Kandidatja e LSI ka mbështetjen e politikanëve europianë, Rexhina Leka: Durrësi i shkatërruar nga Rilindja

Në garën e 25 prillit është edhe Rexhina Leka, pjesë e listës së LSI-së në qarkun e Durrësit. Kandidatja për deputete, e cila është një figurë e re në sferën politike, thotë se Durrësi dhe vendi po kalojnë situatën më të vështirë në 30 vitet e fundit. “Sundon korrupsioni, papunësia, varfëria dhe po shpopullohet vendi”,-thotë Leka. Ajo është e vetmja kandidate që keni marrë urime dhe mesazh të veçantë edhe nga figura të shquara të politikës europiane, siç ishte rasti i një eurodeputete në Parlamentin e Kroacisë dhe atë Europian. E pyetur sesi ka qeverisur qeveria Rama në 8 vite në qarkun e Durrësit, ajo thotë se “Gjatë 8 viteve të Rilindjes janë larguar 600 mijë shqiptarë. 400 mijë të rinj e të reja. Shqipëria renditet vendi më i korruptuar në Europë. Me pagat më të ulëta në Europë. Kur erdhi Rilindja borxhi publik ishte 63% sot është 97.4% Kur erdhi Rilindja kishim 5 pika për hapjen e negociatave, sot kemi 15 kushte. Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë. 40% e shqiptarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Kjo është qeverisja e Rilindjes. Dështim dhe mjerim”.

A jeni angazhuar më parë në politikë? Çfarë ju shtyu të angazhoheni në një parti politike?

Nuk jam angazhuar kurrë më parë në politikë. Prej vitesh jam marrë me menaxhim biznesi dhe bashkëpunëtore me shoqërinë civile. Arsyeja që më shtyu të merrem me politikë është se sot Durrësi, dhe mbarë vendi kanë më shumë nevojë se kurrë që të rinj e të reja, intelektualë, profesionistë të angazhohen në politikë. Durrësi dhe vendi po kalojnë situatën më të vështirë në 30 vitet e fundit. Sundon korrupsioni, papunësia, varfëria dhe po shpopullohet vendi. Nuk mund ta lejojmë këtë situatë të pashpresë. Të gjithë duhet të angazhohemi sa më shumë në politikë, apo të marrim pjesë në votime, pasi nuk mund ta lemë Durrësin në mjerim e shkatërrim, dhe vendin në duart e korrupsionit. Nuk mund të lejojmë që vendi të shpopullohet e të zbrazet. Sot është dita që Durrësi dhe Shqipëria kanë më shumë se kurrë nevojë për energji të reja dhe njerëz me integritet për t’i shërbyer njerëzve dhe familjeve të thjeshta.

Ju jeni e vetmja kandidate që keni marrë urime dhe mesazh të veçantë edhe nga figura të shquara të politikës europiane, siç ishte rasti i një eurodeputete në Parlamentin Kroat dhe atë Europian, përse e keni këtë mbështetje edhe nga faktorë të huaj?

Po, e vërtetë. Ermina Lekaj Prljaskaj, eurodeputete në Parlamentin Europian, bëri një urim të veçantë për kandidimin tim, duke e vlerësuar maksimalisht angazhimin tim pasi, siç e theksoi edhe ajo ardhmja e Shqipërisë i përket të rinjve dhe vendi ynë ka nevojë për figura që e çojnë atë destinacionin që i takon, në Bashkimin Europian. Kam marrë urime edhe nga shumë personalitete të tjerë të politikës, shoqërisë civile, biznesit, kulturës etj në Gjermani, ShBA, etj. Misioni im është t’i shërbej vendit dhe shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.

Përse LSI? Dhe jo ndonjë parti tjetër?

LSI më bëri ftesë të jem pjesë e saj, dhe pranova me shumë dëshirë pasi LSI nuk është thjesht parti politike, por FAMILJE POLITIKE, e organizuar me frymë ekipi. LSI-ja në Durrës drejtohet nga një ekip njerëzish me integritet: ekonomistë, juristë, profesionistë të gjitha fushave dhe i ka dyert e hapura për këdo. LSI ka një program të qartë për familjet e zakonshme: më shumë punësim, më shumë zhvillim, ekonomik, forcim për rolin e gruas, familjet e reja, arsimin, bujqësinë etj. LSI ka në emër të saj dhe mision të saj integrimin e vendit dhe ky është qëllimi ynë: të integrojmë Shqipërinë sa më parë në BE.

