Historia e KOHA JONE/Ja se ç’shkruan Edi Rama para 24 vitesh për Udhëheqësin diktator në kushtet e demokracisë. Sikur ka parashikuar vetveten!

(Botuar me 30 Qershor 1996 në KOHA JONE)

-Ja se ç’shkruan Edi Rama në KOHA JONE para 24 vitesh: Sado i djallëzuar të jetë një individ i vetëm nuk mund ta fusë në rrugë të mbrapshtë një shoqëri të tërë-

Intervistë me Edi Ramën

Para disa ditësh, së bashku me të tjerë intelektualë, ju keni firmosur memorandumin drejtuar opinionit publik ndërkombëtar për situatën dramatike të paszgjedhjeve në Shqipëri. Çfarë rezultati prisni nga kjo iniciativë?

Edi Rama: Një burrë më i mençur se unë, i cili quhet Vatsla Havel, mbron idenë se për nga vetë natyra e tij, intelektuali është një humbës i përhershëm. Pra, fjala rezultat, në kuptimin e ngushtë konkret të saj, nuk para i shkon përpjekjes intelektuale edhe pse falë kësaj përpjekje njerëzit sensibilizohen karshi problemeve të ndryshme të shoqërisë.

“Tek një intelektual që fiton ka gjithmonë diçka për të dyshuar”, shkruan Haveli. Me fare pak fjalë do të komentoja se, duke qenë bartës i “virusit të dyshimtë Sokratik”, intelektuali është i destinuar të jetojë në ecje, në spostim të pandërprerë, në çrrënjosje të vazhdueshme drejt Itakës së tij utopike, pa iu adaptuar dot asnjëherë statuskuosë së imponuar nga zhvillime të caktuara historike, shoqërore e politike, pra “pa e pritur në vend rezultatin”.  Për pasojë ai është i destinuar t’i fitojë me një, dy apo shumë e shumë kohë vonesë betejat e tij për një shoqëri më të mirë. Në të vërtetë nuk është ai që fiton, sepse në çastin e “fitores” intelektuali zakonisht “nuk gjendet më aty”, kërkon një sfidë të re duke rivënë në dyshim shumëçka nga elementët e “fitores” së porsaarritur ose rresht së qeni i tillë, ka vdekur intelektualisht apo qoftë edhe fizikisht! Statusi i intelektualit nuk është një diplomë inxhinieri apo merceologu, as një famë mjeku popullor apo letrari – sado e shkëlqyer qoftë ajo diplomë e sado të famshëm qofshin njerëzit në zanat të tyre – por një status që fitohet deri në ditën e fundit të jetës në luftë pa kompromis me sirenat e vetëkënaqësisë, me kufijtë kulturorë të shoqërisë, me marifetçinjtë e politikës dhe me suflerët që fshihen pas tyre! Një intelektual që i adaptohet një “fitoreje”, ashtu siç iu adaptuan plot të tillë gjatë gjysmë shekulli “fitores” së Partisë së Punës apo gjysmës së parë të viteve 90 “fitores” së Partisë Demokratike, duke lënë peng shpirtin kritik apo duke u përpjekur t’i luftojnë gjoja nga brenda veset e partisë në pushtet, është si një burrë që ndërron seksin për t’i dhuruar organin partisë për përdorim të saj të brendshëm. E afërmendsh që në sistemet totalitare si ai i Enver Hoxhës, apo anarko-staliniste si ky i Sali Berishës, pushteti hyn brutalisht në jetën private të individit, intelektualët janë shumë e shumë më të rrallë se sa në sisteme të zhvilluar demokratike, pasi roli i tyre vështirësohet deri në kufijtë e ekzistencës.

