”Jo ikje të dritave në dimër”, Rama tregon pse po rritet çmimi i energjisë: Nesër tregoj planin

Kryeministri Edi Rama, thekson me të madhe se gjatë dimrit nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të krizës energjitike, por ikje të dritave nga difektet e zakonshme do të ketë. I ftuar këtë mbrëmje në emisionin ”Zonë e Lirë”, Rama theksoi se nesër do të prezantojë planin për krizën.

”Nesër unë do të dal për të ndarë me opinionin publik planin që kemi bërë gati. Kjo është emergjencë, kriza është reale, çmimet janë rritur në mënyrë eksponenciale. Ne jemi të detyruar të blemë energji elektrike.

Ne nuk varemi nga uji, por nga shiu. Prandaj ne po krijojmë Skavicën për të ruajtur ujin, që tani po e sheshim lirë. Nuk ka arsye të ikin dritat. Ikje dritash për arsye teknike ka pasur dhe do ketë, sepse gjithë sistemi ynë i shpërndarjes kërkon investime.

Ka defekte që janë teknike, por që nuk ka lidhje me këtë që po flasim. Kufizime energjie për shkak të krizës, nuk do ketë. Askush nuk ka thënë që do ketë kufizime. Ka disa vende që kanë bërë planin e kufizimeve, Britania e Madhe e ka bërë planin”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama sqaroi edhe faktorët që ndikojnë në Shqipëri për rritjen e çmimit. Sipas tij, Shqipëria varet nga tregu ndërkombëtar.

”Evropa e bashkuar e ka varësinë nga gazi 95%. Ne kemi varësi nga tregu ndërkombëtar kur dalim për të blerë sepse nuk kemi mjaftueshëm këtu për shkak të thatësirës. Tjetra është mbyllja e një sërë sistemesh të energjisë më qymyr. Në Britani mbyllën një termocentral që tani e kanë rindezur. Gjermania po e vuan po njësoj. Gjermania po vuan sepse mbylli centralet nukleare. Franca nuk ka problem. Rusia nuk po shkel kontratën, dhe nuk shton prodhimin kjo sjell kaosin”.

SHKARKO APP