Kaos dhe trazira, serbët dalin në rrugë në mbështetje të Rusisë
Në një kohë që bota po e dënon me forcë luftën ruse në Ukrainë, qytetarët serb kanë marshuar në Beograd, duke valëvitur flamuj rusë dhe duke mbajtur fotografi të presidentit Vladimir Putin.
Për shumë serbë të zakonshëm, kujtimi i bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave strategjikë në Serbi për t’i dhënë fund luftërave ballkanike të viteve 1990 është ende shumë i freskët, një veprim që u kundërshtua ashpër nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka theksuar në ditët e fundit në mënyrë të përsëritur mbështetjen për Moskën.
Para fillimit të marshimit, manifestuesit u mblodhën pranë ndërtesës së presidencës në Beogradin qendror, duke intonuar himnet ruse dhe serbe dhe duke përshëndetur të dy vendet si kombe vëllezër përpara një monumenti të Carit rus Nikolla II.
Midis tyre ishin anëtarë lokalë të klubit të motoçikletave “Ujqërit e natës” të Rusisë, të njohur për lidhje të ngushta me Putinin dhe me një histori luftimesh në Ukrainë në anën e separatistëve pro-rusë gjatë krizës së Krimesë në vitin 2014 dhe luftës mbi rajonin e Donbasit.