Ja se i drejtohet Edi Rama me 2 qershor 1996, Presidentit Berisha: Dhunën fashiste të së martës do ta kishte zili edhe vetë Gjenerali Enver Hoxha

(Botuar me 2 Qershor 1996 në KOHA JONE)

Intelektuali Edi Rama i shkruan Presidentit të Republikës pas rrahjes brutale nga policia të liderëve të opozitës në Sheshin “Skënderbej”.

Edi Rama: Dhunën fashiste të së martës do ta kishte zili edhe vetë Gjenerali Enver Hoxha

Shënim i redaksisë KOHA JONE: Po botojmë letrën e hapur që Edi Rama botonte në KOHA JONE me 2 qershor 1996 drejtuar Sali Berishës, pas dhunës policore. Ndërsa pas 24 vitesh shikoni si vepron policia e Ramës ndaj protestuesve.

Gjykoni vetë lexues!

Ja letra e Edi Ramës:

Zoti President

I tmerruar nga sjellja kriminale e forcave të rendit të martën e shkuar në sheshin “Skënderbej” dhe nga fakti ngjethës që, megjithëse ju njihni çdo detaj të atij operacioni shtazarak kundër opozitës, nuk keni bërë përpara popullit asnjë denoncim serioz ndaj ekzekutorëve të operacionit, e ndjej për detyrë qytetare t’ju shkruaj disa rreshta, edhe pse, për të qenë krejt i sinqertë, duke e ndjekur me vëmendje precipitimin skandaloz të ngjarjeve nuk kam më pothuajse kurrfarë shprese se ju mund të keni ndonjë vizion tjetër të trajtimit të kundërshtarëve tuaj politikë nga ai që shpalosën barbarisht forcat tuaja të rendit.

“Një t’vërtet qi nuk ta beson kush mos e thuej se ashtu rrenë”, thotë një fjalë e urtë andej nga anët tuaja, një fjalë që nuk më ka pëlqyer kurrë, por që me këtë rast po e marr si të mirëqenë. Dhe konkretisht, duke u nisur nga e vërteta e hidhur se për fuqitë e mëdha shqiptare kanë qenë e mbeten ca egërsira që mund t’i bëjë zap vetëm një dorë e fortë si e juaja, le ta zëmë se fakti që ju e mbajtët pushtetin me zgjedhje katërcipërisht të manipuluara nuk ka tashmë asnjë rëndësi, bile nuk është as më i vërtetë. Le ta zëmë edhe se jeni ju njeriu që do ta udhëhiqni grigjën shqiptare deri te pragu i viteve 2000 e ndoshta edhe më tej, jeni ju lideri i padiskutueshëm i një mazhorance parlamentare krejtësisht asfiksuese, jeni ju përfaqësuesi i Shqipërisë në tryezat e fateve të botës, jeni ju buzëqeshja e të ardhmes, bile ju jeni Shqipëria. Atëherë, nëse është kështu, tregojuni ju lutem shqiptarëve se përse kërkoni edhe gjakun e kundërshtarëve tuaj politikë, përse masakroni deputetët e opozitës, përse tërhiqni zvarrë nëpër bulevard njerëz të thjeshtë që duan të manifestojnë paqësisht kundër makinës suaj të dhunës? Përse arrestoni, rrihni e përdhunoni me fjalët më të ndyra vajza, gra e plaka, të cilat kanë kurajën të indinjohen kundër logjikës së kërbaçit?

Përse të gjithë këta i quani kriminelë ndërkohë që edhe pas kësaj që ndodhi kriminelët i keni ende nën urdhrat tuaja, përse zoti President?  Si mund të shpjegohet që i kërkoni publikisht Prokurorisë të fillojë hetimet për organizatorët e mitingut “të paligjshëm” dhe nuk shqetësoheni asfare seriozisht për skërmitjet kafshërore që forcat tuaja të rendit demonstruan nën vështrimin e llahtarisur të mbarë botës së qytetëruar? A ka mundësi që në këtë rrjedhë të pamëshirshme të ngjarjeve t’ju duket vërtet një çështje e rëndomtë midis bandash rivale, vdekja prej qeni e të riut socialist, i cili u shpua nga plumbat e një urrejtjeje krejt simetrike me atë që ruajtësit e qetësisë publike manifestuan në sheshin “Skënderbej” e pastaj u hodh në një cep rruge në errësirë, ku humbi gjak derisa u shua? Vallë ju duket e denjë për fundin e këtij shekulli pamja rrëqethëse e gazetarit Bardhok Lala, rrahur për vdekje e hedhur pa ndjenja në kanal sepse donte t’ju përçonte njerëzve atë informacion që budallallëku kriminal i gazetarëve të televizionit tuaj e ka bllokuar prej kohësh? Përse liria, thesari i zbuluar pas 50 vjet diktature, pa llogaritur edhe plot vite të tjera të vështira që e pararendën diktaturën, u shpërdorua kaq shpejt duke ringjallur frikën e vjetër nga hakmarrja politike e pushtetit? A ka krim më të shëmtuar zoti President sesa të trembësh sërish me shfrimet e pakufishme të dhunës shtetërore një popull të vogël e të përgjumur që porsa ka dalë nga tuneli pus i errët i një tiranie të gjatë?

