Kabllo nënujore nga Vlora në Pulia, detajet e marrëveshjes për energjinë mes Shqipërisë-Italisë-Emiratet e Bashkuara Arabe
Këtë të mërkurë Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë bashkë në një marrëveshje që synon ndërtimin e një linje interkonjeksioni të energjisë së rinovueshme. Marrëveshja u firmos në Abu Dhabi, në kuadër edhe Javës së Qëndrueshmërisë. Investimi shkon në 1 miliardë euro dhe do të jetë gati brenda 3 viteve, sipas kryeministrit Edi Rama, i cili këtë detaj e ndau për mediat italiane. Marrëveshja u nënshkrua nga Sulltan Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin dhe Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre e Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Çfarë përfshin marrëveshja për energjitë e rinovueshme?
Detajet e publikuara deri tani janë të pakta, por disa pika kryesore duken tashmë të qarta:
1-Bëhet fjalë për një linjë nënujore që do të lidhë portin shqiptar të Vlorës me Pulian, pikën më të afërt mes dy vendeve dhe pritet të funksionojë brenda tre viteve.
2- Linja do të shërbejë për të importuar në Itali energji të rinovueshme të prodhuar në Shqipëri.
3- Roli i Emirateve do të jetë kryesisht zgjerimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.
4- Shqipëria mund të shesë energjinë e rinovueshme të prodhuar në vend.
Linja elektrike në Adriatik do të mundësojë importimin e energjisë së gjelbër nga Shqipëria, ku një ndërmarrje e përbashkët me kompaninë emiratase Masdar do të zhvillojë projekte të energjisë diellore dhe asaj të erës. ”Është një projekt ambicioz mes dy brigjeve të Adriatikut”,-theksoi Meloni. Marrëveshja përcakton fushat kryesore të bashkëpunimit midis Emirateve të Bashkuara Arabe, Italisë dhe Shqipërisë, duke përfshirë krijimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në shkallë gigavat në Shqipëri, me fokus në energjinë diellore fotovoltaike dhe atë të erës. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj energjie të rinovueshme do të transmetohet në Itali.
Prodhimi i energjisë në Shqipëri
Shqipëria prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme, ku pjesën më të madhe e mbulon energjia hidrike (98%) me 6.841 GWh të prodhuara në vitin 2022 nga tre hidrocentrale të mëdha në veri të vendit. Pjesa e mbetur prej 2%, që korrespondon me 160 GWh të prodhuara në vitin 2022, vjen nga energjia diellore.
Por synimi është zgjerimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme. Këtu hyn në lojë bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Në nëntor 2024 është arritur një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Emirateve për zgjerimin e sektorit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, përmes një partneriteti mes KESH-it, operatorit të energjisë elektrike në Shqipëri, dhe kompanisë Masdar.