Le të kujtojmë p.sh. kur Kasëm Trebeshina i shkruante letër Enver Hoxhës më 1954 dhe denonconte sistemin totalitar komunist. Ky akt rebelimi, si dhe akte të tjera shumë të rralla rezistence që i kemi marrë vesh vetëm kohët e fundit, jo vetëm që përbënin një “çmenduri” për kohën por, edhe për vetë rrethanat, mbetën aq të izoluar saqë u “katandisën” në beteja “të humbura” individësh vetmitarë përballë rrjedhës së pamëshirshme të historisë. U desh të vinin fillimvitet ’90, kur statuja e Hoxhës së vdekur ra, që shqiptarët me kuç e me maç të fillonin të përsërisnin si në jerm, me vend e pa vend, po ato të vërteta që një i “çmendur” ia pat thënë 35 vjet më parë Enverit, kur ky qe gjallë e në Zenith të pushtetit të tij. Vërtet, ideja e atyre  pak të  “çmendurve” triumfoi më në fund në Dhjetor ’90 dhe regjimi totalitar u shpërbë, mirëpo nuk fitoi Kasëm Trebeshina i cili falë Zotit mbeti gjallë edhe pse i blatoi “dyshimit të tij Sokratik” pjesën më të madhe të jetës duke vënë vetë jetën në rrezik të vazhdueshëm, nuk fituan as të tjerët që vdiqën e nuk mbërritën dot të gjallë  në ditën e fitores, apo të tjerë akoma që u shuan intelektualisht e u bënë kryepleq a thjesht pleq të Kuvendit Popullor. Fitimtarët qenë si gjithmonë të tjerë fare, si Sali Berisha me kompani, intelektualët e qëmtuar nëpër protokolle mbledhjesh partie, intelektualët e Perestrojkës sterile të Ramiz Alisë në gazetën “Drita” a në “Zërin e Popullit”, intelektualët e kontaminuar nga virusi i enverizmit. Fituan e menjëherë pas fitores i harxhuan edhe ata dy tre artikuj që xivosën për pluralizëm mendimesh, dialog, kulturë qytetare e liri fjale, e harruan edhe statusin e intelektualit në zyrën e Ramizit. Prej andej morën vetëm librin e kuzhinës tradicionale të politikës shqiptare, ku jepen formulat më të frikshme të tavolinave. Pa dialog, pa kulturë qytetare, pa liri fjale. Me ato formula filluan të rigatuajnë menunë e plotë të intolerancës e t’ua zhvatin me zor kokat shqiptarëve në po ato tava balte ku i pat ushqyer Enver Hoxha për gjysmë shekulli, por kësaj radhe shtruar mbi mbulesa blu. Duke u ricikluar e shtuar përditë përreth gostisë së bollshme të qeverisë demokratike, duke ngritur pas çdo sille vetëm dy gishta prej grushtit të dalë mode e duke marrë zemër nga ky rit si të krishterët pasi bëjnë kryqin, intelektualët e dehur prej pushtetit lëshohen me flakët e urrejtjes mbi këdo që nuk pranon të fusë në gojë bukën e përditshme të zotit Sali Berisha. Ndërsa, në të kundërt, cilindo që përlyen turinjtë me yndyrën e korrupsionit moral të qeverisë demokratike e ftojnë në gosti dhe e përgëzojnë intelektual.

