“Jashtë aeroportit i pret një situatë më keq se vdekja”, DW: Zhvillime dramatike në Kabul

Përreth aeroportit të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, vazhdon të mbizotërojë kaosi. Mijëra vetë dynden në territorin e aeroportit për të siguruar një vend në avionët e evakuimit.

Gjenerali i Bundeswehr-it Jens Arlt, i cili drejton misionin gjerman të evakuimit, bën fjalë për skena dramatike. „Eshtë gjithçka shumë, shumë e trazuar”, e përshkroi Arlt gjendjen në një konferencë shtypi on-line nga Kabuli. “Ju shihni sytë e dëshpëruar të shtetasve nga kombe të ndryshme, që thjeshtë përpiqen, të depërtojnë në mjediset e brendshme të aeroportit.”

Gjenerali raporton për unazat e kontrollit të islamistëve taliban përreth aeroportit dhe hyrjeve të tij, që mbahen të kontrolluara nga SHBA-ja dhe vendet e tjera. Njerëzve u duhet fillimisht të arrijnë në territorin e jashtëm të aeroportit. Po ashtu në qytet janë vendosur postblloqe.

Ndihmësit lokal të organizatave gjermane të ndihmës njoftojnë, se rrugët janë të bllokuara e pjesërisht të pakalueshme. Përveç kësaj ushtarët e SHBA-së nuk i lejojnë ata të kalojnë, thonë dy punonjës lokal për agjencinë e lajmeve DPA. „Ushtarët amerikanë lejojnë të kalojnë vetëm njerëzit e tyre.” Një tjetër punonjës deklaron, se është përpjekur nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 02:00 të mëngjesit për të arritur në aeroport. Një ushtar i SHBA-së i ka thënë, se duhet të vijë dikush që të verifikojë dhe të vërtetojë, se vërtetë ka punuar për gjermanët. Vazhdimisht dëgjohen të shtëna në ajër. Eshtë hedhur edhe gaz lotësjellës. Vetëm pak gazetarë të huaj ndodhen në vendngjarje, ndër ta reporterja e CNN Clarissa Ward. Ajo shprehet për një „tornado marrëzie” duke përshkruar afganët e dëshpëruar që i hedhin fëmijët e tyre përtej gardhit të aeroportit, në mënyrë që ata të jenë në siguri. Militantët talibanë ndodhen rrugëve me kamzhik dhe armë, për të mos i lejuar njerëzit të largohen.

Jashtë aeroportit i pret një situatë më keq se sa vdekja

Mijëra njerëz – vendas dhe nga kombe të tjera – dynden për në mjediset e aeroportit, me shpresë të gjejnë ndonjë avion për t’u larguar nga vendi. “Kam ardhur me fëmijët e mi dhe familjen në aeroport”, thotë një burrë, që deri vonë ka punuar për një organizatë të huaj joqeveritare. Ushtarët e SHBA-së dhe talibanët kanë qëlluar. Megjithatë njerëzit përpiqen të futen në aeroport, sepse e dinë, që jashtë aeroportit i pret një situatë më keq se sa vdekja”. Edhe në ndërtesat e ambasadave në qytet, sipas dëshmitarëve okularë, janë grumbulluar njerëz. Më parë qarkullonin fjalë, se atje mund të merrnin viza për të udhëtuar jashtë vendit.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të grupit G7 kërkuan nga talibanët garanci për njerëzit që duan të largohen nga vendi si dhe për të huajt. Milicët duhet të garantojnë sigurinë për të gjithë njerëzit që duan të largohen nga vendi, deklaroi ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës në grupin e vendeve të industrializuara G7.

Me sulmin e tyre talibanët të dielën (15.08) morën faktikisht pushtetin në Hindukush. Shumë afganë kanë frikë kthimin e regjimit të tmerrit të islamistëve si në vitet 1996 dhe 2001. Gjermania, SHBA-ja dhe shtete të tjera ndërkohë po evakuojnë shtetasit e tyre dhe ndihmësit afgan të organizatave të tyre. Ushtria e SHBA-së, sipas të dhënave të veta, është e mobilizuar në aeroport me rreth 5200 ushtarë.

 

SHKARKO APP