Gjatë katër vjetëve të pushtetit tuaj nuk u lejua ose më saktë nuk u dha leje për asnjë manifestim paqësor, bile u arrit të përdorej dhunë e egër deri kundër një greve urie të ish të burgosurve politikë, a thua se edhe për të vdekur  njerëzit duhet t’i marrin pëlqimin Partisë Demokratike, juve me një fjalë. Ndoshta kemi arritur në pikën fatale ku ju duket armiqësore çdo gjë që nuk ju pëlqen, dhe në kontekstin e këtij momenti të rëndë psikologjik një manifestim paqësor proteste kundër dhunës mund t’ju duket si kundërrevolucion i armatosur apo si akt terrorizmi i frontit të kuq, por nëse është vërtet kështu, marr guximin t’ju them zoti President se jeni gjithaq i mbërthyer nga e njëjta psikozë që i fut në rrugë pa krye të gjithë paraardhësit tuaj të palavdishëm dhe që e bëri Shqipërinë një vend të pajetueshëm për shumëkënd.

Mjaft t’i ktheni për një çast sytë nga e kaluara dhe t’i hapni mirë për të mundur të perceptoni diçka më shumë se sa ç’jeni mjaftuar të perceptoni gjer më tani, e me siguri do të shihni që dhunën fashiste të së martës do ta kishte zili edhe vetë gjenerali Enver Hoxha. Vetëm në kohë të gjeneralit njerëzit nuk guxonin të imagjinonin manifestimet paqësore. Nëse ju duket se po e ekzagjeroj, konsultoni arkivat e Ministrisë së Brendshme, zoti President, natyrisht pa u shtyrë deri në kohën e Hoxhës, kur në sheshin e Tiranës kishte, njësoj si edhe sot, vetëm mitingje madhështore të partisë në pushtet. Merrni, fjala vjen, mitingun e heshtur organizuar pa kurrfarë leje në sheshin “Skënderbej” kundër regjimit të Ramiz Alisë muaj më para se sa të njihej pluralizmi politik, kujtoni mitingjet e Qytetit Studenti kur Blendi Gonxhja me shokë pa i marrë leje askujt iu imponua qeverisë komuniste të kohës, duke ju hapur juve dhe partisë tuaj rrugën drejt pushtetit. Nga ato kohë të këqija e deri të martën, ndryshimi i sjelljes së forcave të rendit nëpër sheshe është bërë kolosal, dhe përgjegjësi kryesor për këtë ndryshim negativ afër mendsh që jeni personalisht ju. Në turin e pakontrollueshëm drejt mumifikimit të pushtetit personal, ju dukeni përherë e më i papredispozuar për t’i kuptuar dhe pranuar principet elementare të demokracisë.  Ndërsa përsa i takon sjelljes me të arrestuarit nëpër biruca, ajo është po aq kriminale sa në epokën e zymtë të Hoxhës, bile, nëse asokohe famëkeqi Zylyftar Ramizi tregohej me gisht për egërsinë e tij, mund t’ju them se në dispozicionin tuaj sot janë plot e plot Zylyftarë, barbarë të vërtetë që kur dëgjojnë fjalinë e dëshpëruar, “dua avokatin tim”, të lëshohen sipër nga tre a katër, me grushte, shqelma e të shara, a thua se ke kërkuar të takosh Karl Marksin, gogolin e Partisë Demokratike! Reflektimi mbi eksperiencën e hidhur të gjeneratave që kaluam përpara nesh është një akt i domosdoshëm për këdo që sot dëshiron të vendosë lidhje midis ngjarjeve dhe mendimit, e këtë reflektim, më shumë se kushdo gjatë këtyre viteve lirie, duhet ta kishit bërë ju zoti President. Sepse, në cilësinë e njeriut që mori mandatin për të mbikëqyrur periudhën tmerrësisht të komplikuar të tranzicionit, në një shoqëri me një histori të mbrapshtë si e jona, në një vend ku gënjeshtra është bërë natyrë e dytë e njerëzve, me një popull që qysh kur s’mbahet mend ushqehet duke ngrënë vetveten, ju takonte juve më parë se kujtdo tjetër të shqetësoheshit për ecurinë e mbarë të proceseve të porsanisura demokratike, për hedhjen e bazave të një kulture të re, për zhvillimin e dialogut dhe të diversitetit të mendimit. Por, si për të përmbushur një mision përjetësisht të mynxyrshëm që e kërkuaka shqiptarin armik të paepur të vetvetes, edhe ju, njësoj si prijësit që ju pararendën, midis monologut të prijësit të izoluar nga shoqëria dhe dialogut të udhëheqësit modern me kundërshtarët e tij alternativë, zgjodhët pa asnjë hezitim monologun, gjithherë duke besuar se çdo fjalë që nxjerr goja juaj është e artë dhe se jashtë qerthullit të mendjes suaj asgjë e mirë për Shqipërinë nuk mund të ekzistojë. Krejt ndryshe nga sa mund të mendoni ju dhe të gjithë ata që, duke përfituar prej mbështetjes suaj, ju brohorasin sa për të shkulur ndonjë thelë nga trupi i Shqipërisë, unë dhe plot e plot të tjerë si unë, mendojnë se rruga që ju keni zgjedhur nuk është kurrsesi rruga e demokracisë dhe e prosperitetit të Shqipërisë e të shqiptarëve, por një angazhim i frikshëm në kërkim të një unifikimi të mendimit, të cilin mund ta arrijnë përkohësisht vetëm diktaturat, të majta apo të djathta qofshin, e që për të cilën do t’ju duhej të derdhnin shumë gjak dhe do të mbyllnit çdo vrimë që nxjerr në Evropë.