Emblematik është rasti i Eduart Selamit i cili për sa kohë i bëri hosana asaj yndyre, u ngrit lart e më lart si intelektual i lartë, kurse, sapo tentoi të çohej nga gostia e të pastronte ndërgjegjen, u ul poshtë e më poshtë si pseudointelektual i ulët. Në fakt i gjori Eduart nuk ishte intelektual as më parë e as më pas. Pas kësaj parashtrese ndoshta pak të gjatë mund të them se Memorandumi është një iniciativë qe ne e ndërmorën duke ushtruar të drejtën tonë qytetare të protestës paqësore ndaj pushtetit, ndaj një pushteti që është kompromentuar përfundimisht me mashtrimin kapital të 26 majit. Nuk kërkuam firmat e opozitarëve të angazhuar direkt në politikë pikërisht për të vënë në pah se gjithsesi ekziston edhe në Shqipëri një shqetësim qytetar jashtë programeve të forcave politike opozitare, se Shqipëria nuk është vetëm vendi ku fjala intelektual është sinonim i fjalës shërbëtor politik, por edhe vendi ku mund të gjenden sidoqoftë njerëz të pavarur në kremastarët e gardërobës së pushtetit, sado joshës apo brutal qoftë pushteti, ky armik i përjetshëm i lirisë së individit. Bindja se kjo iniciativë duhej çuar deri në fund, pavarësisht nga rezultati u  forcua nga refuzimet jo të pakta për të firmosur, refuzime që i patëm nga njerëz të cilët mendojnë njëlloj si ne për sa i përket dramës së zgjedhjeve dhe komprometimit përfundimtar të pushtetit aktual, por që ose nuk gjejnë forca të mjafta shpirtërore për të mbyllur lepurin që u është ringjallur në bark, ose preferojnë të heshtin për të ngrënë nga çdo krah që të munden. Ndryshe nga ata, ne që firmosëm kemi bindjen se shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për përdorimin e forcës së opinionit të lirë qytetar, jo nëpër shtëpi e kafene si dikur e gjer më tash, por hapur, ditën për diell, me të gjitha “rreziqet” që kjo bindje sjell me vete ne kushtet e pushtetit të sotëm, ku jo vetëm gangot që e mbajnë në këmbë këtë pushtet duke skërmitur nofullat e dhunës shtetërore, por edhe figura të spikatura të qeverisë kanë zbritur tashmë në terren deri në nivel zëvendëskryeministri për të rrahur e zhburrëruar publikisht kundërshtarët politikë nëpër rrugë, kafene e restorante, njëlloj siç bënte ndjesë pastë Al Kapone, ati shpirtëror i banditizmit modern. Edhe pse nuk jemi shumë që e kemi firmosur memorandumin, nuk jemi aq pak sa  të mund të na i mbyllin gojën të gjithëve, ky mendoj se është edhe rezultati që na intereson. Nuk jemi më në 1954, kur një shkrimtar i shkruante letër diktatorit dhe për vite të tëra humbte pa nam e nishan bashkë me letrën e tij, shumë kushte kanë ndryshuar rrënjësisht dhe, siç e thotë me plot të drejtë edhe vetë Sali Berisha, Shqipëria nuk kthehet më mbrapsht. Qëndrimi i ashpër i Perëndimit e veçanërisht i Shteteve të Bashkuara karshi farsës elektorale të 26 majit e vërteton plotësisht thënien e Presidentit. As Parlamenti Shqiptar nuk mund të kthehet më në kioskë jetëgjatë e partisë në pushtet e as projekti i ndërtimit të kapitalizmit duke u mbështetur tërësisht në forcat e veta nuk mund të zbatohet për një kohë shumë të gjatë. Pra, jo vetëm që jemi më shumë se ç’duhen për ta penguar kthimin mbrapa, por çka është më e mira nuk jemi më pa përkrahje, sepse jo vetëm ne, por edhe ata që në Perëndim e kanë mbështetur me naivitet politik dhe në mirëbesim të plotë Sali Berishën gjatë 4 vjetëve të fundit, pas 26 Majit ndihen të mashtruar.

Gazeta e zotit Ylli Rakipi akuzoi se memorandumi është hartuar nga fëmijë komunistësh dhe për ta vërtetuar këtë, rendit emrat e baballarëve…

Unë nuk e përdor gazetën e zotërisë në fjalë, por me sa kam dëgjuar nga një komshiu im ushtar, kjo gazetë është goxha e mirëpritur nëpër reparte. “Na vjen edhe RD”, më tha një ditë komshiu, “po atë e përdorin rulat”. Ne dautët përdorim atë të Yllit!” Megjithatë, pavarësisht nga përdorimi ambivalent që ajo gazetë garanton, nga njëra anë tek ushtarët dhe nga ana tjetër te perversët për koeficientin e lartë të shpifjeve në numër, nëse kësaj radhe ka thënë se memorandumin e kanë hartuar fëmijë komunistësh duhet pranuar se i është afruar shumë të vërtetës, shumica ashtu janë vërtetë. Edhe në dhjetor ’90 shumica dërrmuese e atyre që u rebeluan kundër komunizmit nuk ishin komunistë, por fëmijë komunistësh. Bile më kujtohet se kur më 11 janar ’91, Ardian Klosi dhe unë kërkuam në Akademinë e Arteve nënshkrimin e të parit peticion drejtuar Ramiz Alisë për rishikimin e figurës së Enver Hoxhës dhe lirimin e të burgosurve politikë, Sali Berisha pat thënë shumë i nervozuar se ne kërkonim të ulnin Enver Hoxhën për të ngritur llumin e Shqipërisë.

