Kandidatët vijojnë takimet/ Basha: Rama kërkon asgjësimin e PD. Harxhi: Mosngritja e besimit të elektoratit gri solli humbjen
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, tensioni nuk është ulur në selinë blu. Në garë për kreun e PD-së janë 4 kandidatë, në mesin e tyre edhe kreu aktual Lulzim Basha. Komisioni Zgjedhor ka vendosur po ashtu renditjen e kandidatëve në fletën e votimit të zgjedhjeve të 13 Qershorit. I pari është Fatbardh Kadilli, e dyta Edith Harxhi, teksa i treti është renditur Agron Shehaj dhe i fundit është kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha.
Kryeministri Edi Rama pas zgjedhjeve të 25 prillit, e ka përsëritur disa herë ftesën e bashkëpunimit me PD-në, por sot kreu aktual i selisë blu, Lulzim Basha tha se e sheh si një hile dhe mashtrim me qëllim asgjësimin e PD-së. Nga takimi me demokratët e Tiranës, Basha tha se nuk do njohë rezultatin e 25 prillit, edhe pse kjo deklaratë e tij rezulton kontradiktore, pasi ai ka pranuar që të hyjë në parlamentin e ardhshëm. ndër të tjera, Basha tha se nga 25 prill, PD-ja ka dalë më e fortë.
Nga takimi me demokratët e Kuçovës, kandidatja Edith Harxhi nënvizoi se mosngritja e besimit të elektoratit gri solli humbjen e zgjedhjeve. “Ne nuk kemi arritur të mbrojmë votën, gjënë më të shtrenjtë. Fajin nuk e kanë demokratët apo strukturat e PD-së, por e ka qendra e PD-së sepse nuk ka mundur të ngjallë besim tek elektorati gri, i cili është 20% e elektoratit në Shqipëri, gati një parti politike. Vetëm në momentin që do të ngremë frymën dhe besimin, vetëm atëherë mund të rrëzojmë këtë regjim”.
Fatbardh Kadilli i kërkoi Lulzim Bashës të mos mërzitet kur i bëhen padrejtësi nga Rama, pasi sipas tij të njëjtat veprime Basha i bën brenda partisë. ”Kur ti brenda partisë nuk bën zgjedhje të lira, nuk ke instanca apelimi, nuk ke komision zgjedhor, por e vendos pasi dalin kandidatët, po pse merzitesh kur të bën Edi Rama po të njëjtën gjë? Qytetarët duan kurajo e shpresë, jo duke i thënë unë nuk e pranoj rezultatin e 25 Prillit, nuk i njeh e në Parlament shkon si Çeço. Të jeni të sigurt miq që për 4 vitet e ardhshme do të jemi në opozitë, po nuk u ngrit populli”.