëm dhe struktura të gatshme?

Situata është ekstremisht e rënduar dhe do të vazhdojë të rëndohet. Ekonomia po shkon drejt rrënimit me shpejtësi. Papunësia po rritet. Varfëria po rritet e zgjerohet. Niveli i jetesës po ulet ndjeshëm, Pasuria po përqendrohet në pak duar oligarkësh me pushtet ose pranë pushtetit. Siguria publike e njerëzore janë vënë në dyshim. Krimet,vjedhjet, kërcënimet janë të përditshme. Krahas korrupsionit dhe lidhjes së shtetit me krimin kjo qeveri ka futur në lojë kultivimin e kanabisit për blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve. Asgjë s’është e sigurt dhe e parashikueshme; prandaj shumë shqiptarë po largohen për në vendet e BE dhe SHBA, me idenë se, “ky vend nuk bëhet”. Rama nuk qeveris më, por “menaxhon zjarrin që i ka rënë në çdo sektor dhe në çdo cep të vendit” për më tepër që marrëdhëniet mes Rilindjes dhe PS, por edhe mes Rilindjes dhe LSI janë shumë të nxehta e të tensionuara.

Ndërkohë Rama gjatë të gjithë kohës po sqaron në media arritjet e qeverisë së tij apo jo?

Rama nuk e ka idenë e qeverisjes dhe mendon se qeverisje është propaganda në televizion; në realitet Rama, i paaftë dhe mediokër për të qeverisur, nuk qëndron dot në zyrë, prandaj gjatë ditës është në media, Tvvitter, Facebook kurse natën shëtit me taksistët. Ky është një lloj sindromi që pasqyron gjendjen e rëndë të paaftësisë për të qeverisur. Dhe kur qytetarët ankohen për gjendjen e mjerueshme, Rama i tensionuar ka filluar t’i vërsulet lirisë së fjalës, mediave dhe portaleve ndërkohë që, mediat e tij klienteliste dhe gardistët e blogjeve të paguar prej tij nuk i mjaftojnë për të mashtruar dhe kërcënuar kundërshtarët. Marrëdhëniet brenda koalicionit janë më shumë se të tensionuara, sepse në mendje i qarkullon ideja e qeverisjes i vetëm dhe i burgosjes së aleatit të tij kryesor. Ramën mediokër, injorant, qesharak, arrogant po e përshkruajnë jo vetëm mediat shqiptare, por edhe ato rajonale. Rasti më i mirë është kur atë e paraqesin një kloun cirku që luan edhe nacionalistin dhe europianistin njëkohësisht. Ramës i ka dalë boja brenda shtëpisë, mes socialistëve, brenda koalicionit, mes qytetarëve që në shumicën e urrejnë, mes fqinjëve që e kanë kuptuar injorancën, mediokritetin, arrogancën dhe megalomaninë e tij dhe tallen e qeshin. Të gjitha këto kanë bërë që të krijohet një “Aleancë e të Mirës”, një aleancë e gjerë, e të gjithëve qytetarëve kundër së Keqes së Madhe që mban emrin Rama dhe mbiemrin Rilindje dhe që rrezikon vendin e të ardhmen e qytetarëve. Natyrisht, në këtë kontekst opozita ka një rol për të luajtur, madje do të thoja ka rolin parësor, për t’i dhënë shpresën e vrarë të gjithë shqiptarëve. Opozita është në krye të kësaj aleance dhe shumë shpejt kjo aleancë që është shumicë popullore do të demonstrojë se Rilindja është pakicë e urryer. Do ta detyrojë Rilindjen të largohet nga pushteti duke i hapur rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Mendoni se shoqëria shqiptare është në gjendje për të dalë në protesta, për të organizuar një aksion të tillë që mund të plotësojë këtë kusht të opozitës?

