Kandidatja e LSI në Kuçovë/Aurela Kalivaçi: S’pranova largimin nga Shqipëria, besoj tek programi për rininë

Kandidatja e LSI-së për deputete në qarkun Berat, Aurela Agalliu Kalivaçi: Të rinjtë janë të zhgënjyer nga mashtrimet, arroganca dhe propaganda e 3D-së e qeverisë aktuale

Intervistoi: Redjon Shtylla

Prej vitesh një psikologe e njohur dhe pjesë e emisioneve televizive, Aurela Agalliu Kalivaçi ka marrë një tjetër sfidë. Prej kohësh ajo është pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe tani kërkon votën e qytetarëve të Kuçovës për të qenë pjesë e Parlamentit. Ajo është pjesë e listës së qarkut Berat e renditur në vendin e 6-të, në një intervistë për “Koha Jonë”, Kalivaçi tregon më shumë për këtë vendim. “Nuk pranova një largim të dhimbshëm, por vendosa të qëndroj dhe të kontriboj në vendin tim. Në rolin si profesioniste, kam konstatuar se të rinjtë janë të pakënaqur nga niveli social dhe ekonomik i vendit, dhe si rrjedhojë shumë probleme të tyre psikologjike bazat i kanë tek nevojat jetike të paplotësuara, nga politikat sociale por jo vetëm”. E pyetur pse duhet që votuesit në Kuçovë që besojnë tek ajo, psikologia shprehet se “Mendoj se në zgjedhjet e 25 Prillit, të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Kuçovës duhet të më mbështesin me votë, pasi do të përfaqësoj me seriozitet dhe devotshmëri nevojat e tyre në arsim, punësim dhe në rrugën e tyre profesionale. Të rinjtë janë e ardhmja e një vendi dhe ne do të punojmë fort që të krijojmë mundësitë e duhura për t’u arsimuar, dhe që të ndihen të vlerësuar duke mundësuar konkurimin e ndershëm në institucionet publike”.

Znj. Kalivaçi, ju jeni pjesë e listës së LSI-së në qarkun Berat në vendin e 6-të, dhe kërkoni një mandat si deputete. Përse vendosët që të jeni në këto momente pjesë e politikës, dhe pse pikërisht tek LSI-ja dhe jo te një forcë tjetër?

Mendova se kishte ardhur koha për t’u angazhuar në politikë dhe specifikisht te Lëvizja Socialiste për Integrim, pas shumë pakënaqësive që kanë lindur në gjykimin tim nga qeverisja aktuale. Dy vitet e fundit shoqëria shqiptare është përballur me situata të vështira dhe ngjarje traumatike, si ajo e tërmetit dhe Covid-19. Duke parë sesi po varfërohemi çdo ditë dhe më tepër që shteti nuk bëri përpjekjet e duhura për mbështetje financiare, por i çoi më tepër në krizë familjet shqiptare, ndaj e pashë të nevojshëm angazhimin tim për një ndryshim. Shpesh shprehemi të pakënaqur por shumë rrallë marrim iniciativën për t’u bërë pjesë e ndryshimit. Njësoj si motoja “Ndryshimi fillon nga ty”.

Një arsye tjetër themelore është edhe rreziku për shpopullimin e vendit. Nuk pranova një largim të dhimbshëm, por vendosa të qëndroj dhe të kontriboj në vendin tim. Në rolin si profesioniste, kam konstatuar se të rinjtë janë të pakënaqur nga niveli social dhe ekonomik i vendit, dhe si rrjedhojë shumë probleme të tyre psikologjike bazat i kanë tek nevojat jetike të paplotësuara, nga politikat sociale por jo vetëm. Kjo ka shërbyer si një periudhë reflektimi në karrierën time dhe për këtë arsye mendova se ishte momenti i duhur për t’u përfshirë në politikë dhe për ti treguar profesionistëve të rinj se Shqipëria është një vend potencial dhe se mundet të ofrojë cilësi në arsim, shëndetësi dhe shtet ligjor.

