“Izolimi të vijojë deri më…” DW: Gjermania në prag të zgjatjes së kufizimeve për koronën
Politikanët drejtues në Gjermani janë pro zgjatjes së masave kufizuese për koronën pas 10 janarit. Po sa do të zgjasë lockdown-i?
“Për shkak të shifrave ende shumë të larta, është e nevojshme që masat dhe kufizimet të zgjaten edhe më tej,” tha Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn. Aktualisht në njësitë e kujdesit intensiv është arritur numri maksimal i pacientëve me korona . Dhe tani duhet të zvogëlohet numri i infeksioneve dhe të mbahet në nivele sa më të ulëta për një periudhë më të gjatë kohore. “Kjo është më mirë sesa t’i lirojmë masat shumë herët dhe të përballemi përsëri me pyetje të vështira brenda pak javësh,” tha politikani i CDU-së.
Kryeministri i Bavarisë Markus Söder (CSU) bëri thirrje në “Bild am Sonntag” për kufizime të rrepta edhe për tri javë të tjera: “Lockdown-i duhet të zgjatet deri në fund të janarit, heqja e parakohshme do të na kthente sërish mjaft pas.”
Edhe kryeministrat e landeve të tjera federale të prekura fort nga Corona kërkuan gjithashtu gjatë një tele-konference me kolegët e tyre një zgjatje deri në fund të janarit. Kurse landet më pak të prekura duan të presin për të marrë një vendim të ri edhe disa ditë. Qeveria federale mbështet zgjatjen masave kufizuese.
Vendimi po afron
Të martën, Kancelarja Angela Merkel (CDU) do të vendosë së bashku me kryeministrat e landeve federale mbi zgjatjen e masave kufizuese. Takimi telefonik i kryeministrave të landeve i shërbeu përgatitjes së takimit.
Një nga pikat më të diskutueshme në takimin e tyre ishte çështja e kopshteve dhe e shkollave. Landet me numër të lartë infektimesh duan t’i mbajnë kopshtet dhe shkollat të mbyllura, ndërsa ato me numër më të ulët kërojnë që shollat të hapen sa më parë duke ofruar orë mësimore alternative ose kombinim të mësimit në klasë dhe online për klasat e larta.
Sipas informacioneve të Agjencisë gjermane të Shtypit (dpa) pjesë e disktimeve do të jetë edhe vendosja e një testi të detyrueshëm mbarëkombëtar për udhëtarët që kthehen nga zonat me rrezik. Ky tekst i detyrueshëm aplikohet tashmë në landin e Bavarisë.
Mes landeve gjermane ka dallime të thella sa i përket numrit të infektimeve brenda javës. Me e ulët shifra është në Shlesvig-Holstein me 77,4 infeksione dhe me e lartë në Saksoni me 329,7 të infektuar./DW