Zoti President, nëse nuk e dini mësojeni se arsyeja ekzistencës së politikës është liria dhe fusha e saj e eksperiencës është aksioni. Aksioni i korrespondon kushteve njerëzore të pluralitetit, faktit që janë njerëzit dhe jo një njeri i vetëm i shumëfishuar në miliona kopje besnike, ata që jetojnë mbi tokë e që banojnë botën. Ky kusht, me variacionin e pafundmë të tipave, i cili lavdi Zotit e bën të pasur botën tonë të përbashkët është kushti i refuzuar dhunshëm prej totalitarizmit. Kampet e përqendrimit ishin një laborator ku u mëshirua në akt bindja totalitare për ta kthyer njerëzimin në një unitet, gjë të cilin as Platoni nuk e pat imagjinuar kurrë. Duke suprimuar pluralitetin, ndoshta edhe pa e ditur fare, ju po kërkoni në fakt me një këmbëngulje të dëshpëruar eliminimin e spontanitetit si shprehje të sjelljes njerëzore, pra zhdukjen e elementëve evolutivë të jetës së lirë shoqërore. Liria është realisht kushti i vetëm dhe i patjetërsueshëm që njerëzit mund të jetojnë së bashku nën një organizim politik, ndërsa fusha ku ajo është njohur përherë, jo si një problem, por si një fakt i jetës së  përditshme, është fusha politike, fakti që njeriu zotëron dhuntinë e aksionit. Duke dashur të suprimoni me të gjitha mjetet e dhunës shtetërore çdo aksion politik që nuk është projektuar në zyrën e Presidencës, juve po bëni që Shqipëria të sillet rreth vetes së saj si një e marrë që jep e merr e që nuk komunikon dot.

Simptoma më kuptimplotë e kësaj marrëzie është ekrani i Televizionit Shqiptar, ku shqiptarët shohin si në një pasqyrë të pamëshirshme nivelin e mjerë të komunikimit mes tyre. Ajo çka njerëzit apo njësoj edhe partitë politike humbin duke u tërhequr plotësisht kah vetvetja është hapësira që ndërtohet vetëm e vetëm nga veprimi i përbashkët mes tyre, bota pra, ajo mrekulli që lind vetëm kur midis njerëzve ka komunikim dhe kur bëhet e prekshme gjithçka që secili sjell me lindjen  tij. Falë faktit sidoqoftë ngushëllues që diktati juaj, i kushtëzuar krejtësisht prej proceseve integruese që kanë përfshirë Evropën, nuk do të mundet kurrë të kapë dimensionet e një diktature izolacioniste, njerëzit do të kenë vazhdimisht mundësi për ta shprehur e bërë të njohur në botën demokratike protestën dhe indinjatën e tyre.

