“Kanabisi”, Ish-ministri i Mbrojtjes, Oketa: Manjani tha një të vërtetë që e dinë të gjithë

Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, vlerëson se deklaratat e anëtarëve të qeverisë lidhur me situatën e krijuar nga fenomeni i kanabisit në vend ngjajnë më tepër si deklarata politike, se sa një tentativë për të luftuar këtë fenomen.

Në një kohë kur pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për këtë çështje,  ish-ministri i Mbrojtjes në një intervistë dhënë për “Koha Jonë” mbështet shqetësimin e ngritur nga Ministri i Drejtësisë Yll Manjani, i cili sipas Oketës, nuk bëri asgjë më shumë se sa pohoi një të vërtetë që tashmë dihet nga të gjithë.

Sipas tij, tentativat për ta relativizuar këtë problem jo vetëm që nuk e mbulon dot, por i jep më shumë krah këtij fenomeni.

Pjesë nga intervista

Në karrierën tuaj politike, ndër të tjera ju keni qenë ministër i Mbrojtjes. Si e shihni deklaratën e Ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e Forcave të Armatosura në aksionet antikanabis në vend? A e dikton situata aktuale një vendimmarrje të tillë?

Së pari mendoj se për mënyrën se si u përcollën, vendet ku u artikuluan dhe reagimet që pasuan duhen cilësuar më së shumti si deklarata politike.

Anëtarët e një kabineti qeverisës kanë të gjitha hapësirat dhe mundësitë të diskutojnë paraprakisht për çështje të një rëndësie të tillë dhe më pas të dalin me një qëndrim konkret.

Kjo nuk i heq askujt të drejtën të ketë qëndrimet e tija personale, qoftë ky dhe anëtar kabineti qeverisës.

Por për çështje të tilla, mendoj, se një koordinim midis anëtarëve të qeverisë do të ishte gjëja më e drejtë.

Megjithatë, deklarata e Ministrit të Drejtësisë, nuk bëri gjë tjetër veçse tha një të vërtetë që të gjithë e dimë.

Kanabisi është kthyer në një problem për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sado që të përpiqemi ta relativizojmë apo krahasojmë situatën me qeveritë e kaluara, nuk e mbulojmë dot këtë problem dhe nga ana tjetër nuk ndihmojmë në eliminimin e tij, por i japim më shumë krah këtij fenomeni. /Herion Mesi/

 

Shënim: Intervista e plotë me Sekretarin e Përgjithshëm të FRD-së do të botohet në numrin e nesërm të gazetës.

SHKARKO APP