Ka nisur SPAK-u hetimet për të? Kryemadhi: Fake News, Rama është garantuesi kryesor i trafikut të drogës

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila kthehet sot në Parlament, pas një periudhe mungese, ka hedhur poshtë lajmet e publikuara për nisje hetimesh ndaj saj nga struktura e posaçme SPAK. Ajo foli për “fake news” dhe minim të demokracisë në Shqipëri.

Kryemadhi pranoi se është thirrur disa herë në SPAK për çështjen e inceneratorëve, por mohoi që të jetë hapur ndonjë hetim ndaj saj apo bashkëshortit të saj kreut të PL-së, Ilir Meta. E pyetur për aksionin e nisur nga Sali Berisha, ajo tha se ajo mbështet çdo iniciativë të nisur. “Ka një strukturë të PL-së që merret me këtë gjë. Do të koordinohemi për ato pika që bashkohemi”,-u shpreh Kryemadhi duke shtuar se me Gazment Bardhin ka pasur disa hatërmbetje, por “ato ishin gjatë kohës që ai kishte kryetar Lulzim Bashën”.

Nga ana tjetër, Kryemadhi hodhi akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe tensionin në seancën plenare e lidhi me mungesën e lirive.

”Sot situata e lirisë dhe të drejtave të njeriut është në një stad ku nuk përfshihet në asnjë lloj sistemi demokratik, as hibrik. Sot është Republika e drogës, e cila në krye të saj ka një kryeministër, që nuk pyet as për Parlamentin dhe Presidentin. Ai është garantuesi kryesor i trafikut të drogës nga Venezuela, Kolumbia, Dubai dhe vendet e lindjes, për të krijuar trekëndëshin e Bermundës së tij në Ballkan sa i përket trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe institucionalizimit të krimit të organizuar”, theksoi ajo.

SHKARKO APP