Qytetarëve shqiptarë ju ka vajtur thika në palcë. Kudo në të gjithë vendin duket qartas se njerëzit nuk durojnë më. Një pjesë e tyre tentuan të gjejnë zgjidhje duke u larguar drejt vendeve të BE-së, por kjo rezultoi e vështirë për të mos thënë e pamundur. Po të dilni në periferi të Tiranës dhe sidomos jashtë Tiranës, le pastaj po t’i hidhni një sy gjendjes në zonat të largëta, do të shikoni se gjendja është e mjerueshme, katastrofike. Është shpërthyese. Opozita është treguar e matur dhe e duruar duke mos i hedhur benzinë zjarrit sepse situata mund të dilte jashtë kontrollit. Rama dhe disa anëtarë të klientelës së tij të korruptuar, kriminale e kanabiste mendojnë se mund t’i nënshtrojnë qytetarët duke i varfëruar në ekstrem dhe/ose përmes represionit policor. Ka ndodhur e kundërta, gjendja është bërë shpërthyese. Vendi nuk do të ketë qetësi e stabilitet me Ramën Kryeministër. Para, gjatë ose pas zgjedhjeve vendi ka shumë gjasa të futet në trazira sociale për shkak të ilegjitimitetit që ka krijuar kjo qeverisje e pakicës oligarkike e kriminale dhe që potencialisht do të thellohej nëse Rama do të manipulonte zgjedhjet e ardhshme.

Mund të ndeshemi me një skenar fatkeq si ai i 21 Janarit, priten protesta të dhunshme, shkatërruese apo paqësore?

Opozita do të jetë e përgjegjshme në krye të veprimeve demokratike të qytetarëve dhe unë besoj se lidershipi i opozitës, ndryshe nga Rama dhe drejtuesit kriminalë të ish-opozitës, nuk do të lejojnë të ndodhë një organizim i tillë banditesk duke abandonuar qytetarët dhe vendosur ata në përplasje kriminale me policinë.

Kreu Basha është shprehur se PD-ja është e hapur e çdokush që është kundër qeverisjes, mund t’i bashkohet opozitës. Si mund të jenë pjesë e protestave partitë apo individët që refuzojnë Ramën, cila është domethënia e kësaj thirrjeje?

Domethënia është e thjeshtë: E Keqja është Rilindja, rreziku është Rama. Ky është vlerësimi i qytetarëve. Prandaj të gjithë ata që s’bëjnë pjesë në Rilindje dhe s’janë dakord me mënyrën e drejtimit klientelist, kriminal, të korruptuar, kanabist të Ramës dhe janë të gatshëm të bashkohen me qytetarët duhet të bëhen pjesë e kësaj aleance pavarësisht se ku janë aktualisht. Prandaj të gjithë që do të bashkohen me qytetarët, që s’janë pjesë e së keqes apo i largohen së keqes; të gjithë ata që janë kundër rrezikut që shfaq Rama e Rilindja dhe i bashkohen betejës për të larguar të keqen e shmangur rrezikun janë të mirëpritur.

Në deklaratën e fundit, z.Basha u shpreh se me Kryeministrin Rama nuk ka zgjedhje. Nëse Kryeministri Rama nuk largohet, nuk shkojmë në zgjedhje? Është një retorikë e PD-së apo keni synim ta largoni Kryeministrin para zgjedhjeve?

Nuk është retorikë, por objektiv që buron nga kërkesa popullore. Rama po tregon çdo ditë se është i vendosur të paraqitet në zgjedhje me klientelën e tij të korruptuar, me individët me rekorde të tmerrshme kriminale dhe me bandën e kanabisit për të manipuluar zgjedhjet. Kjo do të thotë që zgjedhjet me Ramën në krye të kriminelëve, vjedhësve të pasurisë publike dhe kanabistëve do të manipulohen. Këtë gjë as qytetarët shqiptarë dhe as partnerët s’do ta pranonin e lejonin. Prandaj opozita do të jetë në pararojë të kësaj lëvizje qytetare për zgjedhje të lira e të ndershme, që ka për objektiv çrrënjosjen e oligarkisë, banditizmit, krimit, korrupsionit dhe kultivuesve të kanabisit, vetëm përmes me votës së lirë. Ky është një objektiv, një mision i opozitës dhe nëse Rama e banda e tij do të prekin votën e lirë atëherë me shumë gjasa vendi do të rrëshqiste në humnerë të rrezikshme ku stabiliteti, siguria, sovraniteti dhe integriteti do të cenoheshin rëndë.

Në 2017 do të ketë bojkot? A ka vendosur kushte z.Basha për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje?