Nejse, të shkuara të harruara, por kur rreshton pastaj baballarët për të vërtetuar prejardhjen tonë, zotëria i gazetës tregon se vuan nga i njëjti virus që ka kontaminuar qysh në rini të gjithë ata ish komunistë dhe ish shërbëtorë të komunizmit despotik të Enver Hoxhës që me në krye Sali Berishën u konvertuan në antikomunistë dhe në shërbëtorë të antikomunizmit primitiv, vuan pra nga ai virus i lartpërmendur i enverizmit që i bën të gjithë këta shpirtra të varfër të mendojnë se e vërteta është dashnorja e tyre kolektive, që i bën ta dëgjojnë tjetrin me kurriz duke hetuar ndërkohë me kuriozitet stalinist të gjitha të dhënat e jetës së tij private, që i bën jo të flasin me tjetrin, por të bërtasin me vete duke mohuar tjetrin. Duke kujtuar se pushteti do t’i çlironte nga e kaluara e tyre e dështuar, duke besuar se me të hipur mbi qerren e historisë së Shqipërisë do të linin pas komplekset e një jete prej shqiptarësh të zellshëm e të keqtrajtuar, duke pasur bindjen e marrë se do të mund ta kthenin kollaj Shqipërinë në një organizatë të madhe partie ku këta qindra Enverë “demokratë” do të arrinin të silleshin me shqiptarët me po atë përbuzje që sillej Enveri kundrejt tyre, qorrat antikomunistë të Partisë Demokratike e Presidenti bashkë me ta, nuk arrijnë ta kuptojnë dot se të jesh fëmija i një komunisti, cilido qoftë emri i këtij komunisti, pra qoftë edhe kur ky quhet Mehmet Shehu apo qoftë edhe kur ky quhet Sali Berisha, ky është një fakt që nuk përbën asnjë lloj argumenti për të vërtetuar që djali i Mehmet Shehut, djali i Sali Berishës apo djali i kujtdo komunisti qoftë, duhet të mos flasin kur kanë diçka për të thënë. Këtë virtyt të madh të demokracisë e kanë kuptuar të gjithë tashmë, të gjithë përveç atyre fëmijëve të komunizmit që dje ishin shabllone shembullore të njeriut të ri, kurse sot janë në pushtet. Paaftësia e tyre tragjike për ta kuptuar demokracinë është një element i dorës së parë në njërin prej akteve të tragjikomedisë që po luhet sot në skenën e shoqërisë së traumatizuar shqiptare: sa shabllone të amortizuara të njeriut të ri, fëmijë të komunizmit, të ardhur në pushtet për të ndërtuar tempullin e demokracisë me trurin prej qerpiçi të diktaturës dhe shumë të rinj, fëmijë komunistësh, në opozitë të vendosur për ta penguar së bashku me plot të tjerë shqiptarë të arsyeshëm realizimin e këtij projekti monstruoz. Fëmijët e komunizmit që sot janë në pushtet janë ndër ata më dogmatikët, më karrieristët, më hipokritët, më mediokrit e partisë së punës, janë ndër ata që i strukeshin me betime të përlotura në gji nënës parti duke i ofruar asaj krejt afshin e shpirtit të tyre për një cikë karrierë ose thjesht për një emërim në Tiranë apo, ca më keq, janë ndër ata të tjerë që megjithëse e ëndërruan deri në 8 Nëntor ’90, nuk e bënë dot të denjë për atë gji të mplakur e të deformuar keq nga veset. Ndërkohë të gjeneralit Hoxha të gjithë këta bashkë, rreshtuar sup më sup si malet në armatën e madhe të komunizmit, i dhanë Atdheut jetë e gjallëri, partisë gjakun e ri, ndërsa sot, në kohë të lirisë së mendimit e të fjalës e shtrëngojnë fort pas vetes Shqipërinë, duke e penguar të ecë, të flasë, të marrë frymë lirisht dhe teksa e shtrydhim për hesap të tyre ju thonë jo vetëm ish sivëllezërve të tyre mbetur në krahun tjetër por edhe kujtdo që nuk ka qenë as dje me Partinë e Punës e që nuk është as sot me Partinë Demokratike, “nuk jua lëmë juve në dorë se ju doni ta ktheni mbrapa!”.

