”Jo kamp refugjatësh në Shqipëri”, ambasadori britanik në Tiranë flet për rinjtë në ”shtëpitë e barit”
Pak ditë më parë, media britanike ”The Sun”, në një artikull thoshte se në Shqipëri do të ndërtohet një kamp refugjatësh për emigrantët e paligjshëm që kapen në Angli. Lajmi hidhet poshtë edhe nga ambasadori i ri britanik, Alastair King-Smith. ”Ndonjëherë media, edhe në Mbretërinë e Bashkuar, nuk i paraqesin faktet e sakta. Edhe këtu sigurisht që ka çështje të cilat dalin në dritë ndonjëherë me jo shumë saktësi”.
Shumë të rinj shqiptar udhëtojnë drejt Britanisë për t’u punësuar në “shtëpitë e barit”, dhe ambasadori thotë se për këtë temë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe po punohet për të parandaluar afrimin e shqiptarëve drejt këtyre grupeve kriminale.
“Kjo është diçka që e kam diskutuar me kryeministrin këtë javë. Sigurisht që ka të rinj që kapen në rrjetet kriminale dhe paguajnë një sasi të jashtëzakonshme parash për të kaluar ilegalisht në MB. Shpesh ata kalojnë udhëtime shumë të vështira për të mbërritur atje dhe ne duhet të shohim se pse kjo ndodh, si mund ta parandalojmë dhe gjithashtu se si mund ti mbështesim këta të rinj kur ata kthehen.
Që të kenë mundësi të mira ekonomike këtu, në mënyrë që ata mos ta ndiejnë si nevojë ta bëjnë përsëri atë udhëtim. Kështu kjo është diçka që qeveritë duhet ta konsiderojnë së bashku, por do të ketë nevojë që gjithë shoqëria të punojë së bashku për të garantuar se do të ketë progres.
Dua të theksoj se çfarë kjo ndodhi shkakton është shkatërrim real i familjeve, atyre në MB të cilat tërhiqen në këto rrjete përmes përfshirjes së fëmijëve të tyre në rrjete droge, familjeve të reja këtu, të rinjve të familjeve këtu që ndikohen nga këto punë, gjë që nuk duhet të vazhdojë më dhe për të cilën ne duhet të punojmë si shoqëri jo vetëm si qeveri, për të parë se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje”,-tha për ”Top Channel”.