Bojkoti është një opsion i përjashtuar dhe nuk është e vështirë të kuptohet që Rama po e provokon opozitën të bojkotojë për të gjetur alibinë e fitores në tavolinë. Në 2017 do të ketë vetëm ç’rrënjosje të oligarkisë, banditizimit, krimit dhe kanabisit nga drejtimi i shtetit. Për këtë jam i sigurt dhe është një opsion që e besoj realisht. Përndryshe situata do të rrëshqiste në ilegjitime dhe një situatë ilegjitime do të gjeneronte destabilitet politik e trazira sociale. Shpresoj të mos ndodhë kjo por të largohen faktorët që shkaktojnë ilegjitimitetin, destabilitetin, trazirat që janë vetëm Rama dhe Rilindja. Prandaj të gjithë janë kundër Ramës, janë kundër Rilindjes. Detyra e opozitës është largojë nga shpina dhe shpatullat e qytetarëve këtë barrë të rëndë, këtë rrezik që kërcënon të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

Deputetë e ish-deputetë të PD-së, janë shprehur se partia është marrë peng. Sipas jush, a ndikojnë të tilla “akuza” ndaj opozitës? Kush mund ta ketë marrë peng Partinë Demokratike?

Kjo është pjesë e propagandës së medias dhe bllogjeve të Ramës. Rama për shkak të dështimeve është në panik dhe prandaj përpiqet ta transferojë problemet e tij të shumta, të qeverisjes dhe brenda koalicionit, te opozita; të sulmojë kundërshtarët, opozitën dhe mediat realiste që nuk pranojnë të rreshtohen me mashtrimet e dështimet e tij. Këto mbroçkulla nuk i ha më njeri dhe çdo ditë sjellin neveri.

Pse sulmohet kaq shumë kreu Basha nga deputetët e grupit, mendoni se kanë të drejtë kritikët kur vënë në diskutim pozicionin Bashës si lidership i partisë?

Mbledhjet e grupit parlamentar janë shumë demokratike dhe ekziston e gjithë hapësira për të shprehur mendimet e tij, secili anëtar i grupit. Nuk kam parë asnjë deputet që të bëjë sulme ndaj Bashës apo kolegëve, ndërkohë që, të gjithë shprehin mendimet dhe opinionet e tyre lirshëm. Mbledhjet zhvillohen me shumë etikë dhe përgjegjshmëri. Nuk kam para po ashtu Bashën të bëjë sulme ndaj ndonjë deputeti, por në mënyrë demokratike jo vetëm artikulon qëndrimet e tij dhe të PD por edhe me shumë qetësi mirëpret çdo mendim e opinion të anëtarëve të grupit. Gjithçka tjetër nga kjo që po ju them në këto pak rreshta është sajesë e mendjes së sëmurë të Ramës dhe prodhim haluçinant i medias të tij klienteliste që ushqehet me paratë e korrupsionit, krimit dhe kanabisit. Unë nuk besoj se kjo lloj propagande apo diversioni, kaq mediokër e banal, kaq i trashë dhe pervers do të kishte ndikim te demokratët.

Deputetja Elmazi, së fundi është shprehur se si duhet të veprojë Basha me opozitarët që e shohin PD vetëm për interesa personale e që flirtojnë me pushtetin, si e lexoni këtë deklaratë? Edhe opinionistë janë shprehur se Basha duhet të veprojë sipas logjikës të çdo partie politike, që ekipet humbëse duhen flakur?

Basha është një drejtues europianist e demokrat dhe zotëron të gjithë aftësitë, kapacitetin, eksperiencën dhe autoritetin për të vepruar në linjë me parimet e demokracive perëndimore, në rezonancë me sjelljet e familjes europiane të Partive Popullore, në respekt të demokracisë liberale perëndimore. Kjo është arsyeja përse Basha është një drejtues ndryshe nga të tjerët. Përse Basha do të triumfojë në këtë betejë asimetrike me të keqen. Përse Basha do të kthehet në modelin e drejtuesit demokrat liberal e perëndimor jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Të gjitha këto nuk janë as ekzagjerime dhe as lavdërime mediatike, ky është një realitet që unë e prek dhe një perspektivë që unë e besoj; jam i sigurt që qytetarët do ta prekin shumë shpejt dhe shqiptarët do të habiten edhe vetë si nuk e paskan perceptuar më parë një gjë të tillë. Për këto që them jam shumë i sigurt dhe të gjitha këto bazohen ndër të tjera edhe në eksperiencën time.

Meqë jemi tek ekipi, nga selia blu gjithmonë shihet z.Basha si Kryeministër, por a e ka ekipin mbështetës z.Basha e kjo skuadër do ta çojë atë në qeveri. A është përcaktuar ekipi  apo është i vonuar, si e konsideroni ju?