Gazetarët që ju i përgjakët pabesisht të martën pa dallim bindje e nacionaliteti, tashmë e kanë dhënë alarmin anembanë. Portat e Shqipërisë nuk mund t’ju përplasen më në surrat përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut. Nami i lindjes së një diktatori të ri shqiptar po merr dhenë, pra shkurt, durimi Zhvejkjan i diplomacisë evropiane e ka sidoqoftë një kufi përtej të cilit ju nuk do të mund të kapërceni kurrë. Bindja e verbër se dhuna policore mund t’i vërë kollaj kapakun e harresës, mashtrimit kapital të 26 Majit nuk ka ndonjë bazë të qëndrueshme në kohë. Mund të kalojnë muaj e vite, por të jeni i sigurt se sovraniteti i nëpërkëmbur do t’i kthehet një ditë popullit dhe, në më të parat zgjedhje të lira, deputetët kukulla të Partisë Demokratike do të marrin atë që vërtet u takon e që siç edhe ata vetë e dinë është shumë larg asaj çka morën me ndihmën e dhunës. Sidoqoftë do të ishte fatkeqësi e madhe për vendin që ju të kuturiseshit deri në ekstrem në artikulimin e gjuhës së forcës dhe të burgosnit individë që kanë kurajën të shprehin hapur apo të manifestojnë paqësisht kundër regjimit tuaj. Nga ana tjetër, më duhet t’ju bëj të ditur se duke përfituar nga shembulli kuptimplotë i të kaluarës, ju nuk duhet ta neglizhoni për asnjë çast faktin se fati i çdo të burgosuri për arsye bindjesh politike, për më tepër në një vend anëtar të Këshillit të Evropës, përveçse turp i pashoq në sytë e familjes evropiane do të ishte një gur i rëndë në qafën tuaj. Mbështetja ndërkombëtare që ju ndoshta do të gëzoni edhe për ca kohë si njeri i dorës së fortë që i është përshtatur më së miri ekzigjencave të fuqive të mëdha në rajonin e Ballkanit, si edhe indiferenca impresionuese e kancelarive të Evropës për fatet e shqiptarëve brenda Shqipërisë, nuk do të jenë kurrë aq të ngrira sa të kthehen në një kartabianka që ju mund ta përdorni për burgime opozitarësh, qofshin këta edhe më të kuq se sa gjaku që forcat e rendit derdhën të martën nën hundët e Skënderbeut, apo qoftë edhe sikur servilizmi poshtërues i gjykatave shqiptare t’i dënojë për të ashtuquajturat motive të dobëta.

Duke u rikthyer tek çka preka më lart, dua t’ju rikujtoj se aksioni dhe politika presupozojnë të dyja bashkë lirinë. Në politikë duhet të veprosh, e pikërisht për këtë duhet liria si kusht i pazëvendësueshëm i bashkëjetesës politike të njerëzve. Vetë njerëzit janë të lirë për sa kohë ata mund të veprojnë në funksion të lirisë, as më parë e as më pas. Asgjë tjetër përveç aksionit, i parë ky koncept në të gjitha nivelet, nuk e mundëson dot veprimin e njerëzve në funksion të lirisë. Vetëm përmes aksionit të vazhdueshëm qytetar, politik, kulturor, ekologjik, një shoqëri mund të shkojë përpara duke zgjeruar hapësirën e saj të lirisë dhe duke ngritur e përsosur nivelin e komunikimit. E gjithë sa më lart vetëm për t’ju thënë se kundërshtarët tuaj politikë ndërmorën të martën një veprim njerëzor, një aksion legjitim dhe paqësor. Ndokush edhe i veshur me imunitet parlamentar. Duke i trajtuar ata njerëz me një përbuzje të atillë që ta bëjë sheshin “Skënderbej” të ngjajë si i invaduar nga milicia serbe, shqiptarët  që shërbejnë në forcat e rendit, të frymëzuar natyrisht prej “fitores” suaj, i kanë vënë Shqipërisë një njollë të madhe turpi, i kanë treguar miliona e miliona qytetarëve të botës, të cilët ndjekin si të çmerituar përmes gazetave dhe kanaleve televizive atë represion të patolerueshëm, se Shqipëria është larg së qenit demokratike dhe se shqiptarët janë larg së qeni të civilizuar, sidomos me njëri-tjetrin.