Të atin e të ëmën njeriu nuk e zgjedh dot, por partinë e zgjedh që ç’ke me të, kurse këta aventurierë që deri dje ishin gati të shisnin jo miq e shokë, por edhe nënë e babë për Enverin e për Partinë e Punës, duan të provojnë sot me ato orgjitë e tyre orale që pa pikë turp i quajnë fjalime, intervista e artikuj, se me të kaluarën komuniste kanë lidhje nga më të ndryshmet vetëm  e vetëm ata që nuk ulen në gostinë e pushtetit aktual – qoftë edhe poeti gojartë Daut Gumeni, të cilin Partia e Punës e mbylli në kafaz e ja ndaloi këngën për çerek shekulli – kurse këta vetë kurrsesi, bile, si “antimaterialistë” të tërbuar që janë bërë, ata gati sa nuk e thonë hapur që prejardhjen nuk e kanë nga majmuni, por nga flaka e pishtarëve të demokracisë.  Megjithatë, nga flaka apo nga majmuni pak rëndësi ka, se sa ka ndryshuar qysh nga koha kur i shërbenin Partisë së Punës si anëtarë apo si spiunë, ata e treguan më së miri më 26 e 28 Maj, kur i numëruan votat duke kopjuar prej librit të aritmetikës enveriste dhe kur klithën, “fitore”, pasi rrahën treçerekun e Shqipërisë dhe jo pasi bënë zgjedhje të lira.

Disa intelektualë të mirënjohur nga disa vende të botës i kanë bërë apel asaj që ata e quajnë ndërgjegje e botës së lirë për t’u solidarizuar me nënshkruesit e memorandumit të 26 intelektualëve shqiptarë. Në apelin e tyre ata kërkojnë zhvleftësimin e zgjedhjeve të 26 majit, garanci për lirinë e opinionit, fundin e monopolit të shtetit mbi mediat elektronike, pavarësi të pushtetit gjyqësor, lirinë e manifestimeve dhe ndalimin e përgjimit të telefonave. Si e pritët këtë apel dhe më tej akoma si e parashihni rrjedhën e ngjarjeve?

Megjithëse të qenit pak nuk na pengoi ta nënshkruanim memorandumin, çdo gjest solidarizimi, brenda ose jashtë Shqipërie, është si një frymëmarrje e thellë që të mbush mushkëritë. Të nxitur nga memorandumi ynë këta intelektualë të mirënjohur bashkëngjitën aferën e tyre për solidarizim të cilin ja kanë drejtuar shumë personaliteteve të kulturës e  të politikës nëpër botë, dhe me sa jam i informuar, të dy këto dokumente kanë rënë në duar të mira në SHBA, Angli, Gjemani, Francë, Ceki, Hungari, Holandë, Itali… Natyrisht do të duhet pak kohë që të qarkullojnë sa duhet, por unë mendoj dhe shpresoj se memorandumi dhe apeli do ta luajnë rolin e tyre modest në kuadrin e krejt fushatës së sensibilizimit që ka ndërmarrë opozita demokratike për të denoncuar përpara opinionit ndërkombëtar manipulimin e paskrupullt të 26 Majit, një fushatë në të cilën përveç forcave opozitare brenda Shqipërisë marrin pjesë edhe jo pak organizma ndërkombëtare e individë të huaj që e konsiderojnë 26 Majin si njollë turpi për demokracinë evropiane. Ashtu si memorandumi që paralajmëron ditë edhe më të këqija se këto që po jetojmë, apeli është fare i qartë në 6 pikat e tij, pika nëpër të cilat është korkolepsur keq filli i fatit të shoqërisë shqiptare. Pa i zgjidhur këto probleme jetike për një vend që aspiron kah demokracia, shqiptarët do të vazhdojnë të jetojnë në mjegullën marramendëse të krijuar prej fëmijëve të komunizmit.