Ndiqni me vëmendje të gjithë proceset zgjedhore në PD pas vitit 2013. Basha gjithnjë është përpjekur maksimalisht për të krijuar kushtet e një gare demokratike, gare ku të gjithë kanë shanse të barabarta dhe ku mund të fitojë më i miri. Është përpjekur të promovojë parimin e meritës, që është një parim madhor i së djathtës dhe demokracisë liberale. Të respektojë të gjithë ata që kanë kontribute, vlera e kapacitete. Ka nxitur të rinjtë e talentuar, që kanë ambicie dhe motivim për punë e kontribut, që kanë formim solid vendas e perëndimor profesional, që janë demokratë të shpirt e bindje. Ka mbajtur afër dhe ka dëgjuar me shumë vëmendje këshillat e të gjithë atyre me eksperiencë, këshillat e mençura e të urta dhe ka vendosur në krye të të gjithë komisioneve parlamentare, në kryesinë e grupit dhe drejtimin politik të forumeve të partisë të gjithë ata që kanë kontribuar me sukses në qeverisjet e demokratëve. Unë besoj se në të njëjtën mënyrë do të zgjidhet edhe lista e kandidatëve të ardhshëm për deputetë, edhe drejtuesit e ekzekutivit, dhe bazuar në këto parime, por në pavarësi partiake do të  ngrihet edhe administrata publike. Unë e besoj një projeksion të tillë sepse shikoj që ka ndodhur.

A ka opozita strategji të duhur për të ardhur në pushtet, duke parë dhe qëndrimet e kolegëve tuaj se nga selia blu ende nuk ka dalë shpresa që shqiptarët presim?

Ka jo vetëm strategji, por edhe program veprimesh, madje do të thoja se ka edhe kalendar veprimesh. Shpresa e vetme e qytetarëve, e cila po rritet çdo ditë mbetet vetëm opozita që drejtohet nga PD. Unë, nisur edhe nga eksperienca ime personale më rezulton se 2017 do të shënojë çrrënjosjen me votë të lirë të oligarkisë, banditizmin, krimit dhe kanabisit, pra të Rilindjes të drejtuar nga Rama. Ky është objektiv e mision qytetar apo siç mund të thuhet ndryshe qëllimi i përcaktuar në strategjinë e opozitës, që buron nga kontaktet me qytetarët. Në programin dhe kalendarin e veprimeve të saj janë të përcaktuar, madje me afate, edhe të gjithë veprimet e aksionet që sigurojnë realizimin e këtij qëllimi.

Edhe pse e kërkuar edhe nga vetë opozita, duket se votimi dhe numërimi elektronik nuk do shihet në zgjedhjet e 2017, pse u tërhoq PD-ja?

PD nuk është tërhequr nga realizimin i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Rama është përpjekur të vonojë, sabotojë, pengojë, sfidojë zgjedhjet e lira e të ndershme.  Ka penguar reformën zgjedhore. Ka minuar dekriminalizimin. Po sfidon reformën në drejtësi. Por ai e ka të pamundur të fitojë duke manipuluar zgjedhjet.  Sa më shumë Rama përpiqet t’i largohet zgjedhjeve të lira e të ndershme apo e thënë ndryshe, sa më shumë Rama përpiqet për të ngritur një sistem të manipulimit të zgjedhjeve aq më i fuqishëm do të jetë mekanizmi i çrrënjosjes së këtij regjimi, aq më i fuqishëm dhe i ashpër do të jetë reagimi qytetar. Rama nuk ka asnjë rrugë për të fituar përmes manipulimeve, përmes përfshirjes së kriminelëve në zgjedhje, përmes përdorimit të parave të korrupsionit, përmes rrjetit policor të kultivimit të kanabisit. Ky skenar i Ramës njihet në Shqipëri dhe në të gjithë kryeqytetet demokratike të planetit dhe do të përballohet me shumë sukses pavarësisht sakrificave dhe mundimeve eventuale. Mbajeni mend, ky regjim do të largohet me votën e lirë të qytetarëve dhe çdo lloj provokimi nga Rama do të kishte përballë reagimin masiv e të ashpër popullor, i cili nuk do të pranonte në asnjë rast ilegjitimitetin e një situatë të krijuar nga një rezultat i manipuluar i zgjedhjeve të ardhshme.

SHKARKO APP