Mos u çudisni, zoti President nëse ju them se edhe ju personalisht, njësoj si të gjithë ne qytetarët e thjeshtë, të martën keni humbur shumë nga liria juaj, sepse çdo milimetër i fituar me dhunë në rrugën e pushtetit është një hapësirë e humbur në qiellin e lirisë, një qiell që është sa i të gjithëve aq edhe i secilit. Me opozitë të masakruar e me gjuhë të prera nuk ka më histori, zoti President. 50 vjet diktaturë dhe 20 e ca vjet jetë prej militanti në Partinë e Punës duhet t’ju kishin rrënjosur në mend këtë të vërtetë. Ndërgjegjja e kombit e ka të pamundur të punojë në kushte të tilla ku historia zëvendësohet nga një shkulm kanceroze e ideologjisë, marksiste apo antimarksiste kjo nuk është se ka ndonjë ndryshim kur shkulma aplikohet me mjetet e dhunës.  Tek ideologjia – logjikë e ideve – mendimi ndjek një logjikë të vetme, ai humbet kujtesën dhe evoluon në mënyrë abstrakte. Imponimi i dhunshëm i një ideologjie të vetme çon vetvetiu në rrëshqitje të pandalshme drejt ekstremit, majtas apo djathtas pak rëndësi ka, mendimi dhe realiteti jetojnë njësoj të ndarë. Krejt në të kundërt të asaj krijese monstruoze që është sistemi i sotëm politik shqiptar, demokracia është vënia bashkë e fjalëve dhe veprave, ajo për të cilën  ia vlen të jetojmë së bashku. Fuqia njerëzore aktualizohet kur fjala dhe vepra nuk ndahen, kur fjalët nuk janë boshe, kur aktet nuk janë brutale, kur fjalët nuk thuhen vetëm e vetëm për të fshehur qëllimet, por për të zbuluar realitetin, kur aktet nuk bëhen për të dhunuar e shkatërruar, por për të vendosur raporte dhe për të krijuar realitete të reja.

“Initium ut esset cereatus est homo ante quem nullus fuit” (që të kishte një fillim u krijua njeriu, përpara të cilit s’kishte asgjë), shkruan Shën Agostini tek “Qyteti i Zotit”. Është një thënie që do të meritonte të shkruhej në hyrje të çdo parlamenti të botës, në mënyrë që t’ju kujtonte burrave dritëshkurtër të politikës se asgjë nuk vlen më shumë se sa njeriu dhe për asgjë nuk ia vlen më shumë përpjekja e njeriut se sa për t’i dhënë vendin e merituar dinjitetit të tij. Nuk do të bënit keq ta mbanit parasysh këtë thënie të Shën Agostinit, Zoti President. Mund t’ju vlente për të analizuar me një tjetër sy videokasetat e akteve kriminale të forcave të rendit dhe për të qenë gjithsesi më i interesuar për fatet e kundërshtarëve tuaj politikë, të cilët megjithëse mendojnë shumë më ndryshe nga ju, janë padyshim bij të po atij Zoti, që na ka sjellë të gjithëve në jetë, sigurisht jo për të ngritur dorën kundër njëri-tjetrit.

Edhe diçka tjetër në fund fare. Që pa e shkruar ende këtë letër, njoh personalisht dy Zylyftarë nga tuajt që më janë betuar që do të më shkatërrojnë, secili në hesap të tij, njëri duke më nxjerrë nga puna e tjetri duke më rrahur për vdekje. Mbas kësaj letre, pasioni destruktiv i tyre apo edhe i ndonjë tjetri syresh mund të ndizet edhe më keq, dreqi e di se ç’mund të më ndodhë. Nuk jua them këto për t’ju kërkuar besë, por sa për t’ju vënë përpara syve një fakt më shumë në mbështetje të gjithë sa thashë më lart, e natyrisht edhe për t’ia bërë të ditur përmes shtypit opinionit të gjerë opozitar, i cili nesër ose pasnesër kur këto apo të tjera gjëra të ndodhin në mjegullën e padepërtueshme të terrorit shtetëror, ta dijë se kujt duhet t’i kërkojë llogari dhe të mos hutohet nga raporti i policisë që mund të na nxjerrë të gjithëve viktima bandash rivale.

Këtu mbyllet letra ime zoti President. Me shpresë që t’i keni kuptuar siç duhet fjalët e mia qëllimmira apo që falë këtyre fjalëve të ndjeni së paku përgjegjësinë tuaj të madhe për barbarinë te sheshi “Skënderbej”, për gjakun e derdhur apo dhëmbët e thyer në birucat e demokracisë, si edhe për rrugën fare të mbrapshtë që po marrin gjërat në dëm të rëndë të proceseve demokratike, uroj me gjithë shpirt që Zoti të bëjë diçka për ju./Edi Rama/

 

SHKARKO APP