Të rinjtë kërkojnë të zgjojnë shpresën dhe të ndihen të përfaqësuar dhe mendoj se roli im në LSI është dhe do të jetë dinjitoz, duke përkrahuar kauzat që përfaqësojnë nevojat aktuale dhe imediate të të rinjëve që janë të zhgënjyer nga mashtrimet, arroganca dhe propaganda e 3D-së e qeverisë aktuale. Për këtë arsye ndihem shumë e priviligjuar që figurën time ja kam besuar LSI-së, pasi misioni dhe vizioni i saj është mbështja, angazhimi dhe integrimi i të rinjëve.

Që në fillim kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi prezantoi 5 pikat e programit, për të cilat ka pasur edhe diskutimi. Nëse do të kishit mundësi që ndonjë pikë ta përmirësonit çfarë do të ishte, sidomos për politikat arsimore pasi ju vini nga bota akademike?

Jam njohur me programin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe është një program i cili i nevojitet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe se 5 prioritetet e propozua dhe prezantuar nga LSI-ja për 5 muaj e parë në qeverisjen pas 25 prillit, janë jetike dhe bazike, dhe mbi të gjitha nuk i kushtojnë buxhetit të shtetit, por lehtësojnë dhe rikuperojnë mundësitë për të forcuar ekonominë e qytetarëve shqiptarë. Edhe arsimit i është kushtuar një vëmendje e veçantë dhe me bindje ju them se programi ka në thelb një arsim cilësor, tarifa më të ulëta, rritjen e shkollave profesionale në mënyrë që të rinjtë të gjejnë veten në tregun e punës, dhe mbështetjen ekonomike pas studimeve për çdo të ri i cili inicion një hap të ri në biznes.

Ju jeni lindur në Kuçovë dhe jeni arsimuar po aty. Si e shikoni sot Kuçovën dhe çfarë mendoni se do të bëni ndryshe për Kuçovën me angazhimin tuaj në politik?

Kuçova është një qytet shumë i dashur për mua. Unë jam lindur dhe rritur në atë vend duke marrë më të mirat nga qytetarët që janë njerëz intelektual dhe të dashur. Sot e shoh Kuçovën të braktisur dhe të lënë në harresë. Është një qytet i cili nëse po të ishte vlerësuar siç duhet nga politika, do t’u thoja me bindje se do të ishte një vend për t’u marrë shembull. Ju siguroj se kush ka jetuar në Kuçovë, nuk do të donte të largohej nga ai qytet nëse do të ishin krijuar kushtet për të investuar në industrinë e naftës dhe më gjerë. Sot jemi për ta bërë Kuçovën një vend të admirueshëm për të jetuar dhe punuar. Ai qytet meriton të zhvillohet si një qytet mbi një pasuri të madhe nën dhe mbi tokësore.

Pse duhet që votuesit dhe bashkëqytetarët në Kuçovë të besojnë votën tek ju?

Mendoj se në zgjedhjet e 25 Prillit, të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Kuçovës duhet të më mbështesin me votë, pasi do të përfaqësoj me seriozitet dhe devotshmëri nevojat e tyre në arsim, punësim dhe në rrugën e tyre profesionale. Të rinjtë janë e ardhmja e një vendi dhe ne do të punojmë fort që të krijojmë mundësitë e duhura për t’u arsimuar, dhe që të ndihen të vlerësuar duke mundësuar konkurimin e ndershëm në institucionet publike.

Cili është modeli juaj në politikën e jashme, kush ju frymëzon?

Pa diskutim Margaret Thecer, “Zonja e hekurt” siç njihet gjerësisht gjatë dhe pas karrierës së saj politike. Unë jam mbështetëse e gruas dhe siç edhe më keni njohur në profesionin tim si psikologe, ngre zërin shpesh për të drejtat e grave, sepse unë jam për një shoqëri me femra të emancipuara dhe të fuqizuara. Për fat të mirë në Shqipëri, në politikë kemi një përfshirje më të lartë të numrit të grave dhe kjo ka qenë një arsye më tepër për të qenë pjesë e ekipit të LSI-së.

SHKARKO APP