Unë nuk mund t’ju them ndonjë gjë interesante për atë që ju më kërkoni lidhur me rrjedhën e ngjarjeve. Kaluan 4 vjet ku jo në raport me diktaturën, siç bëhet rëndon krahasimi, por në raport me atë që mund të bëhej u bë një vrimë në ujë. Ndoshta po njësoj do të kalojnë edhe katër të tjerë, me ndryshimin esencial që ata evropianë e amerikanë të cilët në ekranin televiziv të gënjeshtrës shqiptare lavdëronin pa kursim presidentin tonë dhe reformat e tij, nuk do të bien më në një lajthitje të tillë, qeveritë perëndimore që e ndihmuan pa kushte deri më tash qeverinë e vetëquajtur demokratike, nuk do ta bëjnë më një marrëzi të tillë, shkurt – gjithnjë nëse ky parlament e kap vitin 2000 – ndryshe nga 4-vjeçari i anarko-stalinizmit me mbështetjen ndërkombëtare, ky që vjen do të jetë një 4-vjeçar i dhunës së shkallëzuar jo vetëm pa kurrfarë mbështetje ndërkombëtare, por edhe me një mbështetje kombëtare që do të degradojë në zero. Sidoqoftë, kjo që ka filluar është një përpjekje shumë më e gjatë se sa rruga deri tek pragu i vitit 2000, është një përpjekje në mendjen e njerëzve, një përpjekje të cilën, si për paradoks. Mashtrimi i 26 Majit do ta gjallërojë e do ta bëjë më efikase. Krejt ndryshe nga sa perceptohet prej shumë kundërshtarëve të pushtetit, kjo përpjekje nuk është lufta midis kuçedrës që ka marrë pamjen e Sali Berishës dhe Shën Gjergjit që ka zbritur në tokë me pamjen e kundërshtarëve të tij për të çliruar të bukurën demokraci nga kthetrat e kuçedrës, por është lufta që krejt një shoqëri thellësisht e prapambetur si e jona ka hapur me vetveten duke u munduar të shohë nga e ardhmja pa mundur ende të kuptojë se çfarë e pengon që të hedhë normalisht këmbët prej andej nga sheh.