Në optikën tuaj si qytetare e Durrësit dhe tashmë si kandidate për deputete e LSI, cilat janë problemet më madhore të Durrësit?

Durrësi është qyteti më i braktisur dhe shkatërruar nga Rilindja. Ekonomia e Durrësit ishte e 2-ta në vend kur erdhi Rilindja dhe sot është e 4-ta pas Fierit dhe Gjirokastrës. Papunësia në Durrës është në ekstrem. 80% e bizneseve janë në faliment. Gjatë pandemisë Rilindja nuk e mbështeti aspak biznesin e Durrësit por e penalizoi me gjoba. Familjet e Durrësit paguajnë faturat më të larta në Shqipëri për ujin dhe dritat. Qyteti është betonizuar i tëri. Nuk e njohim më Durrësin ku jemi rritur. Është një bllok i madh betoni. Plot afera e tendera korruptiv. Asnjë park a lulishte. Asnjë kënd lojrash. Vetëm korrupsion. Sa herë që bie shi Durrësi përmbytet. Përmbytet me një pikë shiu. E papranueshme. Do e ndryshojmë këtë realitet.

Po problemet më të mëdha për vendin? Si ka qeverisur qeveria Rama në këto 8 vite?

Gjatë 8 viteve të Rilindjes janë larguar 600 mijë shqiptarë. 400 mijë të rinj e të reja. Shqipëria renditet vendi më i korruptuar në Europë. Me pagat më të ulëta në Europë. Kur erdhi Rilindja borxhi publik ishte 63% sot është 97.4% Kur erdhi Rilindja kishim 5 pika për hapjen e negociatave, sot kemi 15 kushte. Sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë. 40% e shqiptarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Kjo është qeverisja e Rilindjes. Dështim dhe mjerim. Ndaj edhe duhet dhe do të largohet.

Sipas mendimit tuaj, si e ka menaxhuar qeveria procesin e Rindërtimit?

Rindërtimi është një dështim. Kryeministri në largim vjen 3 herë në javë në Durrës, kjo për të bërë show dhe propagandë dhe nuk ka zgjidhur asgjë për banorët e Durrësit. Janë 8 mijë banorë që jetojnë në çadra dhe kontinjerë. Kaluan 2 dimra në të ftohtë e askush nuk u kujdes për ta. Në vend që të strehonin këto familje firmosin tendera dhe PPP prej qindra milionë eurosh. 900 familje DS4 në Durrës nuk kanë as informacionin më të vogël se çfarë do bëhet me to. I vlerësojnë banesat vetëm me çekiç se nuk kanë mjete. Dështim total. Rilindja ka braktisur banorët e Durrësit në ditët e tyre më të vështira.

Si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit?

Opozita e bashkuar do të fitojë bindshëm. Do jetë fitorja më e madhe në 30 vitet e fundit. Fitorja nis nga Durrësi dhe do të festohet në të gjithë Shqipërinë. LSI-ja, do të arrijë një rezultat surprizë në Durrës e në mbarë vendin.

Keni ndonjë mesazh për banorët e Durrësit dhe ata që po na lexojnë?

Kam një mesazh për banorët e Durrësit e të mbarë Shqipërisë. Çdo njeri të shkojë e të votojë më 25 prill. Sa më shumë njerëz të votojnë aq më shpresë ka për vendin. Të votojë për të ardhmen e vet, të familjes, të qytetit dhe vendit. Të votojmë të gjithë për të ardhmen. Të votojmë për më shumë punë dhe mirëqenie. Të votojmë për një Shqipëri si gjithë Europa. Mjaft ka vuajtur Durrësi dhe Shqipëria, është koha të ecim përpara e të mos vuajmë më për bukën e gojës por të bëhemi një vend europian dhe i zhvilluar. Votoni sepse kështu mposhtet diktatura dhe fiton Shqipëria. Fitojnë shqiptarët.

SHKARKO APP