Ja drafti i PS-së për Reformën Kushtetuese
Mazhoranca ka përgatitur draftin e saj për ndryshimet kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ora News, ka zbardhur draftin e socialistëve për amendimin e ligjit themeltar të shtetit ku pritet të ndryshojë në rrënjë funksionimi i institucioneve kushtetuese që lidhen me sistemin e drejtësisë. Drafti është hartuar me ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj. Ndërhyrja nuk e prek formulën e përzgjedhjes, por Presidenti i vendit, zhvishet nga shumë kompetenca.
Kreu i Shtetit përjashtohet nga e drejta për të emëruar gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke ju lënë vetëm e drejta per anetarët e Gjykatës së Lartë. Gjithashtu Presidenti kufizohet dhe në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me mandat 12 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. “Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”
Propozimet e mazhorancës, sjellin ndryshime rrënjësore dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Në draft parashikohet qartë ndërprerja e mandatit të kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla, dhe zgjedhja e prokurorit të ri në bazë të këtij ligji.
“Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, sipas këtij ligji. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë emërohet gjyqtar në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 3 muajve nga data e mbarimit të mandatit”
Gjithashtu, presidenti i vendit përjashtohet dhe nga procesi i përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
“Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga 3/5 e deputetëve, me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi opinionin e Këshillit për Emërimet në Drejtësi për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë ri-emërimi.”
Mazhoranca sjell një koncept krejt të ri dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke e rikonceptuar në përmbajtje dhe në emer, i cili do të quhet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit. Këtij këshilli i shtohet komeptenca për të propozuar anëtarët e Gjykates së Lartë, administrimi i buxhetit, ndërkohë që zhvishet nga kompetenca e inspektimit të gjyqtareve. Pjesë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit nuk do të jetë më Presidenti, ndërkohë që ministri i Drejtësisë do të gëzojë vetëm statusin e vazhguesit. Në draft parashikohet që jashtë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, të ngrihet Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë i cili do të jetë nën varësinë e Parlamentit duke zhbërë dy inspektoriate qe janë aktualisht nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë;
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga të cilët vijnë nga gjyqësori dhe 2 nga prokuroria. Ata emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve, midis kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.”
Propozimet e mazhorance do diskutohen në komsionin e posacëm parlamentar për reformën në drejtësi, i cili do të mblidhet të hënën pasdite.
KOHA JONË SONDAZH