E këtu lind edhe pikëpyetja e madhe që duhet ngritur pa hezitim nga vetë forcat përparimtare, e cila pa i dhënë gjerë e gjatë përgjigje kësaj pikëpyetje : nuk do të jetë kurrë një alternativë thelbësisht e ndryshme e pushtetit të sotëm: çfarë e pengon shoqërinë tonë në rrugën e civilizimit? Pothuajse të gjithë opozitarët sot besojnë se mjafton të heqim Sali Berishën nga maja e ajsbergut për ta bërë Shqipërinë Evropë, dhe bëjnë të njëjtin gabim të madh që bënë kur menduan se mjaftonte të përmbysje statujën e Enver Hoxhës për t’u çliruar nga fantazmat e të kaluarës. Sado i djallëzuar të jetë, një individ i vetëm nuk mund ta fusë në rrugë të mbrapshtë një shoqëri të tërë, nëse në mendësinë e kësaj shoqërie djallëzia e këtij individi nuk gjen jo vetëm pika të forta mbështetje, por edhe burime të pasura frymëzimi. Diktatura e Enver Hoxhës dhe regjimi anarko-stalinist i Sali Berishës nuk janë shprehje e ndonjë vullneti të rrallë makiavelik të këtyre individëve, siç besojnë me naivitet shumica dërrmuese e shqiptarëve, por pasqyra besnike të historisë dhe kulturës sonë si popull. Nëse duam sinqerisht ta nxjerrim Shqipërinë nga rruga e mbrapshtë e historisë së saj, e një historie që nuk lodhet “duke na sjellë” në krye individë që mishërojnë intolerancën, duhet  që të reflektojmë shumë seriozisht për falsifikimin e një pjese të madhe të historisë sonë e mbi të gjitha për gabimet tona historike, të cilat i përsërisim prej shekujsh jo thjesht dhe vetëm në udhëkryqet e historisë a në politikën e madhe, por përditë në rrugë, në shoqëri a në familje. Nëse pranojmë se gabimet e një populli janë shuma e gabimeve të çdo individi mund të nisemi me besim prej kësaj të vërtete e mundet ndoshta më në fund të arrijmë të harrojmë një herë e përgjithmonë idenë mistike se “një mallkim i mynxyrshëm na paska rënë mbi kokë qysh në lindje të botës”.  Duke luftuar përditë me diktatorin që fle brenda secilit prej nesh, mund ta mbërrijmë që të preferojmë një ditë dialogun në vend të arrogancës, modestinë intelektuale në vend të monopolit të dijes, dashurinë për kulturën në vend të urrejtjes ndaj përparimit, zemërgjerësinë në vend të hakmarrjes, të vërtetën në vend të gënjeshtrës. Mallkimi i Shqipërisë, nëse ekziston një i tillë, janë vetë shqiptarët, jemi vetë ne që me indiferencën shekullore ndaj përparimit dhe drejtësisë, si dhe me dashurinë e shtirur ndaj mëmëdheut e kemi katandisur Shqipërinë në vendin më tragjikomik të Evropës, një vend që nuk ka kurrfarë zëri e kurrfarë dinjiteti në tryezën e familjes evropiane. Sikur një e njëqindta e asaj që ndodhi në Shqipëri më 26 Maj të kishte ndodhur në një vend evropian, sikur një deputet i vetëm të ishte cenuar nga policia, jo me grushte e  shqelma, por me një fjalë goje, të jeni të sigurt se në Evropën e qytetëruar do të ishte rrëzuar jo Ministri i Brendshëm, jo qeveria, por krejt mazhoranca parlamentare. Por a e dini si më tha me një cinizëm të ftohtë një personalitet i shquar në politikën evropiane, kur ja thashë këto gjëra? “Plotësisht e vërtetë”, më tha, “por ja që Shqipëria as nuk është në Evropë dhe as nuk ka për të qenë ndonjëherë. Juve i keni humbur të gjitha trenat e Evropës, sepse jeni mësuar ta ndiqni kohën hipur mbi gomerët tuaj të avashtë!”

Pra, me fjalë të tjera, rruga e reformës morale dhe shpirtërore në Shqipëri është e gjatë, e përderisa kjo reformë nuk do të arrijë ta prekë seriozisht individin shqiptar dhe nuk do të ndryshojë diçka në konstitucionin e tij primitiv, politika shqiptare si pasqyrë besnike e nivelit moral dhe shpirtëror të kombit tonë do të jetë një rrumpallë ku dikush do të gjejë parajsën e dikush tjetër ferrin, skena e saj do të jetë e mbipopulluar me delirantë të rrezikshëm, me hajdutë ordinerë, me injorantë të kohës së qepës, me kriminelë dhe vrasës të mirëfilltë, me profesionistë të gënjeshtrës, me maniakë të kallëzimit, me dordolecë që trembin çdo të huaj e me gjithfarë kreaturash të budallallëkut njerëzor. Do ta mbyllja duke thënë se aq sa fitore do të kemi në betejat personale me diktatorin “e vogël” që kemi ne vetë, gjithaq do të jenë fitoret edhe në betejat e përbashkëta me diktatorin “e madh” që kemi mbi kokë.

SHKARKO APP